Familja dhe miqtë e ngushtë u mblodhën të hënën për një funeral privat për Giorgio Armanin, stilistin legjendar italian të modës, i cili vdiq javën e kaluar në moshën 91 vjeçare.

Sipas dëshirës së tij, Armani do të varroset në kishën familjare në Rivalta, një fshat rreth njëqind kilometra larg Milanos dhe pranë Piacenzës, qytetit ku ai lindi, së bashku me prindërit dhe vëllanë e tij më të madh.


Rivalta ishte e mbyllur për turistët dhe vizitorët gjatë ceremonisë së sotme.

Pas funeralit të udhëhequr nga Imzot Giuseppe Busani, trupi i Armanit u varros në faltoren familjare.

Në shenjë respekti, dyqanet Armani u mbyllën të hënën pasdite, duke u lejuar punonjësve t’i thoshin një lamtumirë paqësore njeriut që e quanin me dashuri “Il Signor Armani”.

Partneri dhe bashkëpunëtori i tij prej shumë kohësh, Pantaleo Dell'Orco, u tha mediave italiane para funeralit: "Do t'i themi lamtumirë si familje dhe pastaj do të ecim përpara siç do të kishte dashur ai. Gjithçka është gati për ta kujtuar atë përmes modës së tij".

Deri në vdekjen e tij, Armani po punonte për një ekspozitë retrospektive dhe sfilatë mode për të festuar 50 vjet në biznes, gjatë Javës së Modës në Milano në fund të shtatorit. Kompania e tij nuk ka njoftuar ndonjë ndryshim në program deri më sot.

Armani vdiq pas një karriere pesëdekadëshe, në të cilën ndërtoi një perandori biznesi që përfshinte nga moda e lartë deri te mobiliet shtëpiake, dhe emri i tij u bë sinonim i thjeshtësisë elegante. /Telegrafi/