LAJMI I FUNDIT:

MINT hap konkurs për punësimin e 27 inspektorëve të tregut

MINT hap konkurs për punësimin e 27 inspektorëve të tregut

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), ka hapur konkurs për punësimin e 27 inspektorëve të tregut.

Sipas MINT-it, ata do të rrisin mbikqyrjen e tregut dhe cilësinë e shërbimeve për qytetarët e bizneset në Republikën e Kosovës.


Në komunikatën për media bëhet e ditur se Inspektorati i Tregut në kuadër të MINT-it, që nga themelimi e deri më tani, është duke funksionuar me vetëm 15 inspektorë të tregut në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

“Me mbikëqyrjen e përmirësuar të tregut, me shërbime profesionale për qytetarët dhe bizneset, MINT synon që tregu të funksionojë më mirë, me rregulla të barabarta, sigurojë që produktet dhe shërbimet në treg të jenë të sigurta për konsumatorët, në mënyrë që të rritet drejtësia dhe transparenca në tregun e brendshëm”, thuhet në njoftim.

MINT tutje ka thënë se kjo është mundësi e mirë për të filluar karrierë në fushën e inspektimit të tregut dhe të zhvillimit profesional, prandaj inkurajon të aplikojnë të gjithë ata që plotësojnë kualifikimet minimale. /Telegrafi/