LAJMI I FUNDIT:

Ministria e Mjedisit dhe Komuna e Suharekës nënshkruajnë marrëveshje për eko-turizmin

Ministria e Mjedisit dhe Komuna e Suharekës nënshkruajnë marrëveshje për eko-turizmin

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, së bashku me kryetarin e Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, kanë nënshkruar memorandum të Mirëkuptimit për mbikëqyrjen e duhur të burimeve në fshatrat Gradocë dhe Dollancë të Suharekës.

Pas ceremonisë së nënshkrimit, Reshitaj, tha se qëllimi i këtij memorandumi është fuqizimi i eko-turizmit në Komunën e Suharekës.


“Këto iniciativa janë në përputhje me planin zhvillimor dhe politikat progresive të ndërmarra nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe ndihmojnë në fuqizimin e turizmit malor. Këto investime do të rrisin kualitetin e jetës në përgjithësi dhe posaçërisht do të ndihmojnë në zhvillimin e eko-turizmit, si nevojë e veçantë dhe mundësi reale për Komunën e Suharekës marrë parasysh relievin e kësaj komune”, tha Reshitaj, përcjell Telegrafi.

Me këtë rast ministrja Reshitaj, tha se shumë shpejtë MMPH-ja, do të ketë investime në rregullimin e shtratit të lumit Tophulla, në mbledhjen e fidanëve për rreth rrugës Suharekë – Prizren dhe në zgjerimin e parqeve të gjelbra në qytetin e Suharekës.

“Të gjitha këto projekte investuese në Suharekë dhe në Bjeshkët e Sharrit do të kontribuojnë në ngritjen e cilësisë së ajrit si dhe do të fuqizojnë agro dhe eko- turizmin”, tha ajo.

MPMH gjithashtu ka marrëveshje bashkëpunimi me Komunën e Suharekës për investime në projektet kapitale në fushën e riciklimit të mbeturinave.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, deklaroi se komuna që ai drejton ka një numër të madh të projekteve që do të realizohen në bashkëpunim me MPMH-në.

Projekti për riparimin e burimeve të ujit në fshatrat Gradancë dhe Dollacë të Suharekës është mbështetur nga iniciativa SATOYAMA në kuadër të Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA), për vendosjen e dritave solare, shportave të mbeturinave si dhe shenjave turistike, që do të ndihmojnë turistët për orientim në zona turistike. /Telegrafi/