LAJMI I FUNDIT:

Ministria e Financave: Pa rishikim të buxhetit nuk ka paga nga Pakoja Emergjente

Ministria e Financave: Pa rishikim të buxhetit nuk ka paga nga Pakoja Emergjente

Zbatimi i tërësishëm i Pakos Emergjente Fiskale do të ndodhë vetëm atëherë kur të miratohet Projektligji për rishkrimin e Buxhetit në Kuvendin e Kosovës.

Ende as një masë e kësaj pakoje nuk është zbatuar në tërësi deri më sot, përveç disa pagesave më të vogla për aq sa ka pasur mjete nga linjat buxhetore.


Madje, ka edhe një numër të konsiderueshëm të punëtorëve të cilët nuk kanë marrë as pagën e parë prej 170 euro.

Këshilltari i ministres së Financave, Lulëzim Krasniqi thotë për KosovaPress se nuk ka bazë ligjore që të zbatohet e tërë Pakoja Emergjente.

Krasniqi theksoi se rishikimi i buxhetit është i domosdoshëm që të alokohen pagat nga 170 euro për punëtorët e bizneseve që janë ndikuar nga pandemia COVID-19.

Hoti kërkon të trajtohet me prioritet rishikimi i buxhetit - këto janë hapat që duhet ndjekur për rihartimin e tij
Lexo po ashtu Hoti kërkon të trajtohet me prioritet rishikimi i buxhetit - këto janë hapat që duhet ndjekur për rihartimin e tij

“Ne e kemi kryer rishikimin e buxhetit, i cili ka shkuar në Kuvendin e Kosovës për procedim të mëtutjeshëm. Përmes rishikimit të buxhetit janë alokuar mjetet nëpër linjat e duhura buxhetore në mënyrë që të ekzekutohet pakoja emergjente fiskale me efikasitet. Në momentin që kryhet rishikimi i buxhetit, ju e dini që një shumë e madhe për pakon fiskale emergjente ende nuk është ekzekutuar. Pikërisht për shkak të mungesës së alokimit buxhetor për këtë pako. Prandaj, rishikimi i buxhetit, kalimi i këtij rishikimi, është më se i domosdoshëm në Kuvendin e Kosovës në mënyrë që të hapet rruga për ekzekutimin e plotë të pakos emergjente fiskale”, thotë Krasniqi.

Ai tha se ditëve të fundit ka pasur disa pagesa për disa masa, por siç tha ai në shumë më të vogël dhe për aq sa ka pasur mjete në dispozicion.

“Aq sa ka pasur mjete në dispozicion tek ato linja buxhetore janë ekzekutuar, ose është intensifikuar puna edhe e Komisionit dhe instancave që merren me ekzekutimin e pagesave në mënyrë që përfituesit t’i marrin mjete sa më shpejt”, thotë ai.

Krasniqi: Mungon vullneti i qeverisë për t'i përkrahur bizneset dhe punëtorët nga Pakoja Emergjente
Lexo po ashtu Krasniqi: Mungon vullneti i qeverisë për t'i përkrahur bizneset dhe punëtorët nga Pakoja Emergjente

Sipas Krasniqit ka raste që nuk janë paguar punëtorët as për pagën e parë.

“Sipas informatave që i kam ka raste kur nuk është paguar as paga e parë nëse nuk gaboj”, thotë ai.

Ai në fund theksoi se komisioni përkatës pothuajse ka përfunduar pjesën e shqyrtimit të aplikacioneve për të gjitha masat e Pakos Emergjente Fiskale.

Kujtojmë, që edhe kryeministri Avdullah Hoti ka kërkuar me shkrim nga kryeparlamentarja Vjosa Osmani që të mundëson miratimin e rishikimit të buxhetit me procedura të shpejta. /Telegrafi/