LAJMI I FUNDIT:

Ministria e Financave paralajmëron masa ligjore për tenderin që ka favorizuar prodhuesit serbë

Ministria e Financave paralajmëron masa ligjore për tenderin që ka favorizuar prodhuesit serbë

Ministria e Financave, ka reaguar pas raportimeve se Agjencia Qendrore e Prokurimit përmes tenderit ka favorizuar prodhuesit serbë.

Përmes një komunikate, thonë se Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP) funksionon e pavarur dhe është jashtë kompetencave të ministrit.


“Ministria e Financave për hir të transparencës dhe informimit të drejtë të opinionit sqaron se Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP) në kuptim operativ funksionon e pavarur. Ndërsa sa i përket tenderit të përfolur sot në media, ai nuk ka qenë tender i Ministrisë së Financave dhe ministri i Financave nuk ka asnjë kompetencë për të caktuar kriteret tenderuese dhe listën e mallrave dhe se cilat mallra blihen me tender dhe në cilat kushte duhet të shpallen. Kjo për arsye se Qeveria e Kosovës me Udhëzim Administrativ cakton se cilat mallra duhet të prokurohen nga AQP, në emër të Organizatave Buxhetore”, thuhet në komunikatë.

Sipas MF-së është Agjencia Qendrore e Prokurimit ajo që cakton kushtet për ta shpallur një tender.

“Po ashtu pas hyrjes në fuqi të Udhëzimit Administrativ të aprovuar në Qeveri, AQP në bashkëpunim me organizatat buxhetore cakton kushtet, kërkesat dhe obligimet për ta shpallur tenderin, pra siç shihet asnjë procedurë apo veprim nuk merret dhe nuk kërkohet nga ministri i Financave që nënkupton se është jashtë kompetencave operative të ministrit të Financave. Zyrtarët e AQP-së janë përgjegjës para organeve kompetente dhe ligjore për veprimet e tyre. Përkundër kësaj Ministria e Financave do të marrë të gjitha veprimet ligjore për ta sqaruar këtë situatë në AQP”, thuhet në komunikatë./Telegrafi/