LAJMI I FUNDIT:

Ministri Latifi uron kryetarin e rizgjedhur të Vatrës

Ministri Latifi uron kryetarin e rizgjedhur të Vatrës

Dr. Rifat Latifi, Ministër i Shëndetësisë së Republikës së Kosovës, i ka dërguar një telegram urimi kryetarit të Vatrës, z. Elmi Berisha


I nderuar z. Elmi Berisha

Si Ministri i Shëndetësisë së Republikës së Kosovës, dhe njëkohësisht edhe si vatran, ju uroj rizgjidhjen edhe për një mandat katër vjeçar në krye të Federatës Panshqiptare të Amerikës “Vatra”, që ka për mision organizmin patriotik më të vjetër të shqiptarëve në ShBA.

Dua të veçoj se si Ministër dhe si vatran, roli dhe kontributi i Vatrës, ishte, është dhe do të duhej të jetë shumë i madh dhe shumë dimensional, si në lëmin politik nëpërmjet lobimit, në fushën e arsimit me ndihma financiare aty ku kërkohet, duke ndihmuar në tekste të fëmijëve të shqiptarëve në ShBA, në thellimin e ndjenjës së vullnetarizmit, dhe po ashtu edhe në marrjen pjesë të drejtpërdrejtë në vendime historike për shqiptarët në përgjithësi.

Besoj se kryetari z.Berisha, ashtu siç kanë bërë edhe pasardhësit e tij, do të ketë synim parësor reformimin dhe freskimin e “Vatrës” me breza të rinj të shqiptarëve që jetojnë në ShBA, dhe të cilët kanë arritur suksese në fusha të ndryshme, të jetë i hapur ndaj ideve të reja, të promovoj vlerat e kombit tonë, si në aspektin politik, e po ashtu edhe në atë edukativ, arsimor, kulturor e shkencor.

Si vatran, e shoh nevojën imediate modernizimin e “Vatrës”, duke shfrytëzuar kapacitetet e brezave të rinj, të cilët janë edukuar dhe arsimuar në ShBA, duke ofruar në vazhdimësi bashkëpunimin dhe forcimin e lidhjeve me institucionet vendimmarrëse të ShBA-së, si me Senatin, Kongresin, me Departamentin e Shtetit dhe me institucionet tjera relevante.

Dua të theksoi se Federata Panshqiptare e Amerikës “Vatra”, duhet të ruaj gjithmonë parimet e neutralitetit, në veçanti duke mbajtur pozicione të forta jo-partiake, në mënyrë që misioni i ‘Vatrës’, të jetë në pafundësi ‘kontributi i vazhdueshëm në zhvillimin e kombit tonë në të gjitha fushat dhe të gjitha trojeve etnike pa dallim’.

“Vatra”, si çdo herë, të bashkëpunojë në mënyrë të vazhduar me Qeveritë e Republikës së Kosovës, asaj të Shqipërisë, me përfaqësuesit e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, të Luginës së Preshevës dhe Mal të Zi, dhe po ashtu, do kërkojë drejtësi për Çamërinë.
Shumë suksese!

Dr. Rifat Latifi, Ministër i Shëndetësisë së Republikës së Kosovës.