Ministri Krasniqi kritikon shkeljet procedurale në kuvendet e komunave veriore

Ministri në detyrë i Ministrisë për Administrimin e Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka reaguar lidhur me shkeljet procedurale në mbledhjet e kuvendeve të komunave Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.
Sipas raportimeve të monitorimit të këtyre mbledhjeve, kryetarët e komunave kanë propozuar pika shtesë për rendin e ditës në mënyrë të kundërligjshme, me qëllim të daljes nga Asociacioni i Komunave të Kosovës.
Krasniqi thekson se kjo praktikë bie ndesh me Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale, i cili përcakton se vetëm anëtarët e kuvendit kanë të drejtë të kërkojnë shtimin e pikave gjatë seancës, dhe vetëm për çështje urgjente me rëndësi publike.
“Çdo kërkesë për shtim të pikave duhet të votohet nga shumica e anëtarëve të kuvendit. Në asnjë dispozitë ligjore nuk parashihet e drejta e Kryetarit të Komunës për këtë veprim”, shkroi Krasniqi në Facebook, duke shtuar se vendimet e marra mbi pikat e propozuara në këtë mënyrë konsiderohen të kundërligjshme dhe vënë në pikëpyetje ligjshmërinë e tyre.
Ministri nënvizoi gjithashtu se respektimi i procedurave ligjore është garanci për funksionim demokratik, transparencë dhe sundim të ligjit në nivel lokal. Ai akuzoi Lista Serbe se po përdor këtë iniciativë për të nxitë ndasi dhe tensione, duke i vënë përpara interesat e Serbisë në Kosovë dhe jo ato të komuniteteve lokale.
“Komunitetet në Kosovë kanë interes të integrohen dhe të bashkëpunojnë mes vete për zhvillim ekonomik, siguri dhe besim reciprok, në përputhje me vlerat demokratike dhe proceset integruese drejt Bashkimit Evropian”, theksoi më tej Krasniqi. /Telegrafi/

















































