LAJMI I FUNDIT:

Ministri Dr. Rifat Latifi së bashku me zv.ministren, Dr. Dafina Gexha- Bunjaku, vizituan Shoqatën Kosovare të Kulturës, Artit e Turizmit “Kosova Rumeli”

Ministri Dr. Rifat Latifi së bashku me zv.ministren, Dr. Dafina Gexha- Bunjaku, vizituan Shoqatën Kosovare të Kulturës, Artit e Turizmit “Kosova Rumeli”

Në këtë takim, ministri Latifi, e ftoi komunitetin shqiptar në Izmir për bashkëpunim në fushën e shkencës, në mënyrë që mjekët dhe personeli mbështetës të përfitojë eksperiencë nga stafi akademik i universiteteve dhe spitaleve në Izmir dhe në Turqi, në përgjithësi

Ministri Latifi u tha të pranishmëve se e konsideron komunitetin shqiptar të Izmirit dhe të tërë Turqisë, si pjesë të Kosovës, dhe i ftoi të gjithë ata që kanë mundësi të kontribuojnë në Kosovë, të kthehen dhe ta zhvillojnë e përmirësojnë sistemin shëndetësor të Kosovës.


“Fëmijët tuaj është mirë të kthehen në Kosovë dhe me eksperiencën e tyre, me shkëmbimin e përvojave, e që kemi nevoja shumë të madhe, të jenë pjesë e zhvillimeve të kapaciteteve tona shkencore dhe njerëzore”, tha ministri Latifi.

Meqë njëra prej shtatë shtyllave të transformimit të sistemit shëndetësor të Kosovës, të ministrit Latifi është edhe kthimi i trurit, ai tha se në këtë proces shqiptarët në Turqi mund të ndihmojnë vendin e tyre të origjinës në këtë proces shumë të rëndësishëm të vendit.

Ai tha se njëra nga detyrat e tij si Ministër i Shëndetësisë dhe më e rëndësishmja, është kthimi i trurit në Kosovë.

“Është koha që jo vetëm Kosova, por edhe shtetet tjera si Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës, të mendojnë më shumë për ju, sesa për vetën e tyre. Diaspora, është shpirti i Kosovës, prandaj ju falënderoj shumë për gjithë ndihmën që keni dhënë si para luftës, gjatë dhe pas luftës në mënyra të ndryshme”, tha ministri Latifi në këtë takim.

Ndërkaq, përfaqësuesit e kësaj shoqate, falënderuan ministrin Latifi dhe zv. ministren Gexha-Bunjaku për vizitën, duke shpresuar se komuniteti shqiptar në Izmir, të mos jetë i harruar, por të ketë bashkëpunim mes këtij komuniteti dhe institucioneve të Kosovës.

Shoqata Kosovare “Kosova Rumeli” u themelua në vitin 1979, si e para shoqatë e shqiptarëve në Izmir dhe prej saj janë emëruar dhe kanë fituar të jenë pjesë e Parlamentit të Turqisë pesë shqiptarë.

/Telegrafi/