LAJMI I FUNDIT:

Mihajloviq: Nëse e zgjidh çështjen e Kosovës, Vuçiq bëhet politikani më i madh serb

Mihajloviq: Nëse e zgjidh çështjen e Kosovës, Vuçiq bëhet politikani më i madh serb

Zëvendëskryeministrja e Serbisë,  Zorana Mihajloviq ka thënë se zgjidhja e çështjes së Kosovës është e rëndësisë më të madhe për të ardhmen e Serbisë dhe në qoftë se arrin ta zgjidhë këtë, presidenti  Aleksandar Vuçiq, do të mbahet mend si politikani më i madh serb në histori.

“Janë të paktë ata që e shohin gjithë kontekstin e çështjes së Kosovës. Të cilët e shohin gjithë gërshetimin e Kosovës me raportet në rajon, rrugën tonë në BE, marrëdhëniet me Turqinë, SHBA-në dhe Rusinë, dhe më e rëndësishmja, me të ardhmen e Serbisë. Vuçiq këtë e sheh dhe ka mundësi për ta zgjidhur këtë çështje. Nëse me shqiptarët e zgjidhim çështjen e Kosovës, Vuçiq do të mbahet mend si politikani më i madh serb në dy shekujt e fundit”, deklaroi zv/kryeministrja serbe, për gazetën “Kurir”, përcjell Telegrafi.


Këto komente zëvendëskryeministrja serbe i ka bërë në kohën kur presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, është duke u përgatitur për dialogun e brendshëm me të gjitha isntitucionet serbe për Kosovën.

Në një intervistë për Associated Press, Presidenti serb Aleksandër Vuçiç e pranoi se zgjidhja e konfliktit është në interes të Beogradit, e se për këtë arsye kishte nisur bisedimet e brendshme.

“Kemi konflikt të ngrirë prej shumë vitesh. A është mirë ta kemi këtë konflikt të ngrirë edhe për 50 apo 100 vitet e ardhshme? Nuk mendoj se është kështu. Kjo është arsyeja përse kam nisur diskutimet e brendshme”, deklaron ai.

“Me shqiptarët mendoj se na duhet marrëveshje afatgjate e paqes për 200 vitet e ardhshme”, vijoi me tej Vuçiç, duke shtuar se të gjitha palët “do të duhet të bëjnë disa lëshime”, k thënë ai.

BE-ja po ndërmjetëson bisedimet mes Serbisë dhe Kosovës për normalizimin e marrëdhënieve dhe shumë në Evropë besojnë se Serbia do të duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës përpara se t’i bashkohet bllokut. /Telegrafi/