LAJMI I FUNDIT:

Microsoft zbulon investimin e radhës miliarda dollarësh në Malajzi

Microsoft zbulon investimin e radhës miliarda dollarësh në Malajzi

Microsoft do të investojë 2.2 miliardë dollarë në Inteligjencën Artificiale dhe infrastrukturën cloud në Malajzi për të mbështetur transformimin dixhital të vendit.

Njoftimi nga CEO i Microsoft, Satya Nadella, përfshin edhe plane për krijimin e një qendre me Al e cila do të ofrojë arsim dhe trajnim për 20 mijë njerëz në Azinë Juglindore.


“Ne jemi të përkushtuar të mbështesim transformimin e Inteligjencës Artificiale të Malajzisë”, tha Nadella.

Bëhet e ditur se investimet do të ndihmojnë bizneset, komunitetet dhe zhvilluesit malajzianë të aplikojnë teknologjinë më të fundit për të nxitur rritjen ekonomike dhe inovacionin gjithëpërfshirës, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Sipas ministrit të investimeve, tregtisë dhe industrisë së Malajzisë, Zafrul Abdul Aziz, “investimi pasqyron një partneritet të thellë të ndërtuar mbi besim”.

“Në të vërtetë, pozicioni i Malajzisë si një destinacion i investimeve teknologjike po njihet gjithnjë e më shumë në botë”, tha ministri.

“Zhvillimi i Microsoft-it së bashku me aftësitë me Al do të rrisin ndjeshëm kapacitetin dixhital të Malajzisë dhe do të ngrisin pozicionin tonë në peisazhin global”, shtoi ai.

Ndryshe, Nadella ka njoftuar edhe për investime miliarda dollarëshe edhe në Indonezi dhe Tajlandë.

Kompania Kearney ka vlerësuar se Al mund të kontribuojë me gati 1 trilion dollarë në produktin e brendshëm bruto të Azisë Juglindore deri në vitin 2030.

Gjithashtu, Microsoft po kërkon të rrisë mbështetjen për zhvillimin e Al në mbarë botën, me iniciativat e fundit në Japoni dhe në Emiratet e Bashkuara Arabe. /Telegrafi/