LAJMI I FUNDIT:

Metamorfoza e mitit të gruas nordike – nga gjeneza në Mesjetë

Metamorfoza e mitit të gruas nordike – nga gjeneza në Mesjetë

Nga: Gladiola Jorbus

Sipas një pune studimore të mbështetur në artefakte, burime historike, historinë e fesë dhe materiale arkeologjike, mund të përcaktojmë evoluimin e gruas në botën nordike nga perëndeshë e pjellorisë në një shtrigë me shkop fluturues.


Sipas mitologjisë veriore, në agim të njerëzimit, burrat dhe gratë ishin të barabartë. Ata adhuronin Nerthusin (Nënën Tokë), një virgjëreshë që simbolizonte rizgjimin e pranverës. Ky kult është evidentuar në mitologjinë nordike dhe në atë mesdhetare gjithashtu. Perëndesha virgjëreshë simbolizonte jetën e re, ciklin e gruas dhe zhvillimin nga virgjëria tek amësia. Gruaja, nën këtë këndvështrim ndryshon nga ajo çka përcolli kristianizmi 2000 vjet më parë.

Në epokën e bronzit dhe të hekurit, gratë kujdeseshin për të mirat materiale, veshjet, luanin një rol të rëndësishëm në jetën fetare të komunitetit dhe ishin përgjegjëse për transmetimin e njohurive në brezat pasardhës.

Nevojat për vijimësi, si një urë lidhëse ndërmjet së shkuarës dhe së tashmes ndikuan në intuitën e këtyre qenieve. Në periudhën vikinge, ajo shfaqet me një mantel të mbuluar me bizhuteri dhe me një skeptër. Ajo mund të shëronte kështu përmes magjisë apo të parashikonte të ardhmen. Por, kristianizmi nuk do ta lejonte më këtë dhe gjaku do të rridhte lumë.

Volve (e martuara me shkopin) konsiderohet orakulli i periudhës vikinge. Ajo komunikon me fuqitë e mbinatyrshme që udhëheqin tokën. Kultura femërore ishte ndërtuar mbi artin e profecisë, të magjisë dhe të mjekësisë.

Kristianizmi shndërroi thelbin e jetës dhe mendësinë e kohës. Tashmë, jetën e sillte burri, përmes figurës së Adamit, më saktë duke u konfiguruar te brinja e tij. Gruaja do t’i shërbente atij dhe popullimit të tokës, duke u zhveshur kështu nga gjithçka hyjnore brenda saj.

Paganizmi e shihte femrën trup e shpirt të pandarë. Amësia gjykohej si një pjesë natyrale e ciklit jetësor femëror dhe jo si kundërshtia negative e virgjërisë.

Seksualiteti nuk mbante mbi supe peshën e mëkatit dhe gruaja nuk qëndronte aspak, më poshtë se sa burri. Mendimet që kristianizmi nisi t’i servirë kulturës nordike ndryshuan thelbësisht perceptimin mbi gruan.

Eva ishte fajtorja mëkatare; ajo tundoi Adamin, pasi u tundua vetë më parë nga qoftëlargu Satana dhe krejt e kundërta e saj ishte Virgjëreshë Maria, shenjtorja që duhet të shlyejë mëkatet e kryera prej saj.

Tashmë këndet e kultit që dikur i kushtoheshin perëndeshës së pjellorisë, së bukurisë dhe të sensualitetit Freja, u zëvendësuan me altarët e Virgjëreshës, e cila është zhveshur nga seksualiteti dhe fuqia femërore.

Por, rrugëtimi i gjinisë së bukur vazhdon deri në të shkuarën e afërt, në periudhën e ”gjuetisë së shtrigave” dhe mban një emër, Anne Pedersdatter Beyer. Ajo ishte nga Bergeni i Norvegjisë, një grua mendjehapur, e bukur, e zgjuar dhe e artikuluar. Konsiderohet si shtriga më e përfolur në të gjithë siujdhesën skandinave.

Ana u akuzua në vitin 1575 për vrasjen e xhaxhait të burrit të saj, Peshkopit Gjeble Pedersson, duke ushtruar artin e magjisë, me qëllim që burri i saj të merrte atë post.

Duke shfrytëzuar lidhjet e tij me mbretin e Danimarkës, bashkëshorti i Anës arriti të fitonte faljen e saj. Megjithatë, pasi ishte akuzuar një herë për magji, ajo gjithnjë konsiderohej magjistare nga komuniteti. Jetonte e izoluar, dhe reagonte me polemika të ashpra ndaj thashethemeve, të cilat u rënduan gjithnjë e më shumë me kalimin e viteve.

Në mars të vitit 1590, ajo u akuzua për herë të dytë. Nuk pranoi kurrsesi të paraqitej në gjyq, ndaj e morën me forcë. Gjatë gjyqit, ajo u akuzua se kishte vrarë gjashtë persona përmes artit të magjisë. Dëshmitarë për këtë ishin miqtë dhe fqinjët. Madje, shërbëtorja e saj Elina e akuzoi Anën se e kishte përdorur si një kalë dhe kishte hipur mbi të, të shtunën e shtrigave, ditë në të cilën ato kishin planifikuar edhe djegien e qytetit. Të tjerë pohonin akoma se e kishin parë Anën në prani të demonëve.

Ndonëse gjatë gjyqit Ana shfaqi “vullnet, logjikë dhe aftësi”, ndaj saj nuk u tregua mëshirë. Akuzës së rëndë se kishte vrarë një fëmijë Claus Skinderin, ajo iu përgjigj: “Shumë fëmijë vdesin në qytet, unë nuk mund t’i kem vrarë të gjithë”.

Disa ministra të klerit të Bergenit që e mbështesnin Anën kundërshtuan ndaj gjykatësve, por ishte e kotë. Gjithsesi ajo u dënua me vdekje. Në Norvegji, shtrigat digjeshin të gjalla dhe ky vendim do të vlente dhe për Anën.

Gjatë rrugës së saj drejt ekzekutimit, ajo betohej për pafajësinë e saj, por ato betime ranë në vesh të shurdhër. Vendimi u ekzekutua.

Për të kuptuar panoramën e gjendjes së gruas në atë periudhë të errët siç ishte Mesjeta, mjafton të lexojmë një fragment të shkëputur nga botimi “Malleus Maleficarum” – “Çekiçi i shtrigës” që qarkullonte asokohe në Evropë: “Gruaja është më e hidhur se vdekja. Ajo është kurthi i gjuetarit, zemra e saj është një rrjetë dhe duart e saj kapin burrat. Ai që kënaq Zotin qëndron larg saj, kurse mëkatari zihet në grackën e saj. Satanai tundoi Evën në mëkat, më pas Eva ftoi Adamin të bëhej pjesë e tij. Pra, Eva, dhe jo Satanai duhet të fajësohet për mëkatin e Adamit. Që atëherë, gruaja është më djallëzore se vdekja, e cila shqetëson vetëm trupin, kurse mëkati, i cili vjen në botë me gruan, të vret shpirtin. Të krijuara nga një brinjë e shtrembër, gratë janë shndërruar në qenie të shtrembëra, dhe priren më shumë drejt djallit, sesa drejt së mirës”.

Edhe pse tashmë kanë kaluar rreth 500 vjet nga ato ngjarje makabre, sërish numri i viktimave të inkuizicionit mbetet i pasaktë. Shtrigat konsideroheshin heretike dhe si të tilla duheshin dënuar. Që në kohën e Hamurabit, ata që merreshin me magji dënoheshin rëndë. Kjo traditë u ndoq dhe në Greqinë Antike rreth vitit 338 p.e.s. Dikur shtrigat ishin të bukura e të zgjuara, shëruese dhe të artikuluara. Në ditët e sotme përshkruhen si plaka të shëmtuara, me një fshesë fluturuese, të veshura me të zeza që bënin keq dhe hanin njerëz të gjallë.

Pavarësisht se si qëndron e vërteta, gjuetia ndaj tyre ishte një tjetër gjenocid që ka kryer njeriu. Sepse të marrësh një jetë është njëlloj sikur të kesh vrarë të gjithë njerëzit, – shkruhet në librat e shenjtë.