LAJMI I FUNDIT:

Meta: Dialogu në mes Prishtinës dhe Beogradit duhet të kulmojë me njohjen e Kosovës nga Serbia

Meta: Dialogu në mes Prishtinës dhe Beogradit duhet të kulmojë me njohjen e Kosovës nga Serbia

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta në një analizë për “New Europe”, ka shkruar se Shqipëria është një partner i besueshëm dhe solid për agjendën euro-atlantike në Ballkan.

Meta gjithashtu ka folur edhe për marrëdhëniet e Shqipërisë me Kosovën, të cilat sipas tij janë shumë të ngushta dhe ngritur drejt një bashkëpunimi institucional më cilësor, përmes shkëmbimeve në të dyja anët e kufirit.


Shqipëria thekson Meta, do të vazhdojë të lobojë për më shumë njohje ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, ndërkohë që zotohet se Shqipëria do të çojë përpara agjendën e integrimit të saj në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare, transmeton KosovaPress.

“Kjo është e domosdoshme për qytetarët e Kosovës dhe jetike për të gjithë rajonin”, thekson Meta.

Ai ka shtuar se BE-ja nuk duhet ta vonojë më regjimin pa viza për qytetarët e Kosovës, ndërsa dialogu midis Serbisë dhe Kosovës duhet të avancojë me rezultate të prekshme dhe me një mirëkuptim konstruktiv dhe të ndërsjellë. “Shqipëria do të vazhdojë të nxisë normalizimin e plotë të marrëdhënieve Serbi-Kosovë, që duhet të kulmojnë me njohjen e Kosovës”, thekson Meta.

Më poshtë mund ta lexoni analizën e plotë e Metës:

Ndërkohë që viti 2016 i afrohet një fundi të trazuar, gjithnjë e më tepër bëhet e qartë se rendi ndërkombëtar, dhe në veçanti strukturat evropiane po përballen me sfida ekzistenciale shumë të mëdha dhe të paparashikueshme, me përmasa historike.

Ndërkohë që këto zhvillime të reja shtrihen dhe në 2017-në dhe përtej, ne, në Evropën Jug-Lindore, dhe veçanërisht në rajonin e Ballkanit, duhet të sigurohemi që vlerat themeluese të Bashkimit Evropian dhe angazhimet Trans-Atlantike, pavarësisht sfidave aktuale, të çohen përpara dhe të përhapen në jetën tonë institucionale dhe politike.

Shqipëria, një vend modest i Evropës Jug-Lindore, po ecën në mënyrë të qëndrueshme në rrugëtimin e saj drejt integrimit evropian, pavarësisht sfidave të veta dhe lodhjes nga zgjerimi, me të cilin po përballet BE-ja.

Nga fundi i vitit 2016 Shqipëria ka marrë nga Komisioni Evropian rekomandimin pozitiv për hapjen e bisedimeve të pranimit për anëtarësimin në BE, i dhënë nga vendet anëtare në takimin e dhjetorit të Këshillit Evropian, në Bruksel, me kushtin që vendi të avancojë me zbatimin e “Reformës në Drejtësi”, një moment historik dhe vendimtar, që do të rindërtojë të gjithë sistemin e drejtësisë dhe shpresojmë ta riorganizojë për mirë.

Një klimë e brendshme politike më konstruktive dhe bashkëpunuese, veçanërisht në lidhje me çështjet evropiane do t’i shërbente peshës së pamohueshme të Shqipërisë në rajon dhe përtej.

Unë, nën përgjegjësinë time si Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë që nga viti 2013, kam punuar për të inkurajuar klasën tonë politike drejt një konsensusi të dakorduar si gentelmen, në mënyrë që kur bëhet fjalë për vendime të politikës tonë të jashtme dhe asaj rajonale, ne duhet të jemi të bashkuar për të projektuar një vizion kombëtar të qartë, të fortë dhe të pakundërshtueshëm.

Shqipëria, megjithëse një vend modest sa i përket aspektit gjeografik, duhet të luajë një rol specifik në Ballkan.

Kjo jo vetëm për shkak të popullsisë etnike shqiptare që rrethon kufijtë e saj në Mal të Zi, Kosovë, Maqedoni dhe Serbinë Jugore, por gjithashtu për shkak se Shqipëria është, pa dyshim, vendi më pro euro-atlantik në rajon dhe, si i tillë, mbart një përgjegjësi të veçantë për të avancuar me agjendën Trans-Atlantike në rajonin tonë të brishtë.

Që nga rënia e komunizmit, periudha e tranzicionit të Evropës Jug-Lindore është e ndikuar fort nga agjenda më e gjerë Euro-Atlantike, me secilin vend që aspiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Nga ana tjetër, vetë Bashkimi Evropian dhe transformimi i NATO-s pas Luftës së Ftohtë janë ndikuar së tepërmi nga zhvillimet në rajonin tonë, gjë që dëshmon rëndësinë e tij të pamohueshme gjeo-strategjike.

Kjo bëhet akoma më e rëndësishme për vitin e ardhshëm dhe dekadën e ardhshme, ndërkohë që aktorë të ndryshëm botërorë konkurrojnë për të zgjeruar ndikimin e tyre në të gjithë rajonin. Siç është treguar këto dy vitet e fundit nga kriza e paprecedentë e emigracionit dhe sulmet terroriste, Evropa si një e tërë duhet të jetë më e bashkuar, më e koordinuar dhe më e mirë- përgatitur për zhvillime të mundshme destabilizuese, të përmasave njerëzore shumë të mëdha.

Pasiguria, paqëndrueshmëria dhe mospajtimi në atë se si i trajtojmë sfidat e së ardhmes me siguri do të rrisin pasigurinë për shoqëritë tona dhe do të vazhdojnë të shtyjnë qytetarët e dëshpëruar të Evropës të mbështesin alternativat politike nacionaliste, populiste dhe ksenofobe, gjë që mund të vejë në pikëpyetje të gjithë rendin perëndimor.

Brexit ishte kambana e parë e alarmit për një rend të ri e të pasigurt në Evropë, dhe zgjedhjet e ardhshme në Holandë, Francë dhe Gjermani rrisin frikën se një Bashkim Evropian i dobësuar mund të mos jetë i mirë për pjesën tjetër të Evropës, dhe sigurisht që nuk do të ishte i mirë për pjesën tonë të botës që historikisht është shqyer mes Perëndimit dhe Lindjes.

Në këtë kuadër, Shqipëria duhet të forcojë politikën e saj të jashtme dhe rajonale, tradicionalisht pozitive dhe konstruktive, me një sens më të mprehtë qasjeje vizionare, të palëkundur në besimin tonë të sinqertë se integrimi i plotë i të gjithë fqinjëve tanë në BE dhe në NATO do ti shërbejë, jo vetëm të ardhmes së qytetarëve tanë, por dhe do të forcojë sigurinë dhe stabilitetin e një kontinenti të tërë. Besimplotë në aleancën tonë strategjike me Shtetet e Bashkuara, të cilën do të vazhdojmë ta çojmë më tej me administratën e re amerikane, dhe të sigurt për integrimin tonë të plotë në Bashkimin Evropian, mbështetemi në një partneritet të fortë dhe të shëndetshëm Trans-Atlantik.

Kjo do të thotë një Evropë e qëndrueshme dhe tërësisht e plotësuar me Ballkanin, si pjesë integrale e saj, dhe një NATO e fortë dhe efikase.

Shqipëria do të vazhdojë të punojë kundër çdo alternative nacionaliste apo populiste në rajonin tonë, e bindur se vetëm një rajon i hapur, demokratik dhe pluralist, pa pengesa garanton stabilitet, siguri dhe progres social për shoqëritë tona.

Të udhëhequr nga parimet e pandryshuara të marrëdhënieve të hapura, të sinqerta dhe të fqinjësisë së mirë, ne do të vazhdojmë të mbështesim përshpejtimin e integrimit Euro-Atlantik të të gjithë fqinjëve tanë, si e vetmja alternativë që forcon paqen dhe sigurinë për të ardhmen.

Kjo është arsyeja pse Kuvendi i Shqipërisë ishte ndër të parët që ratifikoi Protokollin e Anëtarësimit të Malit të Zi në NATO, të kënaqur se anëtarësimi në Aleancë i mikut tonë verior do të plotësojë një koridor bregdetar Adriatik-Jonian tërësisht të sigurt dhe të garantuar.

Ne do të vazhdojmë të intensifikojmë bashkëpunimin tonë të shkëlqyer me Malin e Zi dhe do të mbështetemi tek minoriteti shqiptar atje, si një urë e shkëlqyer miqësie dhe partneriteti.

Marrëdhëniet tona shumë të ngushta me Kosovën janë ngritur drejt një bashkëpunimi institucional më cilësor, përmes shkëmbimeve në të dyja anët e kufirit.

Shqipëria do të vazhdojë të lobojë për më shumë njohje ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, ndërkohë që do të çojmë përpara agjendën e integrimit të saj në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare. Kjo është e domosdoshme për qytetarët e Kosovës dhe jetike për të gjithë rajonin.

BE-ja nuk duhet ta vonojë më regjimin pa viza për qytetarët e Kosovës, ndërsa dialogu midis Serbisë dhe Kosovës duhet të avancojë me rezultate të prekshme dhe me një mirëkuptim konstruktiv dhe të ndërsjellë. Shqipëria do të vazhdojë të nxisë normalizimin e plotë të marrëdhënieve Serbi-Kosovë, që duhet të kulmojnë me njohjen e Kosovës.

Shqipëria duhet dhe do të vazhdojë të nxisë marrëdhënie më të ngushta dhe më të hapura me Serbinë, pasi nëse rajoni do të përparojë, ai duhet të hedhë pas krahëve zakonet dhe barrierat e vjetra, dhe të ecë përpara drejt shkëmbimeve më të shumta politike, kulturore, tregtare dhe ekonomike.

Angazhimi i sinqertë nga Tirana, qoftë me homologët tanë në Beograd, apo me përfaqësuesit tanë shqiptarë në Luginën e Preshevës në Jug të Serbisë, gjithmonë i ka drejtuar marrëdhëniet drejt një prirjeje pozitive.

Ndërkohë, Shqipëria do të vazhdojë të rrisë kontributin e saj për një Maqedoni të qëndrueshme dhe të zhvilluar, e cila ka nevojë të integrohet plotësisht në NATO dhe në BE. Kuvendi i Shqipërisë do të vazhdojë të inkurajojë faktorin e rëndësishëm etnik shqiptar që të jetë një forcë shtytëse për integrimin evropian dhe për një orientim të qartë euro-atlantik.

Në trend Lajme

Më shumë
Arratiset Enver Sekiraqa, Policia ka informuar të gjitha vendkalimet kufitare

Arratiset Enver Sekiraqa, Policia ka informuar të gjitha vendkalimet kufitare

Drejtësi
Goditen grupet kriminale në Shqipëri, sekuestrohen pasuri në vlerë 4.5 milionë euro, arrestohen 50 persona

Goditen grupet kriminale në Shqipëri, sekuestrohen pasuri në vlerë 4.5 milionë euro, arrestohen 50 persona

Lajme
U raportua se tregoi para Policisë së Serbisë të dhëna për UÇK-në, Durmishi: Është dokument i falsifikuar, jo deklaratë e imja - nuk shantazhohem dot nga UDB-ja

U raportua se tregoi para Policisë së Serbisë të dhëna për UÇK-në, Durmishi: Është dokument i falsifikuar, jo deklaratë e imja - nuk shantazhohem dot nga UDB-ja

Lajme
Rrëshqet dheu në rrugën Klinë - Gjakovë, bllokohet qarkullimi i automjeteve

Rrëshqet dheu në rrugën Klinë - Gjakovë, bllokohet qarkullimi i automjeteve

Lajme
Ahmeti: Nuk duhet të hapim front midis shqiptarëve dhe maqedonasve

Ahmeti: Nuk duhet të hapim front midis shqiptarëve dhe maqedonasve

Politikë
Kurti priti në takim udhëheqësit e koalicionit VLEN, i përgëzon për rezultatin zgjedhor në Maqedoninë e Veriut

Kurti priti në takim udhëheqësit e koalicionit VLEN, i përgëzon për rezultatin zgjedhor në Maqedoninë e Veriut

Politikë
Kalo në kategori