LAJMI I FUNDIT:

MEPSO duhet t’i paguajë BERZH-it 800 mijë euro për projekte të parealizuara

MEPSO duhet t’i paguajë BERZH-it 800 mijë euro për projekte të parealizuara

MEPSO duhet t’i paguajë penale Bankës Evropiane për Ripërtëritje dhe Zhvillim (BERZH) në vlerë prej pothuajse 800.000 euro për shkak të fillimit jo në kohë të projekteve për të cilat kompania ka marrë hua nga banka, në vlerë prej rreth 50 milionë eurosh.

Kjo, siç thekson drejtori i përgjithshëm dhe kryetar i KD të SHA MEPSO, Sasho Vasilevski, në intervistë për AIM, është notuar në vërejtjet në raportin preliminar të Entit Shtetëror për Revizion (ESHR) për punë materialo-financiare të kompanisë, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Revizionin e ka porositur menaxhmenti paraprak i MEPSO-s, ndërsa rezultatet janë konfirmuar edhe në revizionin intern që e kanë zbatuar të gjithë drejtorët resorë gjatë pranim-dorëzimit të funksioneve me kërkesë të menaxhmentit të ri.

“Para rreth dhjetë ditëve kishim takim me përfaqësues të ESHR-së, për shkak se në pajtueshmëri të rregullave të punës së tyre, para përgatitjes përfundimtare të raportit ata praktikojnë që edhe menaxhmentit paraprak por edhe atij të ri t’ua prezantojnë vërejtjet që të mundet menxhmenti paraprak, që ishte i përfshirë në revizion, të kërkojë korrigjim dhe t’i tregojë vërejtjet e tij para se të finalizohet dokumenti. Një nga vërejtjet më të rëndësishme është se MEPSO duhet t’i paguajë penale BERZH-it për shkak të fillimit jo në kohë të projekteve për të cilët MEPSO ka marrë hua nga banka”, saktësoi Vasilevski.

Raporti i ESHR-së, thuhet, ende zyrtarisht nuk është gati, ndërsa pritet që versioni final t’i dërgohet MEPSO-s deri në fund të muajit ose në fillim të muajit të ardhshëm.

Në intervistë për AIM, drejtori i përgjithshëm i MEPSO-s foli edhe për procedurën për heqjen e largpërçuesit të MEPSO-s për shkak të së cilit nuk është lëshuar në qarkullim autostrada nga Demir Kapia deri në Smokvicë, revitalizimin e Trafostacionit Dubrovë, lidhjen interkonektive me Shqipërinë, projektet kapitale që planifikohet të realizohen në periudhën e ardhshme./Telegrafi/