LAJMI I FUNDIT:

Menaxhmenti i Ferronikelit i njofton anëtarët e Komisionit për Ekonomi me propozimet e tyre për tejkalim të krizës

Menaxhmenti i Ferronikelit i njofton anëtarët e Komisionit për Ekonomi me propozimet e tyre për tejkalim të krizës

Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti së bashku me menaxhmentin e ndërmarrjes Ferronikeli kanë diskutuar për gjendjen e kësaj ndërmarrje, e cila ka ndaluar punën që nga 8 tetori i vitit të kaluar për shkak të krizës energjetike. Udhëheqësit e kësaj ndërmarrjeje ofruan disa propozime për tejkalimin e kësaj krize, e që ndër to ishte që të furnizoheshin për 30-40 për qind me energji elektrike vendore me çmim siç paguajnë bizneset tjera në Kosovë.

Drejtori Genci Beribashi u shpreh se për 850 punëtorët e kësaj ndërmarrje kanë arritur të paguajnë 50 për qind të pagës së tyre. Ai para anëtarëve të Komisionit ka prezantuar tri propozimet e tyre për tejkalim të kësaj krize.

Ndërsa, theksoi se ndërprerja e veprimtarisë së kësaj ndërmarrje ka prekur direkt 100 punëtorët që ishin të lidhur me zbatueshmërinë e planit të investimeve.

“Në 8 tetor 2021 ne kemi pasur rreth 950 punonjës që punonin në mënyrë direkte për Ferronikelin me kontrata, rreth 100 prej tyre kanë qenë të lidhur me zbatueshmërinë e planit të investimeve që ne kishim në mes, qëllimi ishte për ta finalizuar në muajin dhjetor 2021 që nuk u arrit dhe të parët që u impaktuan ishin këta 100 punëtorët që ishin të lidhur me implementimin e projekteve e me kontrata shumë afatshkurta. Që nga ai moment 850 punëtorët tjerë të mbetur janë vazhduar dhe kanë të njëjtat punë aktualisht, u është ruajtur kontrata kemi plotësuar pagesën me 50 për qind të pagës për rreth 85 për qind të punonjësve përtej një numri që janë punonjësit esencialë dhe të cilët vazhdojnë të jenë të angazhuar në mënyrë të vazhdueshme në fabrikë“, tha Beribashi.

Ai u shpreh se kjo krizë mund të tejkalohet duke marr 30-40 për qind të nevojës të tyre të energjisë nga gjenerimi vendor me çmim sikurse bizneset tjera, pastaj të bëhet suspendimi i përkohshëm i liberalizimit të tregut energjetik për një periudhë gjashtë mujore.

Protestojnë punëtorët e Ferronikelit, tentuan të hyjnë në ndërtesën e Kuvendit - ndalohen nga policia
Lexo po ashtu Protestojnë punëtorët e Ferronikelit, tentuan të hyjnë në ndërtesën e Kuvendit - ndalohen nga policia

Ndërsa, shtoi se edhe garantimi i pronës së tyre është kërkesë tjetër.

“Ne kemi propozuar që një zgjidhje është të marrim 30-40 për qind të nevojës sonë të operimit nga gjenerimet vendore me një çmim të tarifës ashtu siç paguan çdo biznes tjetër në Kosovë i ndryshëm nga Ferronikeli apo një pezullim të përkohshëm të liberalizimit të tregut ku janë vetëm tri kompani në Kosovë. Suspendimi i përkohshëm i liberalizimit të tregut energjetik për një periudhë gjashtë mujore pikërisht gjatë periudhës kur Kosova ka kapacitete gjeneruese më të larta se nevoja vendore me çmime duke krijuar një tarifë të re industriale vetëm për këta tre konsumatorë vendorë. Lidhur me rentën minerare është të angazhohen institucionet përkatëse duke filluar nga KPMM-ja në këtë rast në vlerësim të rentës minerare. Dhe, e treta, garantimi i pronës private, kam një pronë private të certifikuar nga institucionet e këtij vendi, e cila nuk më garantohet të kryej operimin tim normal. Nuk e di ku është shteti i së drejtës, prona është baza e një shteti”, shtoi Beribashi.

Ai ka theksuar se nga institucionet e Kosovës nuk kanë kërkuar furnizim me energji nga gjenerimi vendor gjatë dimrit, por gjatë periudhës së pranverës.

“Megjithatë në të gjitha propozimet tona nuk kemi kërkuar asnjëherë bashkëpunim apo mundësi të furnizimit me energji nga gjenerimet vendore gjatë periudhës së dimrit pasi e dimë që niveli i konsumit është më i lartë sesa i gjenerimit. Por në të gjitha rastet kemi kërkuar një bashkëpunim gjatë periudhës së pranverës duke filluar nga marsi e prilli, është evidente dhe e ditur që gjenerimet në Kosovë i tejkalojnë ndjeshëm nevojën e konsumit vendor dhe pse këto kapacitete të shkojnë për eksport me çmime të pakontrolluara kur mund të orientohen tek kompania e cila përfaqëson, dhe e cila është një shtyllë kryesore e ekonomisë kosovare”, theksoi ai.

Drejtori i përgjithshëm i kësaj ndërmarrje u shpreh se Qeveria ka mbështetur dhe subvencionuar rrymën për të gjitha bizneset tjera përveç tri kompanive që funksionojnë në treg të liberalizuar përfshirë edhe Ferronikelin.

Protestojnë punëtorët e “Ferronikel-it”, kërkojnë të rikthehen në vendin e punës
Lexo po ashtu Protestojnë punëtorët e “Ferronikel-it”, kërkojnë të rikthehen në vendin e punës

Sipas tij, ndërmarrja që ai udhëheqë është harruar në një treg të liberalizuar.

“U bënë 6 muaj që Ferronikeli nuk po punon dhe nuk është dëgjuar asnjë kompani tjetër kosovare të ketë ndaluar prodhimin, është pyetja e thjesht pasi askush nuk ndikohet si Ferronikeli në bazë të çmimeve të energjisë së bursës ndërkombëtare. Çdo kompanie tjetër në Kosovë iu është garantuar funksionaliteti, u është subvencionuar tarifa e energjisë elektrike. Ferronikeli është pjesë e tre kompanive të tjera të cilat në Kosovë që janë në një sektor të liberalizuar të energjisë. Që do të thotë, ne nuk marrim asnjë kilovat nga gjenerimet vendore. Nëse në Kosovë janë 100 mijë biznese aktive, 99 mijë e 997 biznese janë me tarifë të subvencionuar dhe mbrojtur nga Qeveria e Kosovës, përfitojnë nga mbrojtja që u është dhënë nga Qeveria dhe vetëm Ferronikeli që është një akter kaq i rëndësishëm i ekonomisë është lënë dhe është harruar në një treg të liberalizuar kur e dimë shumë mirë se krizën energjetike që përballet e gjithë Evropa dhe niveli global. Kosova ka kapacitete të prodhimit të energjisë”, tha Beribashi.

Kurse, kryesuesi i Bordit të Ferronikelit, Steven Grunerud theksoi se përkundër përpjekjeve të tyre nuk kanë gjetur ndonjë përgjigje nga institucionet vendore për ta ndaluar këtë krizë.

Grunerud kërkoi që Komisioni për Ekonomi të marr rolin udhëheqës dhe t’i ndihmojë në zgjidhjen e problemit me qëllim që 850 punëtorët e kësaj ndërmarrje të mos mbesin të papunë.

“Jemi këtu që Komisioni të merr rolin udhëheqës dhe të mundohet të na ndihmojë të zgjedhim këtë çështje dhe t’i vendosin 850 punëtorë direkt dhe 1 mijë të tjerë indirekt t’i kthejmë në punë. Mesatarja e punëtorëve të Ferronikelit është mbi 50 vjeç dhe ne po mundohemi të punësojmë inxhinierë të rinj që t’i mbajmë të rinjtë në Kosovë në vend që të emigrojnë në Gjermani apo në ndonjë vend tjetër por prapë nuk kemi marr përgjigje. Ne vërtet kërkojmë nga Komisioni të merr rolin udhëheqës. Kur ka startuar kriza energjetike në vjeshtë ne e dinim që do kalonim një periudhës të vështirë sidomos gjatë dimrit nuk kemi pritur ndonjë mbështetje gjatë kësaj periudhe, por kemi pritur që gjatë muajit prill apo mars të gjejmë ndonjë zgjidhje por për gjashtë muaj kemi tentuar por pa ndonjë përgjigje”, kërkoi Grunerud.

Anëtarja e Komisionit për Ekonomi nga Lëvizja Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila kërkoi të di rreth të hyrave dhe fitimeve të Ferronikelit dhe përfitimet që kjo kompani ka pasur nga Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike.

Ajo i interesua të di edhe për investimet që janë bërë në shifrën prej 50 milionëve në këtë kompani.

“Pasqyrat tuaja financiare të audituara duhet të ishin publike për Ferronikelin duke përfshirë qarkullim vjetor, fitimin dhe pastaj reflektimet e qarkullimeve dhe fitimet në pagat e punëtorëve dhe investimet në Ferronikel. Sa është shuma që kompania juaj ka përfituar nga institucionet e Kosovës si rrjedhojë e ligjit për rimëkëmbje, gjegjësisht në numër të punëtorëve, në mospagesë të rentës minerare që ka qenë pjesë e Ligjit të rimëkëmbjes në vitin 2020 dhe në mospagesë për energji të ripërtërishme”, pyeti ajo.

E drejtori i përgjithshëm i kësaj ndërmarrje, në përgjigjen e tij tha se këto të dhëna nuk i ka sot por është i gatshëm t’ua shpalos kurdo që Komisioni është i gatshëm.

Sipas tij të dhënat e tyre janë shumë transparente, por u shpreh se rezultatet e kompanisë nuk kanë qenë me fitim.

Kriza energjetike në Evropë po rrezikon mijëra paga në Kosovë
Lexo po ashtu Kriza energjetike në Evropë po rrezikon mijëra paga në Kosovë

“Të gjithë numrat nuk i kam këtu dhe jam në disponim që nga nesër të kemi një takim të dytë ku mund tu pasqyroj një pasqyrë shumë transparente të investimeve të bëra, të rezultatit të kompanisë që nga dita kur e kemi marr. Është lehtësisht e qasshme edhe nga ju sepse ne jemi 100 për qind të deklaruar në Kosovë dhe normalisht të dhënat tona janë shumë transparente qoftë në Agjencinë e Statistikave të Kosovës. Jam në gjendje që në kohë sa më të shkurtër kurdo që keni mundësi si komision t’ua pasqyroj të gjithë investimet në mënyrë të detajuar dhe rezultatet e kompanisë që besomëni nuk kanë qenë me fitim gjatë kësaj periudhe”, theksoi ai.

E Valentina Bunjaku nga LDK u interesua të di më shumë për gjendjen e punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje.

Sipas saj Qeveria e Kosovës duhet të subvencionojë punëtorët e Ferronikelit.

“Mua po më duket se kur është në pyetje Ferronikeli ju po doni me qenë të privilegjuar nga Qeveria kur kemi krizë, a ndërsa fitimi është i juaji kur jeni në rregull, unë kështu po e shoh. Sa na përket neve si grupe politike këtu në këtë takim ma shqetësuese është gjendja e punëtorëve. Ka qenë fortë e dhimbshme protesta e punëtorëve dhe nëse duhet të ndihmohen unë mendoj se si Qeveri duhet të subvencionohen ata, të ndihmohen ata punëtorët që kanë dalë në grevë“, theksoi Bunjaku.

Ndërsa, lidhur me mundësitë për investime në energji të ripërtërishme përmes erës apo asaj solare nga menaxhmenti i Ferronikelit u shprehën se ato nuk janë shumë të përshtatshme për industrinë e tyre dhe kanë kosto të lartë investimi.

Lidhur me shqetësimet që i kishin paraqitur Sindikata e Punëtorëve të ndërmarrjes Ferronikeli se nuk është investuar në furrat pjekëse, menaxhmenti tha se njëra furrë ka një vit që është rinovuar ndërsa një furrë tjerë tha se ka qenë 70 për qind funksionale por tani ka mbetur e papërfunduar për shkak të situatës.

Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti ka miratuar edhe disa amandamente të Projektligjit për mbrojtjen e konkurrencës. /KP/