Melania Trump zbulon çfarë adhuronte si vajzë gjatë fëmijërisë në Slloveni

Një kujtim nga Sevnica, i lidhur ngushtë me të atin, zbuloi një anë të saj që rrallëherë është përmendur publikisht
Melania Trump ka zbuluar një detaj më pak të njohur nga fëmijëria e saj në Slloveni – dashurinë për automobilat dhe garat me makina.
Gjatë një interviste të rrallë drejtpërdrejt në garën IndyCar Freedom 250 në Washington, më 23 gusht, ajo tregoi se këtë pasion ia kishte përcjellë i ati, Viktor Knavs.
Në bisedën me komentatoren e Fox Sports, Jamie Little, Melania kujtoi se ishte pikërisht i ati ai që e kishte futur në botën e garave dhe makinave sportive.
“Teksa rritesha, babai më prezantoi me botën e garave dhe makinave të garave”, tregoi ajo.
Melania kujtoi se i ati kishte pasur një koleksion mbresëlënës automjetesh, ndër të cilat Maserati, Cougar, Mustang dhe Mercedes.
Ajo tha se, përmes tij, ishte njohur jo vetëm me shpejtësinë, por edhe me dizajnin dhe mekanikën e automobilave.
Melania, e cila u rrit në Sevnica, tregoi se e kishte shijuar çdo minutë të garës në Washington, duke dëshmuar se interesimi për automobilat e ka shoqëruar që nga fëmijëria, transmeton Telegrafi.

Babai merrej me makina, nëna punonte në industrinë e tekstilit
Ndërsa Viktor Knavs ishte i lidhur profesionalisht me shitjen e automobilave, nëna e Melanias, Amalija Knavs, punonte në industrinë e tekstilit.
Melania u rrit në Sevnica së bashku me prindërit dhe motrën e saj, Ines, ndërsa më vonë ndoqi shkollimin në Ljubljanë dhe nisi të ndërtonte karrierën në modelim.
Më pas ajo vazhdoi karrierën jashtë Sllovenisë dhe u zhvendos në New York në vitin 1996. Dy vjet më vonë u njoh me Donald Trumpin, me të cilin u martua në vitin 2005.

Vizita në garë kishte edhe një qëllim humanitar
Prania e Melania Trumpit në Freedom 250 nuk lidhej vetëm me pasionin e saj për automobilat.
Ajo shfrytëzoi rastin për të promovuar iniciativën “Fostering the Future”, e cila mbështet të rinjtë që vijnë nga sistemi i kujdestarisë sociale, duke u ofruar mundësi më të mira për arsimim dhe zhvillim profesional.
Pak ditë para garës, në Shtëpinë e Bardhë u njoftua zgjerimi i kësaj nisme. IndyCar dhe Fox Corporation kanë dhuruar dy milionë dollarë për bursa në Indiana University dhe Purdue University, ndërsa rrjeti tashmë përfshin 26 institucione akademike në SHBA.
Melania u bëri thirrje edhe guvernatorëve në mbarë vendin që të mbështesin të rinjtë që dalin nga sistemi i kujdestarisë.
Gara Freedom 250 në Washington u zhvillua në kuadër të aktiviteteve për 250-vjetorin e Shteteve të Bashkuara dhe u ndoq edhe nga presidenti Donald Trump dhe anëtarë të tjerë të familjes. /Telegrafi/




































