LAJMI I FUNDIT:

“Meister”, qendra e parë në Kosovë për aftësim dhe kualifikim të punëtorëve (Video)

“Meister”, qendra e parë në Kosovë për aftësim dhe kualifikim të punëtorëve (Video)

Në Kosovë është hapur qendra e parë për trajnim profesional “Meister” me qëllim që kompanitë të furnizohen me punëtorë të kualifikuar. Ky projekt është bashkëpunim i disa kompanive të Austrisë, Zvicrës, Gjermanisë e Kosovës

Kosova tashmë ka qendrën e parë të trajnimit profesional “Meister”, e cila është e para e llojit të saj ne rajon dhe ka për qëllim forcimin dhe zhvillimin e ekonomisë në vend, raporton RTV Dukagjini.


Ambasadori i Austrisë në Kosovë tha se përfituesit e kësaj qendre janë rinia e vendit.

“Ideja kryesore që po promovojmë sot është ta ndihmojmë Kosovën në përpjekjet e saj për të përdorur një nga burimet më të mëdha, mendjet e të rinjve dhe sot do e hapim një qendër ku të rinjtë e të rejat të trajnohen në profilet tona me 20% teori  dhe 30% praktikë”, tha Gernot Pfandler.

Ambasadori gjerman Christian Heldt tha se tre vende janë bashkuar për siguruar punë dhe kualifikime sektorit privat.

“Meister në tri shtetet tona për shekuj është sinonim i kualitetit ne fuqinë  punëtore dhe  bashkëpunimit dhe për këtë arsye kemi dashur ta promovojmë në Kosovë sepse ky treg ka nevojë për student të kualifikuar që ta rregullojnë strukturën ekonomike të këtij vendi”, tha Christian Heldt, përcjell Telegrafi.

Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Eset Sahiti tha se është shumë  falënderues donatorëve të jashtëm.

“Ministria e Arsimit me përkrahje edhe të donatorëve ka për qëllim ngritjen e cilësisë në sistemin e arsimit profesional me qëllim përgatitjen e të rinjve për tregun e punës duke iu afruar atyre arsim cilësor, infrastrukturë dhe ndërlidhje me biznesin privat”, tha Eset Sahiti.

Profilet që janë pjesë e kësaj shkolle janë:  Mekatronika, Termoteknika, Hidroteknika e Energjetika të cilat  janë bazuar në kërkesat e sektorit privat dhe tregut të punës./Telegrafi/