LAJMI I FUNDIT:

Mehmet Rukiqi – studiuesi i mençurisë së popullit

Mehmet Rukiqi – studiuesi i mençurisë së popullit

Treva e Drenicës, por edhe mbarë Kosova, janë djepi i mençurisë gojore dhe i një filozofie të hollë popullore. Kjo mençuri, plot simbolikë, ka mbartur në vete edhe shumë politikë. Madje, odat tona kanë qenë “kuvende” popullore, ku janë marrë vendime edhe për çështje madhore. Mehmet Rukiqi është ndër studiuesit e pakët, që këtë mençuri e barti brez pas brezi, në formë të treguar dhe të shkruar.

Një dhunti e lindur e popullit shqiptar për një mençuri të tillë, tek të tjerët popuj haset shumë rrallë. Kësisoj, Kosova nëpër shekuj e ka thelluar, e ka kultivuar, trashëguar dhe begatuar këtë thesar, që është një margaritari cili do t’i përballojë kohës, pse jo edhe epokës.

Me studiuesin e zellshëm të folklorit burimor, dr. Mehmet Rukiqin, biseduam pikërisht për këtë thesar dhe për rëndësinë e dobinë që ka luajtur mençuria jonë popullore nëpër kapërcyell të kohës. Ja si përgjigjet ai për këtë fenomen të rrallë.


Z. Mehmet, ju jeni ndër të pakët dhe të rrallët (nga të gjallët) që vilni thesarin e paçmuar të mençurisë së popullit të Drenicës. Çka paraqet ky thesar dhe sa keni arritur që ta studioni dhe hulumtoni atë?
Thesari është visar, tërësie vlerave materiale e kulturore të një populli a vendi. Mençuria qëndron në kuadër të këtij thesari e filozofia nënkupton dashurinë ndaj mençurisë.

Në kuptimin e mençurisë, krijimet popullore në prozë e poezi janë enciklopedi e urtisë. Mençuria është si lulja e dituria është si vada. Mungesa e shkollimit, nga mund të merret dituria, i ka sjellur mungesa edhe mençurisë. Mençuria është filozofi unike jetësore. Është mbretëria e filozofisë dhe e të gjitha arteve. “Gjithçka është mençuri, është krijim, e gjithçka është krijim është mençuri”, pohonte Hegeli.

Tradita popullore përmban historinë gojore të popullit shqiptar, me shumicën e ngjarjeve dhe të personaliteteve luftarake, për mbrojtjen e atdheut kundër agresorëve. Përmban folklorin; përbëhet nga tërësia e arteve popullore, nga besimet e ceremonitë, fjalët e urta e këngët, legjendat e lojërat, mitet, muzika, doket e zakonet. Ajo përmbush funksionin filozofik;siguron kompaktësinë kulturore;përvetësohet që nga fëmijëria;pasqyron etapa të jetës, lindjen, moshën rinore, martesën e vdekjen. Kudo shprehet edhe funksioni moral sepse dalin personazhe që kapërcejnë kufijtë shoqëror e biologjikë, si kreshnikët, zanat, dragojtë etj.

Vepra ime është vetëm edhe një hap përpara drejt njohurisë së kulturës traditore shqiptare.

Krijuesit janë gjeni të popullit, me fuqi e mprehtësi të jashtëzakonshme mendore, me aftësi e talent të njeriut të madh. Janë krijues dhe interpretues në frymën e traditës. Gjuha e këngëtarëve dhe tregimtarëve është gjuhë popullore, me stil dhe figuracion të pasur, me shprehje të kondensuara e të konsoliduara. Është tërheqëse për dëgjuesit, me forcë bindëse të fjalës artistike. “Edhe poeti ynë më i madh, zbret poshtë, te populli dhe merr ujë te gurra e gjuhës së tij”, thoshte Çabej. Sintaksa e tyre mbështetet mbi baza logjike të ndërtimit të fjalisë.

Pyetjes se “sa kam arritur që ta studioj dhe hulumtoj këtë thesar të paçmueshëm”, mund t’i përgjigjem me “aq sa merr ujë nga deti, me një gotë”!

Çka e karakterizon Drenicën dhe cilat ishin figurat që i dhanë aq shumë filozofisë popullore shqiptare?
Drenica shtrihet në qendër të Kosovës. Është rajon kodrinor-malor. Blegtoria është degë kryesore ekonomike. Njerëzit kishin kohë më tepër se ata të regjioneve bujqësore, për tubime e biseda, mendime mençurie, aq më tepër për krijimin e letërsisë gojore dhe bartjen e traditës popullore.

Se Drenica ishte dhe vazhdon të mbetët djepi i mençurisë së popullit, e arsyetuan edhe shumë paraardhës dhe të tanishëm studimorë. Përkundër varfërisë dhe prapambeturisë së gjithanshme, folklori, në të gjitha format, ka qenë i vetmi prodhim artistik. Letërsia gojore ishte ushqim shpirtëror. Malësorët krijues dëshmuan aftësi për vështrimin e ngjarjeve dhe dukurive shoqërore, me një sy të mprehtë e mjaft objektiv.

U pasqyrua realiteti i vrazhdë. Në oda e tubime, gazmende e ceremoni i lëshuan fre imagjinatës së tyre të pasur, duke i kontribuuar zhvillimit mendor e psikik, duke ngritur virtytet më të larta, atdhedashurinë, besnikërinë e bujarinë, trimërinë e luftën.

Alois Shmaus, folklorist i mirënjohur gjerman, në një referat mbi hulumtimet e veta folkloristike në Drenicë, të botuara në një revistë në Beograd më 1934, shkruan: “Drenica është një rajon jashtëzakonisht interesant i jetës kulturore të popullit. E dallon, në veçanti, pasuria me këngët epike dhe proza popullore, me anekdota, fjalë të urta e filozofi popullore. Elemente të kulturave të huaja kanë depërtuar me vështirësi dhe fare pak ose aspak. Kurrë s’kanë ndikuar në traditën autoktone”.

Tatomir Vukanoviq, folklorist serb, po në këtë vit, më 1934, dy muaj qëndron në Drenicë. Ai shkruan për këngëtarët, këngët dhe mënyrën e të kënduarit. Njoftonte se kishte mbledhur nja pesëdhjetë këngë kreshnik e trimërie, që, si duket, i mbetën ende në dorëshkrim.

Më 1952/53, në Kosovë, dolën tri përmbledhje me “Këngë popullore shqiptare të Kosovë-Metohisë”. Bleni I, Këngë kreshnike; Bleni II, Këngë trimërie; dhe Bleni III, Këngë lirike. Prej tyre, 48 këngë u shënuan në Drenicë. Përmbledhës dhe redaktues ishte profesori i njohur Zekeria Rexha.

Këngëtarët më të shquar, që patën rast të njihen dhe të shkruhet për ta dhe këngët që i interpretuan, ishin: Ajet Paliqi i Çubrelit e Rustem Kabashi i Polacit, Xhemail Tali – Bajraktari me 20 këngë kreshnike, Dervish Goxhuli me dhjetëra këngë epike (shumicën i kishte hartuar vet), Malë Syla e Ibrahim Rexha të Kopiliqit, Januz Rukiqi i Vërbofcit, Ajet Mula i Klinës së Poshtme etj.

Anton Çetta, më 1957, fillon punën për mbledhjen e lëndës folklorike, sidomos të prozës popullore, nga të gjitha zhanret, në Drenicë. Veprimtaria e tij mori hov me rifillimin e punës së Institutit Albanologjik të Prishtinës. Ai mendonte se përkundër mendimit se në Drenicë mbizotëron epika historike, proza popullore është më e dendur, si: përrallat, përrallëzat, kallëzimet, anekdotat, fjalët e urta, pleqnitë etj.

Ju keni patur rastin të“njiheni” personalisht me burrat (filozofët) popullorë, sikurse janë Xhemail Obria, Ramadan Shabani, Mujë Loshi, Vesel Haxha, Xhemë Tërnovci, Hazir Rama, etj. Si i përshkruani këta kolosë të mendjes së ndritur, të cilët me mençurinë e tyre u bënë fanar të pashuar për breza e breza duke e mbajtur gjallë idenë e kombit dhe të ardhmen e tij?
Krijuesit dhe bartësit e thesarit tradicional popullor ishin personalitete më të afta në mjedise të caktuara, për të trashëguar, ruajtur dhe bartur traditën shekullore kombëtare të popullit të vet. Thuajse te secili paraqitet gjeniu popullor, me fuqi të jashtëzakonshme mendore, me talent e veprimtari krijuese të nivelit artistik dhe estetik. Ata shprehin mendime intuitive me përkushtim dhe shpesh me sakrifica. Në sjelljet e tyre reflektojnë virtytet më të larta njerëzore, etike, filozofike, psikologjike, po edhe shoqërore e politike.

Krijuesit popullor i dalloi: aktualiteti e altruizmi, angazhimi e arti i fjalës, atdhedashuria e autoriteti, besa e burrërisë, dinjiteti e dituria, drejtësia e durimi dispozitar, drejtësia e entuziazmi, e vërteta dhe frymëzimi, guximi intelektual e gjykimi humaniteti e ideali, inteligjenca e karakteri, mençuria e mendimet e shëndosha, mikpritja e morali, përvoja e popullarizimi, sinqeriteti e toleranca, trimëria e vendosmëria, vetëbesimi e vullneti i pathyeshëm dhe vizionariteti i pakrahasuar.

Të gjithë krijuesit dhe bartësit e thesarit popullor, në ndonjë pikëpamje, janë filozofë popullorë. Në Drenicë të rralla ishin fshatrat pa së paku një këngëtar a tregimtar popullor. Drenica njeh tre përfaqësues të filozofisë popullore, në tri periudha: Xhemail Obria (prej Lidhjes Shqiptare të Prizrenit – 1878 deri më 1908), Tahir Berisha (1908-1953), dhe Mujë Loshi (1953-1994).

Pas Anton Çettes, ju merreni si studiuesi më serioz i mbledhjes së folklorit në Drenicë, madje jeni edhe doktor i folklorit të kësaj treve. A mund të themi se Drenica është mjedisi më i pasur me mesele, folklor, traditë, trimëri, luftëra dhe simbolikë, aq më parë kur dihet se vendimet e mëdha janë marrë pikërisht në mexhliset e odave, sepse atome të drejtë janë quajtur edhe “kuvendet e popullit”.
Ekzistojnë mendime se Drenica është mjedisi më i pasur me folklor dhe traditë trimërie. Megjithatë, hulumtuesit dhe mbledhësit e folklorit, edhe në rajone të tjera kanë gjetur cilësi të ngjashme. Janë mbajtur kuvende të rëndësishme dhe misionare si në Marinë, komuna e Skenderajt, më 1903, në Kullë të Ahmet Delisë, më 1912, në Kullë të Shaban Polluzhës më 1945etj. Por, janë mbajtur edhe në Junik të Dukagjinit, në Morgull të Llapit nën drejtimin e Azem Galicës etj.

Folklori dhe historia jonë tashmë po bëhen edhe vlera të pranuara ndërkombëtarisht, madje një pjesë e tyre falë jush dhe punonjësve të tjerë shkencorë si Zymer Neziri, Drita Statovci, Rexhep Munishi, Muzafere Mustafa, Bahtir Sheholi, Adem, Zejnullahu etj. do të bëhen pjesë e UNESCO-s.
Dua t’i përmend edhe disa punëtorë shkencorë nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, që kontribuuan në këtë drejtim, si: Fazli Syla, Sadri Fetiu, Arbënore Dushi, Rrustem Berisha, Mehmet Halimi, Leontina Gega-Musa etj. Ndër bashkëpunëtorët e jashtëm të Institutit, përmenden Enver Mehmeti, Demush Shala, Kadri Halimi, Ukë Xhema etj. Zymer Neziri u angazhua për ta njohur opinionin e interesuar botëror për këngët kreshnike shqiptare. Mori pjesë në disa simpoziume shkencore në qendra të Evropës, në Amerikë etj. Pritet që së shpejti Eposi Kreshnik Shqiptar të jetë në mbrojtje të UNESCO-s.

U shpreh mirënjohje të thellë për punë dhe përkrahje të pakursyer në studimin e traditës popullore edhe profesorëve të nderuar nga Shqipëria: Qemal Haxhihasanit, Zihni Sakos, Mark Tirtës, Agron Xhagollit, Shaban Sinanitetj. Poashtu, nga Kosova edhe Mark Krasniqit, Shefqet Pllanës etj.

Ju jeni shumë i lidhur me këtë fushë, madje keni publikuar me dhjetëra publikime shkencore, pastaj përmbledhje me këngë folklorike, anekdota e xhevahire të tjera, të cilat i keni gjetur dhe i keni transmetuar me besnikëri e dashuri të madhe. Çka do të veçonit në punën tuaj dhe a mund të na përshkruani “sakrificën” për të krijuar një arkiv të tërë?
Përpos dhjetëra punimeve shkencore, kryesisht nga lëmi i folklorit dhe etnologjisë, u publikuan veprat monografike: “Krijues dhe bartës të tregimeve popullore në Drenicë”, 1998; “Tahir Berisha, mendimtar popullor”, 2008; “Azem Galica në traditën popullore”, 2013; “Këngë dasme”, I dhe II, 2009, me 1000 tituj dhe “Anekdota popullore” prej I-VII, 2001-2013 me 3500 tituj. Vështirësitë janë bërë të zakonshme. Organet kompetente qeveritare s’po lejojnë mjete të nevojshme për botimin e materialit që është i rrezikuar të asgjësohet. Më mungojnë thuajse të gjitha ndihmat e nevojshme materiale.

Jeni quajtur edhe studiues i pasionuar i mençurisë së popullit. A do të thotë se në një mënyrë se duke dëgjuar mençuri, edhe ju jeni diku aty?
Askush për vetveten s’mund të jep vlerësime. Përherë kam dëshiruar ta imitoj mençurinë popullore, bile edhe origjinalitetin e shprehjes. Vetëm këtu do ta përqendroja mimesisin e Aristotelit. Por,është e vështirë të harmonizohen dëshirat me mundësitë.

Mendja e popullit ka krijuar shumë perla të cilat janë bartur brez pas brezi. Me këtë rast do të dëshironim të na thoshit dy-tri batuta që juve ju kanë lënë mbresa dhe që janë shumë domethënëse për çdo periudhë kohore?
Batutë, nga italishtja battuta, do të thotë rënie të forta, si në veglat muzikore, në daulle e në defa; rënie të forta në ringun e boksit, të rëna verbale në dialogë të ndryshme etj. Dëgjohen edhe shprehjet rënie, gjuajtje, ngacmime ose rrahje me fjalë. Anekdota popullore shqiptare dallohen nga barsoletat e batutat italiane e nga vicat sllave ewitzat gjermane. Sidomos në anekdota reflektojnë rrethanat familjare me të gjitha ritet, doket e zakonet, rrethanat ekonomiko-shoqërore, elementet e kulturës popullore, pikëpamje etike, filozofike etj.
Po ju jep të shënuara dy anekdota.

Timuri, niherë po i thotë Nastarditit:
– A mund të besohet se devja fluturon sikur shpendi.?
– Po, veç ma së pari duhet m’e e gjetë budallën si i beson këtij fluturimi e tani me kallxue vakinë e ksaj pune.

Nastradinie muer edhe nigrue. Ajo si ish ma e vjetër, p’edvetë:
– A ma fort m’donmue a kit nusen e re?
– Të dyjave ju due njëjtë.
– Po me ra të dyja në deti, te cila vrapon ma përpara m’e nxjerrë?
– M’doket si ti din me notue fort mirë, e kjo e ngrata nuk din të noton edhe mbytet.

Ju keni marrë pjesë edhe në pajtimin dhe faljen e gjaqeve. Sigurisht, mençuria dhe gjeturia kanë luajtur rolin kryesor në shërimin e kësaj plage shumë shekullore. A mund të na veçoni ndonjë rast delikat ku vetëm shkathtësia juaj ka bërë që të shtrihej dora e pajtimit.
Xhemë Tërrnavci tregonte: Azem Galica me një pjesë të çetës, shkuen në Kolë Mekshaj të Malësisë së Shkodrës. U tubuan shumë burra. Hyzmeqari, na pruni kafe me tabull. Njanit ia dha kafen me dorë të shmajtë. Azemi e hetoi edhe i tha:
– Pse ja dhe kafen ashtu, atij burri?
– Se hala nuk e kam marrë gjakun e të vëllait, si ia ka vra një kojshi.
– E çka do t’u bajmë sa mijë gjaqeve, si na i kanë borxh serbët e malazezët.
– Paj…!
– Shko bjerjani një tjetër kafe edhe epja me dorë të djathtë- urdhëroi Azemi.
I damtuemi, për këtë gjest u qu në kambë, e përqafoi Azem Galicën dhe ia fali gjakun e vëllaut. Azemi, metë gjithë ata burra shkuan te dorasi. Të hasmuarit u muarën ngrykë.

Një shembull i tillë na ka ndihmuar veçanërisht në pajtimin e gjaqeve.

Pasuria mendore dhe gojore e një populli do të mbetej e pazbuluar pa lapsin tuaj. Çka ju ka shtyrë që t’i përkushtoheni kësaj fushe cila nuk ishte edhe aq e lehtë, sepse është dashur të udhëtoni shpesh dhe të mbani shënime “me thes”?
Edhe pa mua, ky thesar do të zbulohej dhe do të trajtohej. Oda e burrave, mençuria, tregimet dhe këngët popullore, më kanë nxitur t’i qasem kësaj veprimtarie që nga mosha 17 vjeçare. Vështirësitë ishin të shumëllojshme, si në udhëtimet e gjata, vetëm në këmbë, por edhe mungesa e materialit dhe mjeteve të nevojshme, ushqimi, gjumi nëpër odat e mikpritësve e mbi të gjitha përcjellja sistematike e organeve të sigurimit serb.

Keni shkruar edhe për trimëritë e Drenicës, sidomos për kryetrimin e kohës, Azem Bejtë Galicën. Është ky një studim që ofron dokumente të shumta për Azemin dhe bashkëshorten e bashkëluftëtaren e tij, Shotën. Si pasqyrohet kjo figurë në librin tuaj?
Azem Galica ishte tribun gjenial i popullit të vet. Emri Azem, nga gjuhët orientale do të thotë besnik, kolosal, madhështor e mik i vendosur, sikur u lind dhe u rrit me vetëdije të lartë luftarake dhe atdhedashurie.

Bajram Bujupi, tregimtar i shquar nga Arllati ka thënë:
– Emrat e tre personaliteteve kur përmenden duhet të qoheni në këmbë.
– Cilët kokan ata? – e vetën.
– Hasan Prishtina për dituri; Tahir Berisha për mençuri; dhe Azem Galica për trimëri.

Azem Galica, prej luftës në Merdare më 20 tetor 1912 e deri më 15 korrik 1924 në Galicë, zhvilloi mbi 60 beteja guerile, frontale fytafytas kundër hordhive pushtuese e gjenocidale serbo-malazeze. Ishte komandant i çetave kaçake të Drenicës e më vonë komandant suprem i lëvizjes kaçake të Kosovës (1917-1924).

Shote Galica, ishte dhe mbetet trimëresha më e famshme shqiptare. Ishte bashkëshorte e komandantit Azem Galica. Është protagoniste më e adhuruar në poetikën gojore shqiptare:
Agoi dita sikur t’co peshë
Edhe dielli sikur po kesh
N’Drenicë lindi njëtrimneshë
E lindi nana me armë vesh

U përpoq që sa më shumë t’i ngjasojë bashkëshortit të vet me sjellje e trimëri. Mori pjesë në 46 beteja me armiqtë, përkrah Azemit, deri në ditën e fundit.

Ndërkohë, ju keni botuar edhe shumë libra të tjerë, si “Këngë dasme”,“Mirdita, vendi i kuvendeve vetëqeverisëse”, pastaj për Shaban Polluzhën,etj. Në të gjithë këta libra, ju keni madhëruar këto figurat të shquara deri tek Adem Jashari, tek i cili, del në pah trimëria dhe mençuria e tij, sidomos me thënien“përhajr na qoftë lufta…”
Shaban Polluzha edhe në thesarin gojor është njëri nga komandantët më të mëdhenj të luftës së popullit shqiptar për mbrojtje dhe çlirim të atdheut. Shquhet lufta e brigadës së tij në Drenicë në shkurt të vitit 1945. Për të, botova katër punime shkencore.

Për Adem Jasharin, heroin më të spikatur të fundshekullit XX, u fol dhe u shkrua thuajse në mbarë botën. U flijua për mbrojtjen e atdheut së bashku me 20 anëtarë të familjes së ngushtë e me dhjetëra të familjes së gjerë. Sikur trimat paraardhës, Ademi më së forti e deshti lirinë. “Historia botërore, nuk është gjë tjetër veçse një ndërgjegjësim në rritje për lirinë”, thoshte Hegeli. Për Ademin kam botuar pesë botime shkencore në gazeta e revista. Përgjigjen për Adem Jasharin po e përmbyll me një thënie të Ismail Kadaresë: “Jasharët i lanë nom të madh globit tokësor”.

A do t’ju trashëgojë dikush tjetër në profesionin tuaj, apo entuziastët si ju po shuhen dhe të tjerët nuk po marrin tundimin të merren me të kaluarën?
Dilemat dhe shpresat shkojnë paralel lidhur me interesimin e mëtejmë për ruajtjen dhe bartjen, hulumtimin dhe studimin e folklorit. Por, shpresat janë më të mëdha se tradita jonë do të ruhet dhe do të kultivohet edhe më tej.

Keni qenë edhe rapsod i njohur, por edhe njohës i shkëlqyer i letërsisë popullore. Madje, ende mund t’i dridhni telat e sharkisë. A po mbetet folklori ynë vetëm nëpër arkiva, apo po gjen vend edhe në muzikën e trendëve të sotëm?
Kam qenë dashamirës i këngës popullore, i sharkisë dhe çiftelisë. Kam kaluar kohë edhe me rapsodët e njohur, sidomos me duetin më të shquar Salih e Feriz Krasniqi, të parët në Kosovë. Shpresoj se folklori dhe kënga e tyre do të mbetet e përhershme.

Njiheni edhe si interpretues i hollë i anekdotave ku përdorni humor të shëndoshë, të këndshëm, por edhe me nota satirike të cilat bartin në vete porosi me shumë kuptim…
Po, i dua shumë edhe anekdotat, sepse janë lloji i veçantë dhe më i popullarizuar i krijimtarisë tregimtare. Subjekti anekdotik ka depërtuar gati në të gjitha poret e jetës.

Ku dallojnë anekdotat shqiptare nga ato të popujve të tjerë? Çfarë mesazhi përçojnë anekdotat tona që nuk e kanë ato të popujve të tjerë?
Te popujt e tjerë nuk ekzistojë anekdotat në kuptimin e atyre shqiptare. Edhe kjo dëshmon për lashtësinë e popullit shqiptar dhe krijimtarisë së tij gojore. Anekdotat e popujve të tjerë, as që mund të quhen anekdota, por shaka të thjeshta, sa për një të qeshur të rastësishme dhe që shuhen aty për aty. Anekdota shqiptare, me pak fjalë thotë shumë. Përpos të qeshurës, përmban mësime e mesazhe nga të gjithë lëmenjtë e jetës.

Jeni marrë edhe me ritet e popullit shqiptar, sikurse janë fejesa, dasma, kanagjeqi, martesa, kunetëria, raportet nuse-vjehërr, pastaj burrë-grua, prindër-fëmijë, vëllezër-motra, gjyshër e nipa etj. Na i shpjegoni pak më hollësisht këto raporte si ishin dikur, e si duken sot?
Të gjitha raportet familjare e shoqërore, më parë mbështeteshin vetëm me norma kanunore. Prapambeturia vërehej kudo. Tani raportet kanë marrë kahjen e progresit.

A ka diçka që tingëllon anakronike sot, apo këto raporte duhet të ruhen dhe të kultivohen sot e mot?
Megjithatë, aty-këtu hasen dukuri anakronike. Në këtë bazë, tradita popullore, origjinale apo autoktone, në përputhje me logjikën dhe identitetin, duhet të ruhen. Ndërsa, elementet e raportet e huazuara, sidomos gjakmarrja, duhet të luftohet. Kjo është detyrë e parë e brezave.

Ndonëse jeni në moshë të thyer, vazhdoni të punoni, sepse ende keni punë të pakryera. Sigurisht nga ju do të presim edhe visare të tjera, për breza e breza
Ashtu qoftë!

Dhe, fare në fund, a mund t’ju thërrasim: Profesori i folklorit, Doktori i mençurisë popullore, Studiuesi i mençurisë së popullit, Mehmet Drenica…
Po iu përgjigjem, me një anekdotë.
E veten Tahir Berishën:
– A, ma mirë po të vjen më të thirrë Tahir Aga, a Aga Tahir?
– Ma së miri më vjen me më thirrë Tahir!

Ju falënderojmë për këtë intervistë dhe ju urojmë shëndet e sa më shumë fuqi që të ndriçoni edhe më tej këtë begati e cila gjendet ende e shtresuar te populli ynë aq i hollë dhe aq i vyer.
Edhe unë ju falënderoj përzemërsisht, juve dhe stafin tuaj, si dëshmi që keni konsiderata për traditën popullore, për traditën tuaj shqiptare. /Telegrafi/