Mediumi katalanas: Penallti e pastër që nuk u akordua nga Carvajal ndaj Araujos

Në minutën e 92-të të El Clásicos mes Real Madridit dhe Barcelonës, katalanasit kërkuan me ngulm një penallti që, sipas tyre, u mohua padrejtësisht nga gjyqtari Cesar Soto Grado dhe sistemi VAR.
Në një aksion të fundit të ndeshjes, një top i dërguar në zonën e Realit u ndoq nga qendërmbrojtësi uruguaian Ronald Araujo, i cili në ato momente ishte vendosur në sulm për të kërkuar golin e barazimit.
Por në përpjekje për ta ndalur, Dani Carvajal nuk u fokusua aspak në topin, por u përplas drejtpërdrejt me Araujon, duke e shtyrë dhe rrëzuar atë brenda zonës së rreptësisë. Uruguaiani kërkoi menjëherë penallti, por as gjyqtari kryesor dhe as VAR nuk ndërhynë në aksion, duke e lënë Barcelonën të zemëruar.

Ripërsëritjet televizive e bënë të qartë se mbrojtësi i Realit nuk tenton asnjëherë të shkojë drejt topit, por përkundrazi përqendrohet vetëm në kontaktin me kundërshtarin për ta penguar që të gjuajë.
Eksperti i gjykimit për Mundo Deportivo, César Barrenechea Montero, e komentoi kështu episodin.
“Është një penallti e pastër. Carvajal nuk ka asnjë qëllim të sfidojë topin, ai godet qartë kundërshtarin. Kjo është një ndërhyrje që duhej të ndëshkohej”, deklaroi ai.
pic.twitter.com/AmtdphvtvO
— FCB_Media (@fcb_media100) October 26, 2025
Ky moment ka shkaktuar shumë polemika në Spanjë, pasi vjen vetëm pak minuta pasi VAR kishte ndërhyrë më herët në një rast në favor të Real Madridit — ku korrigjoi një penallti të sinjalizuar gabimisht ndaj Viniciusit dhe anuloi një gol të Mbappe për pozitë jashtë loje.
Barça, megjithatë, e mbylli ndeshjen me humbje 2-1 në "Santiago Bernabéu", por me ndjenjën se gjyqtarët i mohuan një mundësi të artë për të dalë me pikë nga El Clásico. /Telegrafi/


















































