Konferenca për shtyp e filmit Loja e Fundit në Prishtinë nuk solli vetëm detaje rreth premierës, por edhe një nga momentet më të forta emocionale të çiftit Luiz Ejlli dhe Kiara Tito.

Për herë të parë, ata folën hapur për sulmet e rënda që kanë përjetuar në rrjetet sociale, duke zbuluar mesazhe shqetësuese që kanë prekur jo vetëm ata, por edhe vajzën e tyre të mitur.


Kiara Tito theksoi se situata ishte bërë aq e lodhshme, saqë as bllokimi i llogarive nuk mjaftonte më.

Foto: Telegrafi

“Kur preket familja dhe vajza jonë, që nuk ka asnjë lidhje me botën e showbiz-it, kjo kalon çdo kufi. Inati dhe xhelozia janë sëmundje të këqija”, u shpreh Kiara, duke shtuar se nëse dikush nuk i pëlqen, zgjedhja më e thjeshtë është t’i injorojë.

Nga ana e tij, Luizi ndau një nga përvojat më të rënda që ka kaluar si prind. Ai rrëfeu se është zgjuar në mëngjes duke marrë mesazhe me foto të montuara të vajzës së tij në arkivol.

“Merre me mend, domethënë të çohesh prej gjumit dhe të shikosh mesazhet që të nisin foto të montuara të vajzët tënde në arkivol dhe mendon çka kam bërë, kam fituar një format, një mision një spektakël dhe ata i nisin këto”, u shpreh Luizi.

Luizi ishte i prerë edhe në një tjetër deklaratë të fortë: “Sado i poshtër të jem unë, sado i urryeshëm të jem, vajza ime nuk ka faj”.

Ai shtoi se, pavarësisht gjithçkaje që lexon dhe sheh, i duhet të dalë para publikut me buzëqeshje, ndërkohë që askush nuk pyet se si ndihet ai në të vërtetë.

Momentet më prekëse erdhën kur Luizi zbuloi se sulmet kishin ndodhur edhe gjatë shtatzënisë së Kiarës. “I shkruanin mesazhe dhe i thonin të vdektë fëmija në bark. E kam gjetur duke qarë”, rrëfeu ai, duke lënë të kuptohet se kjo periudhë ka qenë jashtëzakonisht e vështirë për familjen e tyre. /Telegrafi/

Video: Blendi Aligjiku