Makineritë humanoide po bëhen gati për një tjetër sfidë të pazakontë: gjysmëmaratonën e dytë të robotëve në Pekin të Kinës.

Më shumë se 70 ekipe morën pjesë në një provë gjatë natës, duke testuar robotët në një pistë prej 21 kilometrash në zonën e zhvillimit E-Town, përpara garës zyrtare të planifikuar më 19 prill.


Testimi simuloi kushtet reale të garës, nga navigimi autonom në rrugë deri te reagimi ndaj situatave emergjente.

Sipas Instituti Kinez i Elektronikës, rreth 40% e ekipeve tashmë përdorin sisteme plotësisht autonome, duke e bërë sfidën edhe më komplekse për robotët.

- YouTube www.youtube.com

Organizatorët kanë shtuar këtë vit edhe kategori të reja çmimesh, përfshirë ato për qëndrueshmëri dhe përfundimin e garës — një objektiv që nuk është i lehtë. Në edicionin e parë vitin e kaluar, vetëm 6 nga 21 robotët arritën në vijën e finishit.

Për shumë ekipe, kjo garë mbetet një eksperiment i rëndësishëm teknologjik.

Probleme si mbinxehja e motorëve dhe shkarkimi i shpejtë i baterive vazhdojnë të jenë sfida kryesore, por pjesëmarrja është rritur ndjeshëm, duke u pesëfishuar krahasuar me vitin e kaluar. /Telegrafi/