LAJMI I FUNDIT:

Më mirë hiq se Obiliq

Më mirë hiq se Obiliq

Përpara, në hartat ekonomike, në regjionin e Kosovës kanë figuruar vetëm dy vende si qendra industriale: Mitrovica dhe Obiliqi. Pra, Trepҫa dhe termocentrali Kosova A .Edhe sot Obiliqi është i njohur për Evropën dhe botën mbarë, por si vendi me ajrin më të ndotur.

Kur është ndërtuar ky termocentral, ka pasur premtime se Obiliqi me rrethinë do ta kenë rrymën fal, por kjo në realitet as që bëhet fjalë. Bile-bile banorët po ankohen që s’kanë rrymë fare, e lëre më falas. Obiliqi ka pasur një lum dhe për ҫudi kishte edhe peshq (për çudi, sepse po ta shohësh tash Sitnicën nuk ngjason në lum, por në llum, nga nafta, nga ndotjet e mbetjet që i ka derdh termocentrali).


Obiliqi ka edhe një kodër (s’di a figuron në hartë). Duke derdhur hirin ky termocentral në afërsi të tij, ka formuar një kodër të madhe e cila e ka “zbukuruar” edhe më shumë relievin.

Ky vend është i njohur për shumë tradita. P.sh., në këtë vend nuk i përdorin tjegullat e kuqe. Edhe nëse i vendos dikush ato, brenda pak dite solidarizohen me tjegullat tjera dhe bëhen të zeza. Gjelbërimi dallon nga vendet tjera. Dritaret e plastikës nuk janë te bardha, por enkas për Obiliqin ndërtohen me ngjyrë hiri. Dhe, nëse kaloni ndonjëherë nëpër këtë vend, mos përdorni sandale e as çorape të bardha, sepse as me domestos nuk do mundeni t’ua ktheni ngjyrën. Për Obiliqin janë thurë edhe shumë slogane, si ”ma mirë hiq se Obiliq”, apo “dysh për Obiliq” etj.

Në shkollë, përpara, mësohej vjersha për Obiliqin: “Po tymtari, tymtari – tymin lart e vjell”. Fal Zotit që u mbyll azotiku (sigurisht ju kujtohet ai tymtari me ngjyrë të verdhë me erë shumë të keqe), se kur ishin fëmijët duke luajtur nëpër kopshte, ishin të detyruar të iknin sa më shpejt brenda dhe të mos dilnin më atë ditë.

Rryma, sa e domosdoshme, sa e nevojshme. Por, a mendon dikush për shëndetin e këtyre banorëve? Po ankohemi se rryma është e shtrenjtë, por më së shtrenjti po e paguajnë banorët e Obiliqit.

Nuk e di që ndonjë organizatë e huaj apo edhe vendore ka bërë diçka për këtë gjendje. As ministria e shëndetësisë apo QKUK nuk ka bërë ndonjë njësi ambulantore për kontrollimin e fëmijëve, pleqve apo banorëve të kësaj rrethine; të evidentojë, parandalojë dhe të japë këshilla në lidhje me sëmundjet dhe rrezikun që ju kanoset këtyre banorëve nga ndotja e madhe. Sigurisht, zyrtarët dhe kompetentët do të thonë se kanë qenë ekspertët disa herë. E vërtetë, kanë qenë, kanë bërë matje dhe kanë shkuar…

Në njërën anë Termocentrali A, në anën tjetër Termocentrali B ndërsa në mes… u fol edhe për C-ën. Atëherë, kah do t’ia mbajnë banorët e Obiliqit?

Edhe pse s’kanë rrymë, banorët e Obiliqit s’kanë pse ankohen: pluhur dhe tym kanë me shumicë! Ky është Obiliqi vendlindja ime që e dua shumë.