Me këto truke, banjoja juaj do të duket si ajo e një hoteli luksoz

Të gjithëve na janë të njohura banjot e bukura dhe luksoze të hoteleve, në të cilat kënaqemi sa herë që kemi mundësi. Ja disa truke dhe këshilla se si ta transformoni banjon tuaj në një oazë luksi
Ndërsa disa duan që mysafirët e tyre të ndihen “si në shtëpi”, të tjerë dëshirojnë t’u ofrojnë ndjesinë e një hoteli luksoz. Nëse dëshironi të përkëdhelni jo vetëm mysafirët, por edhe veten, me disa hapa të thjeshtë mund ta shndërroni banjon tuaj në një oazë relaksi dhe elegance.
Sistemimi elegant është çelësi i suksesit
A ju kujtohet hera e fundit kur në një hotel boutique keni parë dollapë të mbushur me shishe gjysmë të zbrazura shamponi? Me shumë gjasë, asnjëherë. Çelësi për krijimin e një hapësire qetësuese qëndron në zgjidhjet e mençura të organizimit, të cilat janë njëkohësisht funksionale dhe estetikisht tërheqëse.
Sally O’Connor nga Hesellic Design, për Livingetc, këshillon: “Zgjidhni mënyra elegante organizimi, si shporta dekorative apo kavanoza të bukur, për gjërat e përdorimit ditor, si shkopinj pambuku, furçat e grimimit ose aksesoret e tualetit”, transmeton Telegrafi.

Mbani pjesën e sipërme të komodës së banjos të rregullt
Ashtu si dollapi i mbingarkuar prish harmoninë, edhe një pult i stërngarkuar me sende krijon shqetësim vizual. Rrëmujë nuk do të thotë domosdoshmërisht kaos. Edhe objektet e bukura, nëse janë shumë, mund të japin përshtypjen e çrregullimit.
“Pulti i mbingarkuar e zbeh tërësinë, ndaj kufizoni numrin e objekteve dekorative në tre ose katër dhe sigurohuni që secili të ketë funksion,” shpjegon Sally O’Connor.
Vazhdimësia në dizajn është po aq e rëndësishme. Richard Eaton nga Tisina thotë: “Aksesorët duhet të ndjekin të njëjtat rregulla të rendit dhe thjeshtësisë. Një set unik dozatorësh dhe gotash, një rafte për aksesorë tualeti dhe zgjidhje të fshehta për peshqirët rezervë e mbajnë gjithçka në dorë të arritshme, por larg syve.”

Shfrytëzoni fuqinë e aromave
Një nga gjërat e para që vëmë re në spa-qendrat dhe hotelet luksoze është aroma, ajo ndjesi e freskët, e butë dhe relaksuese që mbush hapësirën. Pikërisht këtë atmosferë duhet të synoni të krijoni edhe në banjon për mysafirët.
Dizajneri i enterierit Ryan Sayan rekomandon zgjedhjen e një arome të ngrohtë që e përkufizon hapësirën. Ai sugjeron kedrin, ambra ose vetiverin, në formë qirinjsh aromatikë ose difuzerësh.

Detajet finale e bëjnë diferencën
Magjia e vërtetë e spa-qendrave më të mira qëndron te detajet përfundimtare. Pikërisht ato elemente të vegjël e shndërrojnë një banjo të zakonshme në një hapësirë të mirëfilltë qetësie.
“Gjithçka qëndron te detajet që flasin butë, por me luks,” thekson Ryan.
“Më pëlqejnë peshqirët e trashë, të bardhë, ose ato prej liri me monogram të lehtë. Përdor tabaka nga materiale natyrore - gur, dru ose metal dhe e mbaj paletën e ngjyrave uniforme, në mënyrë që hapësira të duket e qetë.” /Telegrafi/

















































