Mbrojtja e Thaçit, Menegon: Vendimi të bazohet në prova dhe jo në spekulime

Mbrojtja e Hashim Thaçit, e përfaqësuar nga avokatja Sophie Menegon ka kërkuar nga trupi gjykues që vendimi për ish-presidentin e Kosovës të bazohet në prova dhe jo në spekulime, duke kërkuar lirimin e tij nga të gjitha akuzat.
“Ne kërkojmë që vendimi juaj të bazohet në prova dhe jo në spekulime, dhe të jetë lirim nga të gjitha akuzat”, tha Menegon.
Gjatë fjalës së saj, avokatja kundërshtoi interpretimin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) për nenin 401 të Kodit Penal të Kosovës.
Sipas Menegon, “pengimi” nënkupton parandalimin ose bërjen të pamundur të kryerjes së një detyre zyrtare.
Ajo argumentoi se ZPS nuk ka përcaktuar qartë se cilat detyra zyrtare janë penguar, cilët persona janë penguar dhe cilat veprime konkrete përbëjnë veprën penale.
Menegon kritikoi gjithashtu interpretimin e konceptit “veprim i përbashkët”, duke theksuar se bashkëpunimi me persona të tjerë nuk mund të nënkuptojë automatikisht përgjegjësi penale sipas nenit 401.
Ajo po ashtu tha se: "Nuk ka asnjë provë që i lidhë këto komunikime apo takime me teorinë e vet të komplotit të pretenderuar për të ndikuar te dëshmitarët. Nuk ka asnjë provë që këto hapa të kenë pasur ndonjë gjë me udhëzimet e pretenduara të Thaçit nga qendra e paraburgimit. Pambështetshmëria e transkripteve të ZPS-së që janë prova kryesore ku mbështet ZPS-ja ndaj Thaçit...kjo qasje nuk mund të rezultojë në transkripte të besueshme. Parashtrimet e ZPS-së vënë në pikëpyetje parimet themelore". /Telegrafi/





































