LAJMI I FUNDIT:

Mbjelljet vjeshtore drejt përfundimit

Mbjelljet vjeshtore drejt përfundimit

Fermerët e Komunës së Ferizajt motin e mirë që po mbretëron këtyre ditëve e kanë shfrytëzuar për mbjelljen e kulturave vjeshtore. Bazuar në raportin e Drejtorisë për Bujqësi dhe Pylltari të Ferizajt, për këtë vit është planifikuar që me kulturë të grurit të mbillen 300 hektarë.

Zyrtarë komunal kanë bërë të ditur se 90 për qind e kësaj sipërfaqe tashmë është mbjellur me grurë dhe brenda kësaj jave pritet të përfundoi e tërë mbjellja.
Drejtori i Bujqësisë, Xhemajl Reçica, tha për KosovaPress se kushtet e mira klimatike kanë ndikuar në mbarëvajtjen e këtij procesi.


Sipas tij, në këtë fazë është paraparë që të mbillen vetëm sipërfaqet me grurë, ndërsa kulturat tjera si elbi dhe tërshëra është planifikuar që të mbillen në pranverë.

“Procesi i mbjelljeve ka shkuar mirë, kushtet klimatike e kanë mundësuar intensifikimin e punëve në teren. Për këtë fazë është paraparë vetëm mbjellja e grurit, ndërsa sipërfaqet e planifikuar për kulturën e elbit dhe tërshërës është paraparë që të mbillen në pranverë. Furnizimi me repromaterial ka qenë i mirë”, ka thënë Reçica.

Në anën tjetër, fermerët janë ankuar për çmimin e lartë të imputeve bujqësore, të cilat sipas tyre kanë ndikuar në rritjen e kostos së shpenzimeve, sidomos tek fermerët që kanë sipërfaqe të mëdha për mbjellje.

“Kostoja e mbjelljes për 1 hektarë me grurë sillet diku prej 400-450 eurove. Nëse sipërfaqja është 5 hektarë atëherë shpenzimet e mbjelljes e tejkalojnë shumë e mbi 2000 eurove, gjë që është e papërballueshme për efemerin. Disa kanë edhe më shumë sipërfaqe atëherë investimi është shumë i madh”, thotë fermeri ferizajas, Sadik Berisha, i cili këtë vit ka planifikuar që me grurë ta mbjell një sipërfaqe prej 6 hektarësh.

Ndryshe, merret vesh se në koston e shpenzimeve po ndikojnë imputet të cilat kryesisht vijnë nga importi. Fermerët kanë thënë se përveç plehut artificial që sivjet ka qenë me një kosto paksa më të lirë, të gjitha imputet e tjera por edhe mekanizimi kanë pasur çmimet e njëjta sikurse të viteve të kaluara. /Telegrafi/