ChatGPT Image Jul 7, 2026, 10_39_06 AM

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka nisur hetimet lidhur me rastin e dyshuar të helmimit të disa personave në Han të Elezit.

Prokuroria ka bërë të ditur për Telegrafin se ka pranuar informacione lidhur me rastin dhe se Prokurori i Shtetit ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore.


“Prokurori i Shtetit, pas njoftimit lidhur me këtë rast, ka udhëzuar dhe autorizuar Policinë për ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore, si dhe është njoftuar edhe Inspektorati Sanitar”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

Tutje Prokuroria ka theksuar se është iniciuar rast në drejtim të veprës penale “Prodhimi dhe vënia në qarkullim e artikujve të dëmshëm ushqimorë”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Prokuroria ka bërë të ditur se për çdo zhvillim të ri lidhur me këtë çështje, opinioni publik do të njoftohet me kohë.

Ndërkohë, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Han të Elezit, Bashkim Haziri, ka deklaruar për Telegrafin se nga data 13 korrik deri më tani janë trajtuar rreth 90 persona me simptoma të vjelljes dhe barkqitjes.

Sipas tij, gjatë marrjes së anamnezës, pacientët kanë deklaruar se kanë konsumuar ushqim në një fast-food dhe piceri, pas së cilës kanë shfaqur shqetësime shëndetësore.

Ai ka bërë të ditur se pacientëve u është dhënë trajtim me infuzione, ndërsa tre persona janë dërguar në Klinikën Infektive pasi u është rritur temperatura.

Institucionet shëndetësore dhe organet kompetente po vazhdojnë verifikimet për të përcaktuar shkakun e saktë të rasteve të paraqitura në Han të Elezit. /Telegrafi/