LAJMI I FUNDIT:

Mbi 40 mijë euro dyshohet se u vodhën sot në grabitjen e armatosur në Prishtinë

Mbi 40 mijë euro dyshohet se janë grabitur sot në një këmbimore të kriptovalutave në lagjen “Tophane” në Prishtinë.

Pronari i këmbimores “ExCoins”, Valton Isufi ka konfirmuar për Telegrafin, se personat e armatosur kanë grabitur mbi 40 mijë euro.


“Mbi 40 mijë euro janë grabitur nga persona të armatosur”, tha ai duke shtuar më tej se me rastin po merret policia.

Policia më herët njoftoi për rastin duke konfirmuar se rasti ka ndodhur rreth orës 10:00

“Sot rreth orës 10:00 është raportuar për një grabitje të ndodhur në një këmbimore në lagjen Tophane në Prishtinë. Pas marrjes së informacionit policia ka dalë në vendngjarje dhe bazuar në informacionet e para, dyshohet se nën kërcënim të armës është grabitur një shumë parash”, ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Grabitje e armatosur në Prishtinë
Lexo po ashtu Grabitje e armatosur në Prishtinë

Policia në koordinim me prokurorinë po ndërmerr veprimet e nevojshme policore me qëllim zbardhjen e rrethanave të rastit.

Numri i grabitjeve të armatosura është rritur kohëve të fundit në Kosovë. Para disa ditësh, persona të armatosur kishin kryer grabitje edhe në një argjendari në Suharekë.

Policia kishte arritur të i identifikonte personat e dyshuar, ku njëri prej tyre edhe kishte refuzuar të dorëzohet, ai ishte neutralizuar nga ana e policisë. Ndërsa të tjerëve u është caktuar masa e  paraburgimit./Telegrafi/