LAJMI I FUNDIT:

Mbi 350 mijë ndërtime pa leje në Kosovë

Mbi 350 mijë ndërtime pa leje në Kosovë

Procesi i legalizimit të mbi 40 mijë ndërtimeve pa leje në kryeqytet po shkon shumë ngadalë. Në Komunën e Prishtinës thonë se problemi kryesor i procesit të legalizimit ka të bëjë me çështjet pronësore.

Ndërsa ekspertë të urbanizimit thonë se ky problem do të jetë i gjatë. Por, Komisioni Parlamentar për Planifikim e votoi për lexim të dytë plotësim/ndryshimin e projektligjit të ndërtimeve pa leje. Ndërtime të shumta e të larta mund të shihen lehtë në tërë Prishtinën.


Në komunë deklarojnë se problemi më i madh i këtij procesi janë çështjet pronësore që kanë të bëjnë më objektet e ndërtuara në prona publike dhe private, e që nuk janë në emër të aplikuesve.

Numri i objekteve të legalizuara në Prishtinë është shumë i vogël.

“Numri i certifikatave të legalizimit është diku tek 1 mijë e 700, por ky nuk është edhe numri i trajtimit të lëndëve sepse kemi shumë lëndë të cilat janë trajtuar dhe janë nxjerr vendime për futjen në listën e pritjes deri në zgjidhjen e çështjeve pronësore, apo vendime për përfundim të procedurës e të cilat arrijnë shifrën e 1 mijë e 600 vendimeve”, tha Fatos Dibra, udhëheqës i Sektorit të Legalizimit në Komunën e Prishtinës.

Aliu: Mbi 75 për qind e ndërtimeve janë pa leje në Kosovë
Lexo po ashtu Aliu: Mbi 75 për qind e ndërtimeve janë pa leje në Kosovë

Për arkitektin Xhelal Llonçari, problemi i pronësisë është shumë i madh.

“Kujtoj që problemi më i madh është abuzimi me parcela, në tokën ndërtimore, janë ndërtuar me siguri parcela që nuk janë mbi emër të tyre, janë abuzuar mbi parcelat e shoqërisë etj. Problem më i madh ndoshta edhe jo substancial, mendoj është një problem që zgjidhet, është edhe kostoja e objektit”, thotë Llonçari.

Qeveria i ka bërë ndryshimet në ligjin për ndërtimet pa leje për ta dinamizuar këtë proces, ndërsa gjatë ditës Komisioni Parlamentar për Planifikim e ka përcjellë për lexim të dytë në Kuvend plotësim/ndryshimin e projektligjit të ndërtimeve pa leje.

Në Kosovë janë të evidentuara mbi 350 mijë ndërtime pa leje. /RTK/