LAJMI I FUNDIT:

Aliu: Mbi 75 për qind e ndërtimeve janë pa leje në Kosovë

Aliu: Mbi 75 për qind e ndërtimeve janë pa leje në Kosovë
Foto: Arkiv

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu ka thënë se mbi 75 për qind e ndërtimeve në Kosovë janë pa leje.

Aliu në një konferencë për medie theksoi se vetëm në Komunën e Prishtinës janë 46 mijë të tilla.


“Në regjistrimet pa leje në vendin tonë figurojnë rreth 382 mijë e 836 ndërtime në të gjithë vendin. Vetëm Komuna e Prishtinës i ka mbi 46 mijë ndërtime pa leje. Kjo nënkupton që nga stoku i ndërtimeve janë mbi 3/4 janë pa leje. Është një numër jashtëzakonisht i madh gjë që ka ndikuar në planifikimet në vend”, theksoi Aliu, shkruan Telegrafi.

Sipas tij, zhvillimi i hovshëm i pasluftës ka bërë që institucionet të mos kenë kapacitete të mjaftueshme për menaxhimin e tyre.

“Pavarësisht që të gjitha vendet e rajonit ka ndërtime pa leje, Kosova si një vend që ka kaluar tranzicionin post-socialist dhe fazën e luftës, ka një dallim substancial nga vendet tjera, pasi që për një kohë të gjatë ka pasur një zbrazëtirë institucionale dhe nga vitet e pasluftës, nga zhvillimi i madh i hovshëm, institucionet e vendit nuk kanë pasur kapacitete të mjaftueshme të përcjellin këtë zhvillim, e për pasojë sot kemi mbi 75 për qind të ndërtimeve ekzistuese që janë pa leje”, përfundoi ai. /Telegrafi/