LAJMI I FUNDIT:

Mbi 30 biznese fillestare i bashkohen inkubatorit të ICK-së

Mbi 30 biznese fillestare i bashkohen inkubatorit të ICK-së

Nga 37 biznese fillestare të cilët së fundmi i janë bashkuar inkubatorit të Innovation Centre Kosovo (ICK), 14 janë vendosur fizikisht në qendër, 17 ekipe janë përfitues virtual të shërbimeve, ndërsa 6 prej tyre janë pjesë e programit të para-inkubimit, me qëllim të zhvillimit të mëtutjeshëm të ideve të biznesit.

Më shumë se 100 pjesëmarrës, përfshirë anëtarë të ekipeve, partnerë e donatorë ishin të pranishëm në ceremoninë e mirëseardhjes për bizneset fillestare, të organizuar nga ICK, duke shënuar kështu fillimin e aktiviteteve për vitin 2019.


Bizneset fillestare, të pranuara nga thirrja e 18-të publike për ide biznesi e ICK-së, vijnë nga drejtime të ndryshme të fushës së teknologjisë së informacionit & komunikimit dhe ndërmarrësisë sociale, përfshirë e-commerce, harduare, zhvillues të aplikacioneve dhe softuare, animacion, blockchain, multimedia, siguri elektronike, teknologji medicinale, edukim, mbrojtje e mjedisit, etj.

“Mënyra më e mirë për të nisur këtë vit të ri”, u shpreh Uranik Begu, drejtor ekzekutiv i ICK-së, duke shtuar, se “fillim i mbarë, me biznese të reja fillestare që e kanë pasuruar komunitetin tonë dhe na kanë dhënë të gjithëve shumë energji, në përpjekjen tonë të përbashkët për shndërrimin e Kosovës në një lider rajonal për ndërmarrësi, inovacion dhe biznese fillestare”.

Gjatë këtij aktiviteti u lansua edhe “Forward”, programi tre vjeçar me financim të Ambasadës së Norvegjisë në Prishtinë, i cili do të mbështesë komunitetin e ICK-së me grante deri në 6,000 euro, mentorim, konsulencë dhe trajnime, me qëllim të krijimit të vendeve të reja të punës, përmirësimin e ambientit të të bërit biznes, si dhe zhvillimin e konkurrueshmërisë së bizneseve startup në sektorin e teknologjisë dhe informacionit.

Që nga themelimi më 2012, ICK ka mbështetur mbi 200 biznese fillestare, ka ndarë grante në vlerë 500 mijë euro, ka ofruar 210 trajnime profesionale për mbi 2,500 pjesëmarrës, si dhe ka organizuar mbi 350 aktivitete locale e ndërkombëtare, me qëllim të promovimit të ndërmarrësisë dhe inovacionit.

ICK mbështetet nga Ambasada e Suedisë, Ambasada e Norvegjisë, Zyra e BE-së në Kosovë, GIZ (CETEP), Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, European Fund for Southeast Europe (EFSE) dhe ambasada e SHBA-së në Prishtinë. /Telegrafi/