Paris Saint-Germaini do t’i fillojë bisedimet me Real Madridin për transferimin e Kylian Mbappe, raportojnë mediat sportive.

Marrëveshja e francezit me PSG skadon në verën e ardhshme dhe nuk pritet që ta rinovojë kontratën me klubin nga Ligue 1.


Sipas El Chiringuito, transmetuar nga AS, Mbappe i ka refuzuar ofertat e deritanishme për kontratë të re dhe dëshiron të bisedojë me presidentin Nasser Al-Khelaifi.

kylian1 2 (Foto: Instagram/k.mbappe)

22-vjeçari dëshiron ta njoftojë kreun e klubit se planifikon t’i bashkohet Real Madridit, mirëpo nuk do të bëjë presion me kërkesa dhe kërcënime për t’u larguar.

Më pas, pritet që Al-Khelaifi të udhëtojë drejt kryeqytetit spanjoll për ta diskutuar transferimin e Mbappes, i cili nuk do të shitet lirë.

kylian5 (Foto: Instagram/k.mbappe)

Sipas njoftimit, Los Blancos duan të bëjnë ofertë pranoje ose leje në vlerë prej 120 milionë eurosh duke e lënë vendimin në duar PSG-së.

Klubi francez nuk dëshiron ta humbë anësorin në verën e ardhshme pa para, kur kihet parasysh se ka shpenzuar rreth 190 milionë euro kur e transferoi para tre vitesh.

Në rast të largimit të tij, PSG pritet ta transferojë Cristiano Ronaldon nga Juventusi duke formuar sulmin më të spikatur, CR7-Lionel Messi. /Telegrafi/

telegrafi sport app