Sot është mbajtur mbledhja urgjente e Këshillit për Siguri në Bashkësi në Komunën e Vushtrrisë, pas dy vrasjeve që kanë ndodhur në dy ditët e fundit.

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka njoftuar se janë nxjerrë disa rekomandime nga kjo mbledhje urgjente, shkruan Telegrafi.


Këto rekomandime janë: Drejtoria e Arsimit të mbajë takime të rregullta me prindërit, policia të shtojë kontrollin në të gjithë territorin, në shkolla dhe hapësira publike, gjithashtu shtimi i patrullimeve kombësore në zonat e frekuentuara.

“Respektimi i orarit të punës të lokaleve afariste, gastronomi, si dhe lokalet që si veprimtari kanë videolojërat, në institucionet fetare të mbahen ligjërata vetëdijësuese kundër dhunës, organizimi i fushatave vetëdijësuese”, ishin disa nga rekomandimet tjera, ka thënë Idrizi.

Tutje thuhet se si Komunë e Vushtrrisë mbesin të përkushtuar për bashkëpunim me të gjitha institucionet e sigurisë, me qëllim ofrimin e sigurisë së plotë për qytetarët.

Idrizi i’u ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave dhe qytetarëve të Vushtrrisë.

Më 23.03.2025, një 19 vjeçar është vrarë me armë zjarri nga bashkëmoshatari i tij. Vrasja ka ndodhur rreth orës 20:35 në rrugën “Galip Badivuku” në Vushtrri.

Viktima ka inicialet A.Z., ndërsa dorasi ka inicialet B.D.

Tashmë B.D. ka pranuar fajësinë dhe më pas Gjykata Themelore në Mitrovicë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj tij.

Ndërsa dje, më 24.03.2025 ka ndodhur një tjetër vrasje në fshatin Stanoc ku është vrarë një grua dhe më pas autori i dyshuar ka kryer vetëvrasje.

Familjari i viktimës, Rrahim Ajeti, para gazetarëve ka deklaruar se dyshojnë që vrasja ka ndodhur për shkak se viktima kishte ndërruar vendin e punës dhe nuk punonte më tek dorasi.

“Rrethanat se si ka ardhur deri te vrasja nuk i dimë akoma. Por dyshohet se shkaku kryesor të jetë xhelozia se pse ka shkuar në një vend tjetër pune dhe e ka lënë tek unë”, ka thënë Ajeti. /Telegrafi/