LAJMI I FUNDIT:

Mbahet Forumi Ekonomik Kosovë-Austri në Prishtinë

Mbahet Forumi Ekonomik Kosovë-Austri në Prishtinë

Më 21 prill 2022, do të mbahet Forumi Ekonomik Kosovë-Austri në Prishtinë, i cili pritet të bashkoj 16 kompani nga Austria me kompani nga Kosova nga dhjetë sektorë të ndryshëm, me qëllim promovimin e biznesit dhe nxitjen e investimeve të mëtejshme direkte nga kompanitë austriake në vendin tonë.

Forumi do të pasohet nga takimi i pestë i Komitetit të Përbashkët Ekonomik Austri-Kosovë.


Ky Forum pritet të hapet me një fjalim nga ambasadori i Austrisë në Kosovë, Christoph Weidinger dhe shefi i Odës Ekonomike së Austrisë në Kosovë, Wilhelm Nest. Po ashtu, fjalën kyçe do ta mbajë kryeministri Albin Kurti për të vazhduar me adresim nga ministrja e Industrisë, Sipërmarrjes dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.

Po ashtu, do të zhvillohet një diskutim me panel me kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi dhe Zuzana Zavarská, ekonomiste në Institutin e Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare, si dhe prezantime nga Oda Ekonomike e Austrisë, Raiffeisen Bank Kosova, KIESA, Innovation Center Kosovo (ICK), ITP Prizren dhe Agjencia Austriake për Zhvillim. Ndërsa pasdite, kompanitë nga Austria dhe Kosova do të kenë mundësinë të eksplorojnë për mundësitë gjatë takimeve B2B të personalizuara.

Ambasadori Weidinger: Austria investitori i katërt më i madh në Kosovë, janë krijuar rreth 2,500 vende pune
Lexo po ashtu Ambasadori Weidinger: Austria investitori i katërt më i madh në Kosovë, janë krijuar rreth 2,500 vende pune

“Forumi Ekonomik Kosovë-Austri përbën një manifestim të mëtutjeshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera dhe shumë të ngushta në shumë fusha që ekzistojnë mes dy vendeve tona. Me Austrinë që tashmë është investitori i katërt më i madh në Kosovë, Forumi Ekonomik do të forcojë më tej marrëdhëniet e biznesit ndërmjet ndërmarrjeve nga Austria dhe Kosova, duke krijuar kështu një situatë të favorshme për ekonomitë e të dy vendeve”, është shprehur ambasadori Weidinger.

Forumi Ekonomik organizohet nga Ambasada austriake në Prishtinë dhe Oda Ekonomike e Austrisë, me mbështetjen e Raiffeisen Bank në Kosovë.

Ngjarja zhvillohet në kuadër të go-international dhe ReFocus Austria, një nismë e përbashkët e Ministrisë Federale për Çështjet Evropiane dhe Ndërkombëtare, Ministria Federale për Çështjet Dixhitale dhe Ekonomike, Oda Ekonomike Federale Austriake, Zyra Kombëtare Turistike Austriake dhe ministritë federale të tjera. /Telegrafi/