LAJMI I FUNDIT:

Matoshi: Deda dhe Kadaj- Bujupi nuk dinë çfarë duan në politikë

Matoshi: Deda dhe Kadaj- Bujupi nuk dinë çfarë duan në politikë

Tri partitë opozitare Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën së fundmi kanë përjetuar humbje të mëdha sa i përket zyrtarëve të këtyre partive.


Pas largimit të Donika Kadaj- Bujupit nga AAK-ja, gjatë ditës së djeshme të njëjtin vendim e ka marrë edhe Ilir Deda i cili më nuk është pjesë e VV-së.

E siç duket veprimit të Kadaj- Bujupit e Dedës i “lakmojë” edhe njëri nga themeluesit e Nisma për Kosovën, Xhevat Bislimi i cili po ashtu u largua nga ky subjekt.

Lidhur me këto largime, analisti Halil Matoshi ka thënë për Telegrafin se është akt i vullnetit të lirë të njerëzve të bashkohen me një parti ose edhe të ndahen konceptualisht ose për çfarëdo arsyeje tjetër.

“Mirëpo të ndahesh nga opozita për të “ndërtuar” opozitë të re, kjo më duket është pasojë e mësymjes së ngjitjes në pushtet me çdo kusht dhe pa marrë parasysh parimësinë”, ka thënë Matoshi.

Ai më pas ka shtuar se lëvizjet mendore dhe konceptuale aq të shpeshta të disa akterëve politikë si Ilir Deda, Donika Kadaj-Bujupi etj, flasin për faktin se ata nuk kanë ndërtuar ide të qartë se çfarë duan në politikë.

“Me e ndreq qeverisjen përmes angazhimit pragmatik  apo me e ndreq shoqërinë, përmes angazhimit teorik. Pra individët në politikë duhet të zgjedhin, njërën ose tjetrën. Së dyti, në Kosovë ka shumë personazhe e fare pak ide politike dhe emrat që ju i përmendni janë personazhe dhe protagonistë, por nuk kam dëgjuar nga ta ndonjë ide të madhe politike që afekton jetët e qytetarëve”, u shpreh Matoshi./Telegrafi/