LAJMI I FUNDIT:

Marrin paga, por nuk figurojnë në listën e të punësuarve (Video)

Marrin paga, por nuk figurojnë në listën e të punësuarve (Video)

147 persona figurojnë në listat e punëtorëve në Agjencinë e Kontrollit Ajror.

Por, dy muajt e fundit të 2015-ës dhe në janar të vitit 2016, numri i atyre që morën paga me numrin e atyre që figurojnë në listat e punëtorëve është në mospërputhje prej 10 vetash, raporton KTV.


Tetë persona u punësuan në Radarin e Goleshit në punët e sigurimit, pa u hapur fare konkurs dhe u angazhuan jashtë procedurave vetëm me një rregullore të Bordit, që u aplikua nga sektori i burimeve njerëzore.

Ermir dhe Ilir Mehmeti, Ilir Jashanica, Durim Simnica, Nebih Koci, Bashkim Rama, Kushtrim Shala, Visar Thaçi, Lavdim Deliu nuk kanë kontrata të lidhura me Burimet njerëzore.

Emrat e tyre nuk figurojnë në listën e pagave të punëtorëve të Kontrollit Ajror, që mban datën 23 shkurt, por emrat e tyre janë në listën e orarit të punës për muajin shkurt të Departamentit për Siguri, Cilësi dhe Sigurim, për çka edhe janë paguar nëpërmjet bankës.

Kohavisioni kishte raportuar edhe më herët për shkeljet e bëra nga menaxhmenti i Agjencisë së Kontrollit Ajror.

Atëkohë, Inspektorati kishte gjetur shkelje në emërimin e 20 menaxherëve të rinj, në konkursin për parashikuesit meteorologjikë aeronautikë dhe në pagesa për persona që ishin në fakt në pushime pa vendime. E vërejtje ka pasur edhe te siguria në punë dhe shëndeti si dhe avancime në baza nepotizmi.

Por, ky fakt nuk është paraqitur në raportin e inspektoratit, pasi punësimi i tyre ishte mbajtur i fshehur.

KTV ka javë që është duke pritur një përgjigje nga kryeshefi ekzekutiv, Bahri Nuredini, për këto çështje. KTV-ja ka arritur ta kontaktojë pas shumë përpjekjesh zëdhënësin Driton Ujkani, i cili është zëdhënës i Departamentit të Kontrollit Ajror. Ai, nëpërmjet telefonit, ka thënë se pretendimet nuk qëndrojnë dhe se këto informata kanë rrjedhur me qëllim për të dëmtuar Nuredinin, i cili po synon edhe një mandat të ri në krye të Agjencisë së Kontrollit Ajror.

Konkursi për këtë pozitë është mbyllur të martën dhe përveç Bahri Nuredinit, në garë janë edhe Afrim Aziri, që aktualisht punon në Departamentin për Siguri, Cilësi dhe Sigurim, Sherif Gosalci dhe Petrit Mehmeti, të dy të punësuar në Departamentin e Menaxhimit të Trafikut Ajror dhe Bujar Ejupi, i cili vjen nga Shoqëria Civile.