LAJMI I FUNDIT:

Maqedoni, prej sot hyri në fuqi Ligji për ndihmë juridike falas

Maqedoni, prej sot hyri në fuqi Ligji për ndihmë juridike falas

Me Ligjin e ri për ndihmë juridike falas, që hyn në fuqi prej ditës së sotme, qytetarët marrin ndihmë juridike falas dhe qasje të barabartë në drejtësi – avokat, ndërsa shpenzimet administrative mbulohen nga buxheti.

“Qytetarët që kanë probleme financiare mund të drejtohen pranë Ministrisë së Drejtësisë dhe tek një sitë rajonale të kësaj ministrie dhe të kërkojnë  ndihmë juridike apo t’u sigurohet avokat i cili do të paguhet nga Buxheti i Ministrisë së Drejtësisë. Risia e këtij ligji është se tani po mbulohen të gjitha shpenzimet lidhur me sigurimin të ndihmës juridike”, tha ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska, përcjell Telegrafi Maqedoni.


Ky ligj, theksoi Deskoska, kontribuon në ndërtimin e sundimit të së drejtës por edhe përbën një dimension human që nënkupton se mundësitë materiale nuk duhet të jenë pengesë për realizimin të drejtave të qytetarëve.

Deskoska potencoi se ky ligj, qytetarët që nuk kanë mjete të mjaftueshme financiare do të mund t’i realizojnë të drejtat e tyre para gjykatave, gjykatave administrative por edhe para organeve shtetërore siç janë Gjykata Kushtetuese, Avokati i Popullit dhe institucione tjera.

Ndihmë juridike falas qytetarët mund ta marrin për konteste pronësore-juridike, tek marrëdhëniet detyruese, çështjet e sigurimit pensional dhe invalidore, viktimat e dhunës familjare, realizimi i ndihmës sociale dhe kontestet me kompanitë e sigurimit.

Risi në ligj, siç tha Deskoska, është se po mbulohen të gjitha shpenzimet e sigurimit të ndihmës juridike. Deri tani nuk janë mbuluar taksat gjyqësore, shpenzimet për ekspertizë që ishte pengesë për shumë persona të marrin ndihmë juridike./Telegrafi/