LAJMI I FUNDIT:

Maqedoni, javën e ardhshme pritet të lehtësohen masat

Maqedoni, javën e ardhshme pritet të lehtësohen masat

Një pjesë e kompanive i kthehen punës javën e ardhshme. Për këto kompani tashmë janë përgatitur protokolle për mënyrën e re të punës me respektim të masave për mbrojtje nga coronavirusi, ndërsa ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe tha se deri në fund të kësaj jave, Komisioni për Sëmundje Infektive do t’i përgatisë protokollet për punë për të gjitha kompanitë dhe institucionet që tani janë të mbyllura.

“Shihet se numri i pacientëve bie, epidemia po shuhet dhe kjo na gëzon dhe na jep të drejtë të punojmë në lehtësimin e masave dhe gradualisht t’i kthehen punës subjektet që ishin të mbyllura”, tha ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, njofton Telegrafi Maqedoni.


Ai shpreson se në fund të kësaj jave do të jenë gati të gjitha protokollet dhe javën e ardhshme do të nisë zbatimi i këtyre protokolleve.

Ministri Filipçe theksoi se Komisioni për Sëmundje Infektive ka biseduar edhe për hapjen e çerdheve dhe se për çerdhet do të ketë protokoll të veçantë pune duke marrë parasysh se ekziston rrezik që fëmijët të jenë transmetues të coronavirusit./Telegrafi/