LAJMI I FUNDIT:

Maqedoni, hapet departament për figurën e Nënë Terezës

Maqedoni, hapet departament për figurën e Nënë Terezës

Vepra dhe jeta e Nënë Terezës do të hulumtohet nga Departamenti i ri në Shkup me emrin e saj.

Departamenti i trashëgimisë së Gonxhe Bojaxhiut- Nënë Terezës është i pari i këtij lloji që në mënyrë institucionale do të merret me figurën e humanistes së madhe shqiptare. Dom Lush Gjergji ipeshkv nga Kosova tha që Nënë Tereza është një minierë shpirtërore.


“Nëna Tereza është një minierë e pa shtershme, kur patëm përurimin e shtatores së Nënës Tereza në Mitrovicë, pata thënë se Trepça është e madhe dhe e rëndësishme. Por ne kemi një Trepçë shpirtërore dhe është Nëna Terezë. Prandaj dëshiroj që fëmijët tonë prej në djep të rriten dhe të edukohen në frymën dhe në shpirtin e Nënës Terezë”, tha Dom Lush Gjergji.

Ministri i Arsimit Arbër Ademi në fjalimin e tij tha që ky institut do të funksionojë në kuadër të sektorit për veprimtari hulumtuese dhe shkencore.

“Sot bashkë po e promovojmë departamentin e Gonxhe Bojaxhiut Departamentin e trashëgimisë të Gonxhe Bojaxhiut-Nënë Terezës departament ky krejtësisht i ri në kuadër të institutit dhe i cili do të funksionojë në kuadër të sektorit për veprimtari hulumtuese dhe shkencore të këtij instituti”, pohoi ministri Arbër Ademi.

Drejtori i institutit të trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore Skender Asani tha që ky departament do të jetë një ndër të parët në botë që do të bëjë hulumtime për jetën dhe veprën e Gonxhe Bojaxhiut.

“Po hapet institucioni i parë i trashëgimisë së Gonxhe Bojaxhiut-Nënë Terezës apo figurës së Nënë Terezës si institucion i parë në botë për edukimin dhe hulumtimin e Gonxhe Bojaxhiut – Nënë Terezës.

Në vendlindjen e Gonxhe Bojaxhiut këtu në Shkup në Shkupin tonë të lashtë po e hapim departamentin, për studimin, hulumtimin dhe edukimin e figurës së Nënë Terezës”, tha Drejtori i ITKSH-së, Skender Asani.

Nënë Tereza më 1979 u nderua me Çmimin Nobel për Paqe. Më 19 tetor 2003, ajo u lumturua dhe u quajt “Tereza e Bekuar e Kalkutës”. Për t’u kanonizuar në shenjtore, asaj duhej t’i njihej një mrekulli e dytë, në bazë të rregullave të kishës katolike. Një mrekulli e dytë i është njohur nga Papa Françeskut, në dhjetor të vitit 2015, duke i hapur rrugën që ajo të shpallet e shenjtë nga Kisha Katolike e Romës. Kanonizimi i saj është bërë më 4 shtator 2016, një ditë para 19-vjetorit të vdekjes së saj./TV21/