Manchester City zyrtarizon transferimin e talentit brazilian nga Palmeiras

Manchester City ka kompletuar transferimin e anësorit brazilian Allan Elias nga Palmeiras, me 22-vjeçarin që ka firmosur kontratë pesëvjeçare me kampionët anglezë.
Elias bëhet transferimi i gjashtë i Manchester Cityt gjatë afatit kalimtar të verës, ndërsa klubi anglez ka investuar rreth 40 milionë euro për kartonin e futbollistit brazilian.
Drejtori i Manchester Cityt, Hugo Viana, e ka përshkruar Eliasin si një futbollist me potencial të madh.
“Allan është një lojtar vërtet emocionues dhe besojmë se do të jetë një përforcim i madh për skuadrën. Ai ka treguar gjatë karrierës së tij të shkurtër se është i gatshëm të punojë fort për t’u bërë versioni më i mirë i vetes”, deklaroi Viana.
I lindur në Florianopolis, Elias është produkt i akademisë së Sao Paulos, ndërsa më pas u zhvillua te Palmeiras, ku arriti të bëjë 96 paraqitje me ekipin e parë.
Vetë futbollisti nuk e ka fshehur emocionin për transferimin te Manchester City.
“Ky është një moment surreal për mua. Manchester City, me gjithçka që ka fituar gjatë 15 viteve të fundit, është një nga klubet më tërheqëse në botë për futbollistët. Të jem këtu sot dhe të them se jam bërë pjesë e tyre është momenti më krenar i jetës sime”, u shpreh Elias.
Introducing... Allan 🇧🇷💫 pic.twitter.com/oIeQotG7ts
— Manchester City (@ManCity) August 31, 2026
Braziliani gjithashtu ka theksuar se e ka të veçantë lidhjen me Palmeirasin, por vendimi për t’u transferuar në Angli ishte i lehtë për të.
“E dua Palmeirasin dhe gjithmonë do ta dua, por vendimi për të ardhur te City ishte i lehtë”, shtoi ai.
Elias shpreson të ndjekë gjurmët e brazilianëve të tjerë që kanë lënë gjurmë te Manchester City, si Gabriel Jesus, Ederson dhe Fernandinho, të cilët kanë fituar tituj të Ligës Premier me klubin anglez.
Me afrimin e Eliasit, Manchester City vazhdon të investojë në talentet e rinj, duke e parë 22-vjeçarin si një tjetër alternativë të rëndësishme për repartin ofensiv në vitet e ardhshme.
Përveç Eliasit, gjatë kësaj vere në “Etihad” kanë mbërritur edhe Elliot Anderson, Geronimo Rulli, Ayyoub Bouaddi, Jeremy Monga dhe Pierce Charles. /Telegrafi/












































