LAJMI I FUNDIT:

Malcolmi për hendekun e madh mes shqiptarëve dhe serbëve

Malcolmi për hendekun e madh mes shqiptarëve dhe serbëve
Noel Malcolm (foto: Daut Dauti)

Pjesë nga libri me shumë autorë, The Case for Kosova – Passage to Independence (titulli i mësipërm është i redaksisë së Telegrafit)
Përktheu: Daut Dauti

A është konvertimi i shqiptarëve në myslimanë shkaku kryesor i largimit të tyre nga sllavët?


Pretendimi: Konvertimi masiv i shqiptarëve në Islam besohet se e ka hapur epokën e gënjeshtrave dhe konfliktit ndëretnik dhe ka inauguruar një ndasi të thellë mes dy grupeve, ndarje e cila paraqitet si ndeshje e civilizimeve.

– Nuk ka pasur konflikte mes shqiptarëve dhe serbëve në Mesjetën serbe. Këto probleme kanë filluar vetëm në fund të shek. XVII me intensifikimin e islamizimit të shqiptarëve. (Memorandumi për Kosovën dhe Metohinë i Sinodit të Shenjtë i peshkopëve të Kishës Ortodokse Serbe. Shtator 2003).

– Depërtimi i otomanëve në zemrën e Evropës jug-lindore po ashtu ka shënuar fillimin e përplasjes së gjatë pesë shekullore të dy civilizimeve: evropian (krishterë) dhe të Lindjes se Mesme (Islamik). Konflikti, edhe sot aktiv, është evident edhe në ndeshjen e dy kombeve: serbëve, kryesisht të krishterë ortodoksë, dhe shqiptarëve etnikë, kryesisht myslimanë. (Dushan Batakoviq, ish-ambasador i Serbisë dhe Malit të Zi në Greqi dhe këshilltar i presidentit Boris Tadiq për Kosovën).

Përgjigja nga Noel Malcolm:

Nga pamja, sugjerimi që del nga kjo pyetje është i besueshëm. Nëse ‘largimi’ ka kuptim më shumë se vetëm  dallimi i ndërgjegjjes, nëse ka kuptim të tëhuajsimit apo dyshimit që shpie në armiqësi dhe konflikt, atëherë largimi i përgjithshëm mes dy popujve duket se kjo duhet të jetë bërë deri diku edhe shkaku i përgjithshëm. Religjioni përmban dallimet e përgjithshme mes serbëve dhe shqiptarëve: gati të gjithë serbët janë ortodoksë dhe shumica dërmuese e shqiptarëve në Kosovë janë myslimanë.  Në të dy rastet etiketa religjioze mund të nënkuptojë pjesëmarrjen aktive në jetën fetare ose mund t’i referohet vetëm bazës kulturore; shumica e popullatës së sotme urbane nuk shkon as në xhami e as në kishë. Në anën tjetër, gjuha është dallim i përgjithshëm edhe më i madh: shqiptarët, myslimanë e katolikë, flasin shqip. Por, do të ishte e pazakonshme të thuhet se armiqësia mes shqiptarëve dhe serbëve ngritet vetëm nga dallimet gjuhësore; fakti i dallimit nuk çon domosdo në faktin e konfliktit. Patjetër kemi të bëjmë me disa faktorë të tjerë të rrezikut të konfliktit.

Aty ku kemi të bëjmë me atë që thuhet për rrezikun e dallimit religjioz të armiqësisë, ata faktorët tjerë, siç na thonë, gjenden në tërë natyrën e jetës nën sundimin otoman. Të krishterët kishin status ligjor në shoqërinë otomane, por ky status ka qenë i dorës së dytë; ata kanë vuajtur nga disa paaftësi, siç ishte mos pranimi i dëshmive të tyre kundër myslimanëve në gjykatë dhe kanë paguar disa taksa më shumë. Klasa sunduese – mbi të gjitha, pronarët e mëdhenj të tokave, të cilët ushtronin pushtet lokal – kanë qenë myslimanë. Prandaj, serbët e krishterë i urrenin shqiptarët myslimanë.

Edhe pse këtu ka disa të vërteta, nuk ka arsye të mjaftueshme që përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje të justifikohet me ‘Po’. Shtypja nga pashallarët vendas ka qenë fakt i gjallë, por drejtohej edhe ndaj fshatarëve myslimanë sikur edhe ndaj atyre serbë. Shumica dërmuese e serbëve kanë qenë fshatarë që e punonin tokën; shumica e shqiptarëve myslimanë kanë qenë fshatarë qe e punonin tokën; për pjesën më të madhe të periudhës otomane, kushtet e e jetës, sikur edhe problemet, virtualisht kanë qenë të njëjta. Më 1689, që të dy palët, shqiptarët myslimanë dhe serbët, iu bashkuan ushtrisë austriake në Kosovë për të luftuar kundër otomanëve.

Në vitin 1822, rreth 3000 veta morën pjesë në një protestë të madhe ku marshuan nga Kosova deri në Stamboll, për të kërkuar shkarkimin e pashës tiranik në Prishtinë: protestuesit ishin serbë, përfshirë edhe imamët e xhamive vendase. Vetëm kah mesi i shekullit XIX filloi të vepronte ndarja religjioze si vijë e konfliktit të brendshëm politik. Shkaku gjendet në rrethanat gjeopolitike të rajonit: shtetet e reja me identitet të krishterë (Serbia dhe Greqia së pari) kanë qenë të etura për zgjerimin e territoreve. Prandaj, edhe të etura për të aktivizuar papranueshmërinë e popullatës etnike të llojit të vet brenda kufijve të shtetit. Dhe, kur ata i morën territoret e reja, e përzunë apo e keqtrajtuan popullatën myslimane. Perandoria Otomane kaloi në defansivë dhe banorët e krishterë, nga fqinjët e tyre myslimanë, filluan të konsiderohen si potencial i kolonës së pestë. Për disa shqiptarë kjo gjë e krijoi pretekstin e keqtrajtimit të serbëve lokalë.

Doktrina nacionaliste serbe e ka theksuar rolin e Kishës Ortodokse si esencial në ndërtimin e identitetit serb. Në anën tjetër, doktrina nacionaliste shqiptare e ka theksuar gjuhën shqipe, duke e pranuar diversitetin religjioz të shqiptarëve. Prandaj, është krijuar një asimetri themelore mes këtyre dy pozitave. Por, doktrina serbe historikisht ka qenë më e rëndësishme: është themeluar më herët, është mishëruar në shtetin serb, shumë para se shqiptarët kishin qeveri të tyre. Dhe, ka qenë ky shtet [Serbia], që më 1912 e okupoi shumicën e territorit të Kosovës dhe e vendosi de facto nën sundim serb. Pra, religjioni në realitet kishte rëndësi, deri në një masë, për shkak se kishte rëndësi në ideologjinë nacionale serbe.

Arsyeja kryesore për ‘largimin’ e serbëve me shqiptarët në Kosovë, pra qëndron në historinë e re politike. Por, pjesa më e rëndësishme e kësaj historie është periudha nga viti 1912 deri më sot. Masakrat ndaj shqiptarëve gjatë dhe pas pushtimit; keqtrajtimi sistematik ndaj shqiptarëve në periudhat mes luftërave; represaliet vicioze ndaj serbëve gjatë Luftës së Dytë Botërore; represioni i rëndë i periudhës së hershme të Titos; kuasi-apartejdi dhe përzëniet masive në vitet e Millosheviqit: këta janë faktorët më të rëndësishëm për sqarimin e ‘largimit’ bashkëkohor. Në krahasim me këtë, religjioni është vetëm një pjesë në sfond. /Telegrafi/

Në trend Kultura

Më shumë
Ali Pasha donte marrëdhënie diplomatike e tregtare edhe me Amerikën e largët!

Ali Pasha donte marrëdhënie diplomatike e tregtare edhe me Amerikën e largët!

Kulture
Piruni

Piruni

Daut Dauti
VDES NGADALË

VDES NGADALË

Poezi
IDIL I VDEKUR

IDIL I VDEKUR

Poezi
Sabahetja e Prishtinës

Sabahetja e Prishtinës

Kulture
Biznesi i filmave ... mbaroi!

Biznesi i filmave ... mbaroi!

Kulture
Kalo në kategori