LAJMI I FUNDIT:

Maki Begolli, i mbijetuari i Masakrës së Dubravës: Kujtimi që të ndjek si mallkim

Maki Begolli, i mbijetuari i Masakrës së Dubravës: Kujtimi që të ndjek si mallkim

Si 22-vjeçar përjetoi Masakrën e tmerrshme në Burgun e Dubravës. Pasojat e tmerrit që pushteti serb ua shkaktoi shqiptarëve, i vuan ende me trupin e tij. Kujtimet ia shtojnë dhembjet, por më shumë fakti se nuk janë përndjekur ekzekutorët e krimit makabër ndaj të burgosurve shqiptar…

Maki Begolli është pejani 40-vjeçar, vuajtjet e të cilit tejkalojnë moshën e tij kalendarike . Si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), u arrestua nga pushteti serb më 24 gusht të vitit 1998, nën akuzën për terrorizëm.

Luftës ai i ishte bashkuar në fund të majit 1998, në Gllogjan.


“Komandant i përgjithshëm në zonën operative të Dukagjinit ishte Ramush Haradinaj. Pas ofensivës së Gllogjanit, më 24 gusht jam arrestuar pas spiunimit të një shqiptari. Në atë aksion që ka ndërmarr Policia serbe, janë arrestuar: Arsim Kullashi, Blerim Krasniqi, Dardan Murati, ndërsa Vedat Haxhiislamin nuk kanë mundur ta kapin”, ka thënë ai për Telegrafin.

Kur u arrestua, Maki ishte 22-vjeçar. Ai u dërgua fillimisht në stacionin e Policisë serbe në Pejë, ku për pesë ditë iu nënshtrua torturave të rënda psikike e fizike.

“Na kanë rrahur me shufra të hekurit dhe me gazetë të lagtë. Kërcënonin që do të ma vrasin edhe familjen. Pas pesë ditëve na kanë dërguar në paraburgim”, tregoi Begolli torturimet që i ka përjetuar, e për vuajtjet që nuk mbarojnë aty.

Ai dërgohet në Burgun e Pejës ku qëndron deri në dhjetor të vitit 1998. Transferimi i tij i radhës u bë për në Burgun e Dubravës. Aty e sheh vdekjen me sy, për të mos pasur shpresë se do të mbesë gjallë.

“Na ka pritur një ushtri me gardianë, duke ushtruar dhunë mbi ne. Jemi futur nëpër dhoma. Mua më kanë dërguar në pavijonin C – të izolimit. Dhoma ishte pa dritare”, thotë Begolli. “Dhuna nuk ndaloi për 24 orë. Nuk munguan as torturat me ujë të ftohtë e në temperatura të ulëta”.

Kjo zgjati deri në ndërrimin e pavijonit – nga C në B – kur për pak pushojnë torturat ndaj tij.

Begolli ka qenë prezent në momentin e lirimit të Ukshin Hotit dhe Rasim Plavës. Për të është i habitshëm lirimi gjatë vikendit.

“Mbikëqyrës ka qenë Branko Komotina. Ishim disa veta dhe po e pyesnim se ku do t’i çojnë. Ai u përgjigj: ‘I lëshuan, i mori i Kryqi Kuq Italian”. Ka qenë ditë e diel. Asnjëherë s’kemi dëgjuar që ditën e diel të lëshohen të burgosurit. Atëherë as administrata nuk punonte”, tregoi ai momentin daljes së Ukshin Hotit nga burgu.

Parandjenjat Makin nuk e lenin rehat në majin e vitit 1999. Ai thotë se ndjente që diçka do të ndodhte, sepse “aeroplanët fluturonin më afër se që duhej”.

19 maji ishte dita kur filluan bombardimet e para të NATO-s. Ishte ky fillimi i tmerrit serb ndaj të burgosurve të pambrojtur shqiptarë.

“Isha duke luajtur shah me Fejzën e Runikut. Është gjuajtur bomba e parë në pavijonin C. Aty mbetën tre të vrarë dhe disa të tjerë të plagosur. Ndër të parët kam shkuar me Blerim Krasniqin dhe Arsim Kullashin për të dhënë ndihmë. I kemi thyer dyert e hekurit, që në kushte normale nuk mund të thyhen. Në mesin e të plagosurve e kam tërhequr Gazmend Zekën, ushtar i UÇK-së. Gardianët kanë dalë jashtë. Brenda kemi mbetur veç ne”, tha ai.

Ajo ditë ishte sfiduese. Begolli me të tjerët janë kujdesuar për të plagosurit, duke u munduar të gjejnë ushqim për ta.

“Më datën 21 më ka ardhur informacioni që në pavijonin e pranimit janë disa të burgosur gjakovarë që nuk duan të dalin jashtë. Kam shkuar me Blerim Krasniqin, diku rreth orës 20:00 të mbrëmjes. Me vete kam pasur disa bukë, sepse e kemi thyer furrën. Kërcita në derën, mirëpo nuk e hapnin. Më thanë : ‘Nuk guxojmë, ju jeni spiunë. Kështu na kanë thënë gardianët’. Ndërkohë e kam hapur dritaren e bodrumit. Aty më ka parë Yll Kusari dhe Mithat Guda. Në njohën. Në atë moment, prej karakollit më kanë gjuajtur me kallash. Fal zotit që kemi qenë të stërvitur dhe kemi shpëtuar. Hymë brenda. Aty e pash edhe dajën tim”, tregon ai një nga momentet e errëta të Dubravës.

Të gjithë të burgosurit ishin të frikësuar nga gjendja në të cilën ndodheshin. E, në momentin që të burgosurit kanë dalë nga pavijoni i pranimit, ka bombarduar sërish NATO.

“Labinot Guda, Burim Kryeziu e Hasan Hoda u plagosën. Kemi ikur secili që të shpëtojmë. Pastaj u kthyem që të japim ndihmë. Ka qenë rëndë i plagosur Mujë Tafilaj, nga Komuna e Klinës. Ai e ka pasur arterien kryesore të dëmtuar. Ia kemi ndal disi gjakun”, tha ai, duke shtuar se kur e kanë dërguar Tafilajn në spital, atë e kanë mbytur motrat medicinale.

Bombardimet zgjatën tërë ditën. Të nesërmen, të gjithë të burgosurit nga frika kanë qëndruar jashtë.

“Thirrën nga karakolli për t’u bërë rresht, se donin gjoja të na numëronin. Sapo jemi rreshtuar, kanë gjuajtur me të gjitha llojet e armëve. Kam filluar të vrapoj. Në atë moment ka mbetur i plagosur Nazmi Shala, të cilin e kam tërheq. Në dorë ma vranë. E kam qit në një pjerrtësi. Kur e pash që s’ka shenja jete, ia kam mbuluar fytyrën, ia këndova një dua dhe vazhdova”, rrëfen Begolli, përderisa në sytë e tij edhe sot shihet tmerri që ka përjetuar.

Të gjithë të burgosurit filluan të organizoheshin për t’u përkujdesur ndaj të plagosurve, por edhe ndaj të tjerëve.

“Na kanë ndihmuar shumë Sheremet Ahmeti, Avni Klinaku, Nait Hasani, Bislim Zogaj etj. Jemi nda secili për të dhënë kontributin e vet. Disa nga traumat kanë bërë vetëvrasje”, thotë ai, duke treguar një rast të tillë. “Isha me dajën tim, Afrim Cakën, ku njëri (nuk më kujtohet emri) ka qenë i plagosur. Ai kërkoi që unë të qëlloja mbi të pasi isha shqiptar, meqë nuk donte që ta vrisnin serbët. Mirëpo, daja më ndaloi duke më thënë: ‘Nuk je ti nga ta’. Nuk e bëra atë që kërkoi. Kur kemi dal, atë e kanë vra”, thotë Begolli.

Shumica e të burgosurve kanë qëndruar në kuzhinë dhe në pavijone tjera. Jashtë serbët gjuanin. Të lënduarit kishin nevojë për ndihmë mjekësore. Kështu, disa siguronin ushqim, disa ndihmonin e një pjesë e të burgosurve shqiptarë kishin zënë pozicione për të bërë rezistencë nëse serbët futen dhe gjuajnë nëpër objekte.

“Kam qëndruar në kuzhinë. Kanë filluar të gjuajnë në brendi të objektit me granat e bomba dore. Për të shpëtuar, kam rënë në mes dy të vdekurve dhe jam mbuluar. Me mua kanë qenë: Afrim Caka, Yll Ferizi, Skender Sina dhe disa tjerë. Kur e gjuajtën një bombë, e kam kap në dorë dhe e kam kthyer shpejtë, pasi e dija për sa sekonda kërcet. Pasi e pamë që nuk kishim tjetër rrugëdalje, dolëm të gjithë jashtë”, rrëfen ai atë periudhën të cilën nuk e ka aspak të lehtë ta kujtonte.

Pasi i kanë në rresht, më 23 maj, të burgosurit shqiptarë nuk e dinin se çfarë do t’i gjente. Në çdo çast ata pritnin të shtënat.

“Një motorollë u dëgjua dhe çdo gjë ndryshoi. Filluan të na gjuajnë cigare. Në atë moment tentova me ikja, por kur e kam kthyer kokën pash plot policë. Edhe të burgosurit ordinerë ata i kanë veshur si gardianë. Na dërguan në sallë të sportit, e nga aty të gjithëve na transferuan në Burgun e Lipjanit. Të plagosurit i dërguan në spitalin e Prishtinës”, shprehet Begolli.

Maltretimet edhe në Lipjan kanë qenë pjesë e rutinës së serbëve. Nga këto tortura që ata ushtronin, madje ka pasë edhe të vdekur.

“Edhe mantelbardhët serbë kanë bërë krim ndaj të plagosurve, duke i vrarë. Më 10 qershor jemi shpërndarë nëpër burgjet e Serbisë. Mua më dërguan në Nish. Aty edhe me çekiç të hekurit na kanë rrahë. Me u çua nga krevati është dashur të më mbajnë”, tha ai. “56 kilogramë i kisha. Nëna, kur më erdhi në vizitë, nuk më njohu. Nga keqtrajtimet dhe kushtet e rënda, veshkën e majtë e kam vetëm 15 për qind funksionale. Nga rrahjet më është dëmtuar edhe arterja kryesore e këmbës”.

Ishte 28 gushti i vitit 2000, kur Mak Begolli është liruar. Ai thotë se 19 viktima janë nga bombardimet e NATO-s në Burgun e Dubravës, e se të tjerët u vranë nga serbët. Sipas tij, në këtë masakër janë vrarë 260 shqiptarë, ndërsa janë plagosur 300 tëtjerë.

“720 të burgosur kanë shpëtuar nga masakra e Dubravës. Emrat e kriminelëve që kanë bërë masakër në burgun e Dubravës, janë: Driton Spiro, Svetllan Matanoviq (i burgosur), Aca Paviceviq (i burgosur malazez), mbikëqyrësi Branko Komotina, gardiani Mitar, Mançe Krstiq, Boban Basqeviq, komandanti Mirolub Vidiq (Miki), drejtori Aleksandar Vojisllav Rakoqeviq, zëvendësdrejtori Zharko Zhivkoviq… Të gjithë këta kanë torturuar e vrarë”, thotë Begolli, duke shtuar se të gjithë këta ende nuk janë përndjekur për krimet e kryera. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Vëllau i Liridona Ademajt: Fëmijët janë të brengosur nga fakti që e panë se si babai i tyre e shtrëngoi për krahu nënën e tyre që të kryhet më lehtë vrasja

Vëllau i Liridona Ademajt: Fëmijët janë të brengosur nga fakti që e panë se si babai i tyre e shtrëngoi për krahu nënën e tyre që të kryhet më lehtë vrasja

Lajme
Policia kërkon bashkëpunimin e qytetarëve për identifikimin e tre personave për shpërdorim të pasurisë

Policia kërkon bashkëpunimin e qytetarëve për identifikimin e tre personave për shpërdorim të pasurisë

Kronika e Zezë
Deliu: Ministria e Bujqësisë refuzoi projektin e grave të Krushës, por ia ndau 100 mijë euro vëllait të Fitore Pacollit

Deliu: Ministria e Bujqësisë refuzoi projektin e grave të Krushës, por ia ndau 100 mijë euro vëllait të Fitore Pacollit

Lajme
​Ambasadori francez kërkon që Radoiçiq dhe grupi i tij të dalin para drejtësisë

​Ambasadori francez kërkon që Radoiçiq dhe grupi i tij të dalin para drejtësisë

Lajme
Nagavci: Kam nënshkruar kontratat për ndërtimin e tri çerdheve dhe një shkolle

Nagavci: Kam nënshkruar kontratat për ndërtimin e tri çerdheve dhe një shkolle

Lajme
Rasti i 2.1 milionëshit, zëvendësministri Sallahu: 500 mijë euro janë në një bankë në Turqi, po punojmë me autoritetet atje që t’i kthehen Thesarit të Shtetit

Rasti i 2.1 milionëshit, zëvendësministri Sallahu: 500 mijë euro janë në një bankë në Turqi, po punojmë me autoritetet atje që t’i kthehen Thesarit të Shtetit

Lajme
Kalo në kategori