LAJMI I FUNDIT:

Mahmuti thotë se UÇK-ja nuk ka vrarë civilë, mohon se është autor i komunikatës 59

Mahmuti thotë se UÇK-ja nuk ka vrarë civilë, mohon se është autor i komunikatës 59

Dëshmitari Bardhyl Mahmuti e ka mohuar autorësinë e komunikatës së 59-të të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në të cilën ishte shpallur tradhtar Gani Geci pas vrasjes së Abedin Rexhës.

Mahmuti ka thënë se komunikata ka qenë kërkesë e NATO-s dhe SHBA-së dhe se ai e ka diktuar te njerëzit që të publikohet nga Kosova por se nuk është autor i atij dokumenti.


Këtë deklaratë Mahmuti, në cilësinë e dëshmitarit, e ka dhënë të enjten në gjykimin ndaj Pjetër Shalës, në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë.

Ai ka thënë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) nuk ka vrarë civilë.  Këtë konstatim, Mahmuti e ka dhënë duke iu përgjigjur në kundër-pyetjet e prokurorit të specializuar Filippo De Minicis, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.

Mahmuti tha se që nga marsi i 1998-ës deri në qershor 1999, ka mbajtur mbi 30 konferenca në seli të Kombeve të Bashkuara dhe se këtë qëndrim e ka përsëritur gjithmonë.

Këto deklarime erdhën pas fillimit të pyetjeve lidhur me një intervistë për gazetarë të huaj, e pretenduar se ka ndodhur më 15 prill 1998 në zyre të gazetës “Zëri i Kosovës” në Zvicër.

Fillimisht Mahmuti tha se kjo datë vë në dyshim vërtetësinë e saj pasi që në atë periudhë nga 11-15 prilli ka qenë në Paris si dhe tha se asnjëherë nuk ka bërë asnjë intervistë me gazetarë të huaj në selinë e kësaj gazete.

‘‘Pa e dit përmbajtjen, ju garantoj asgjë s’ka të vërtetë sa më përket mu’’, shtoi ai.

Kur prokurori De Minicis lexoi një pjesë ku thuhet se dëshmitari ka thënë se UÇK-ja ka vrarë vetëm anëtarë të shërbimeve sekrete represive, zyrtarë të veshur me dhe pa uniforma, ai tha se ky ka qenë deklarim i bërë në takimin me Gelbard.

Ai sqaroi kishte thënë se cak i sulmeve të UÇK-së kishin qenë pjesëtarë të aparateve represive dhe se UÇK-ja nuk ka pasur cak vrasjen e civilëve por shkatërrimin e aparateve represive.

Pas këtyre deklarimeve, prokurori paraqiti edhe një komunikatë kur përmendet vrasja e Mustafë Kurtit si bashkëpunëtor i pushtuesit dhe pyeti dëshmitarin se a nuk konsiderohet civil vrasja e një nëpunësi të zyrës postare.

Mahmuti është përgjigjur duke shtruar pyetje: ‘‘Unë e përmbys pyetjen me pyetje, çfarë garancie keni që s’ka qenë pjesë e strukturave të aparateve represive ky njeri?’’.

Në vazhdim, dëshmitari ka thënë se nuk ka lexuar aktgjykimet dënuese të asnjë procesi gjyqësor që bazën e ka në 27 mijë faqet e shërbimit sekret serb që kanë dorëzuar autoriteteve të UNMIK-ut.

Ai tha se nuk ka lexuar mbi provat e Serbisë dhe se nuk lexon procese gjyqësore të sajuara.

Paraprakisht, dëshmitari ka thënë se ai ka qenë nënshkrues i njoftimeve nga takimet që ka mbajtur si përfaqësues politik por se tha se ‘‘asnjë komunikatë në emër të UÇK-së nuk e ka nënshkruar Bardhyl Mahmuti’’.

Ndërkaq lidhur me komunikatën numër 59 për të cilën dëshmitari përmes rrjetit social ‘Facebook’ kishte hedh akuzat e  Gani Gecit, i cili kishte thënë se është Mahmuti hartues i kësaj komunikate, ai shtoi se komunikata ka qenë kërkesë e NATO-s dhe ShBA-së dhe se ai e ka diktuar te njerëzit që të publikohet nga Kosova” por se tha se nuk e ka shkruajtur ai,

Lidhur me postime nga ana e tij në këtë rrjet, prokurori e ka pyetur edhe për publikimin ku ka thënë se DhSK-ja dhe ZPS-ja nuk kanë asgjë të përbashkët me institucionet e drejtësisë dhe se ata janë ndërmarre politike kriminale që ka për qëllim të dëmtojë luftën çlirimtare të popullit të Kosovës.

Ai tha se kjo është një deklaratë e shkëputur dhe duhet të sqarohet në tërësi pasi që ka qenë pjesë e një shkrimi të publikuar në media.

Po ashtu, u pyet për një deklarim në një debat televiziv në ‘RTK Prime’ ku dëshmitari tha se deklaratat janë të sakta sepse çdo provë e marrë nga shërbimi sekret serb për të cilësuar UÇK-në si ndërmarrje e përbashkët kriminale ka qenë e papranueshme.

Tutje, edhe për deklarimin lidhur me dënimin e Nasim Haradinja. Hysni Gusati, Salih Mustafa që sipas tij kjo gjykatë është krijuar mbi bazën e sajesave politike dhe nuk është bërë për heqje të akuzave shpifëse por për uljen e Ushtrisë Çlirimtare në bankën e të akuzuarve, ai tha se s’duhet të krijohet një gjykatë për të thënë është fajtor apo s’është fajtor, por për të ndriçuar krime.

Ai shtoi se krime ka pasur por kjo duhet të ndriçohet duke marrë personat përgjegjës ndërkohë që tha se fakti që është duke dëshmuar tregon se ai ndan pikëpamjet e tij politike nga procesi gjyqësor.

Një kohë të shkurtë seanca ka kaluar në sesion privat për parashkrimin e disa pyetjeve nga ana e prokurorit.

Ndërkaq, duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të viktimave Simon Laws, dëshmitari tha se në majin e 1998-ës kishte qenë në Kukës por se sapo kishte mbërritur në një shtëpi, ishte telefonuar për të shkuar në Tiranë në mënyrë që të vazhdonte për në Zvicër dhe të takohet me diplomatë amerikanë.

Mahmuti kategorikisht mohoi të kenë qenë në njohuri të fabrikës së metalit në Kukës dhe se tha se nuk ka qenë asnjëherë aty.

Madje ai tha se nuk e ka ditur se UÇK-ja në prill-qershor 1999 të ketë pasur bazë në Kukës pasi që nuk është marrë me çështje që nuk i kanë takuar.

Lidhur me kalimin e kufirit Kosovë-Shqipëri jashtë pikave kufitare, ai tha se nuk di raste konkrete por se është e ditur se armatimi është kryer përmes atyre rrugëve.

I pyetur nëse po thotë se nuk ka viktima në këtë çështje gjyqësore, dëshmitari tha se viktima civile ka por se çështja qëndron se kush i ka vra.

Më tej ai tha se për personat në Kukës ka bindjen se janë sajesa të shërbimeve sekrete serbe dhe se po të dyshonte se Pjetër Shala është i përfshirë në ndonjë krim nuk do të vinte të dëshmonte, por sipas tij, ka ardhur të dëshmojë për sajesa të shërbimit sekret serb me dëshmi serbe.

Në këto rrethana, dëshmia e këtij dëshmitari ka përfunduar dhe gjykimi ndaj Pjetër Shalës pritet të vazhdojë më 2 tetor 2023.

Në trend Lajme

Më shumë
Ekipet e reja për mbledhjen e mbeturinave, Rama njofton se janë sulmuar fizikisht punëtorët në lagjen Dardania

Ekipet e reja për mbledhjen e mbeturinave, Rama njofton se janë sulmuar fizikisht punëtorët në lagjen Dardania

Lajme

"Daily Mail" shkruan për kosovarin me nënshtetësi angleze që po mbahet në një burg ferri në Serbi

Lajme
Gashi: Mandatori i ardhshëm për kryeministër duhet së pari të flasë me ne

Gashi: Mandatori i ardhshëm për kryeministër duhet së pari të flasë me ne

Lajme
Pasuria e kryetarit të Suharekës e deklaruar në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit

Pasuria e kryetarit të Suharekës e deklaruar në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit

Lajme
Hyri ilegalisht nga Serbia në Kosovë, policia ndalon të dyshuarin

Hyri ilegalisht nga Serbia në Kosovë, policia ndalon të dyshuarin

Kronika e Zezë
Kryetari i Istogut deklaron mbi 3 mijë euro kursime në bankë, e bashkëshortja e tij vetëm 30

Kryetari i Istogut deklaron mbi 3 mijë euro kursime në bankë, e bashkëshortja e tij vetëm 30

Lajme
Kalo në kategori