Nga: Mark Twain
Përktheu: Granit Zela

Ishte koha e lavdishme e ngadhënjimit dhe ndjenjave të zjarrta popullore. Vendi kishte rrokur armët, lufta vazhdonte, në çdo kraharor digjej zjarri i shenjtë i patriotizmit, trumbetat binin, orkestrat frymore gjëmonin, pisqollat shkreheshin si të ishin lodra, fishekzjarret fishkëllenin dhe shpërthenin në qiell; në duart e gjithkujt dhe në mizërinë e çative dhe ballkoneve të shtëpive dallgëzonte deti i flamujve shumëngjyrësh nën diell; rinia vullnetare bënte marshimin e përditshëm në shëtitoren e madhe, gazmorë dhe me uniformat e reja që u rrinin bukur, kurse etërit, nënat dhe motrat, bashkë me të dashurat krenare, brohorisnin me zërat që drithëroheshin nga lumturia duke kënduar; në mbledhjet e natës njerëzit shtynin njëri-tjetrin për të dëgjuar, duke gulçuar, nën ndikimin e oratorisë patriotike e cila trazonte shpirtrat e çonte peshë zemrat, ndaj dhe herë pas here fjalimet ndërpriteshin nga stuhi duartrokitjesh, derisa lotët u shkisnin teposhtë faqeve; në kisha pastorët predikonin besnikëri ndaj flamurit dhe vendit, përmendnin Zotin e Luftës, duke u lutur për mbështetjen e Tij për kauzën tonë të mirë ndërsa gojëtaria e tyre e kulluar buçiste e trondiste këdo që dëgjonte.

Ishte me të vërtetë kohë e lumtur dhe e hirshme, dhe ato pak shpirtra të nxituar që guxuan të mos e pranonin luftën e të vinin në dyshim drejtësinë e saj, morën aty për aty një paralajmërim kaq të rreptë dhe të inatosur sa për hir të sigurisë së tyre vetjake u tretën sysh dhe nuk fyen më asisoj.

Mëngjesi i të dielës mbërriti, të nesërmen batalionet do të niseshin për në front. Kisha ishte plot e përplot me njerëz; ishin vullnetarët aty, fytyrat e tyre rinore ndriçonin nga ëndrrat me luftë – vegime të përparimit të palëkundur të trupave, mble­dhja e forcave, vrulli i sulmit, shpatat që vetëtinin, arratia e armikut, rropama e përleshjes, tymnaja që ngrihej në qiell, ndjekja këmba-këmbës e të mundurve, dorëzimi i tyre, kthimi nga lufta në shtëpi, si heronj prej bronzi, të mirëpritur, të adhuruar, të zhytur në detin e artë të lavdisë!

Afër vullnetarëve ishin ulur të dashurit e tyre, krenarë, të lumtur ata shiheshin me zili nga fqinjët dhe miqtë të cilët s’kishin djem dhe vëllezër për t’i dërguar atje, në fushën e nderit, për të fituar për flamurin ose, nëse nuk ia dilnin dot, të kishin fatin të përjetonin më madhështoren ndër të gjitha vdekjet madhështore. Mesha vazhdoi; u lexua një kapitull për luftën i Testamentit të Vjetër; u bë lutja e parë; ajo u pasua nga një shpërthim i muzikës se një organoje që shkundi ndër­tesën dhe, sakaq, të gjithë u ngritën në këmbë, me vështrim krenar dhe zemrat që rrahin fort, ndërsa nga kraharorët gjëmoi thirrja e jashtëzakonshme:

“Zot, më i tmerrshmi Zot! Ti na urdhëron!

Pastaj ishte radha e lutjes “së gjatë”. Askush s’mbante mend diçka të ngjashme me atë lutje emocionale, prekëse dhe gjuhën e bukur që u përdor. Detyra e kësaj përgjërate ishte, që një atë gjithnjë i mëshirshëm dhe bujar me të gjithë ne, t’i ruante ushtarët tanë të rinj e fisnikë, t’i ndihmonte, t’ua lehtësonte mundimin, t’i nxiste për vepra atdhetare, t’i bekonte, t’i mbronte në ditën e betejës dhe orën e rrezikut, t’i mbante në pëllëmbën e tij të fuqishme, t’i bënte të fortë dhe me vetë-besim, të pathyeshëm në fillimin e përgjakshëm; t’u ndihte ta shtypnin armikun, t’i jepte flamurit dhe vendit të tyre nderin dhe lavdinë e përjetshme.

Një i huaj në moshë të thyer hyri dhe eci me hapa të ngadaltë dhe pa zhurmë nëpër rreshtin kryesor, me sytë e ngulitur tek pastori. Mbi trup mbante një raso të gjatë deri te këmbët, flokët e thinjura që zgjateshin si shkurrnajë e gufmuar mbi shpatulla, fytyra e krupshme dhe me zbehtësi të çuditshme, gati-gati si e një fantazme. Megjithëse sytë e të gjithëve e ndiqnin ndërsa pyesnin veten se kush ishte, ai u çapit i heshtur; pa u ndalur, u ngjit në anën e predikuesit dhe qëndroi atje duke pritur. Me sytë e mbyllur predikuesi, i pavetëdijshëm për praninë e tij, vazhdoi me lutjen e tij prekëse dhe, më në fund, e përfundoi me fjalët, e shqiptuara gjithë zjarr: “Bekoji armët tona! Jepna fitoren, o Zot. Perëndia ynë, Ati dhe Mbrojtësi i tokës dhe flamurit tonë!”

I huaji e preku në krah, i bëri me shenjë të hiqej mënjanë. Ashtu bëri pastori i trembur dhe i huaji zuri vendin e tij. Për pak çaste këqyri me vështrim solemn audiencën e magjepsur, sytë i vetëtitnin me një dritë të çuditshme, pastaj me një zë kumbues tha: – Unë vij nga froni dhe kam mesazhin e dërguar nga Zoti i Plotfuqishëm!

Fjalët e goditën kishën duke e trandur, por edhe pse i huaji e pikasi këtë efekt, nuk i kushtoi fare vëmendje.

Ai e ka dëgjuar lutjen e shërbëtorit të Tij, bariut tuaj, dhe do t’ia plotësojë nëse kjo do të jetë dëshira juaj pasi unë, i dërguari i Tij, t’ju shpjegoj domethënien e saj, domethënien e plotë. Sepse si shumë lutje të njerëzve, kërkohet më shumë sesa ai që e thotë është i vetëdijshëm për çfarë kërkon, ngaqë nuk ndalet ta peshojë kuptimin. Shërbëtori i Perëndisë dhe juaji e tha lutjen e tij. Po a është ndalur ta peshoj? A është veç një lutje? Jo, janë dy, një e thënë, tjetra e pathënë. Të dyja kanë arritur në veshët e Atij që dëgjon të gjitha lutjet, të thënat dhe të pathënat. Mendojeni këtë, mos e harroni. Nëse kërkoni një bekim për veten, kini kujdes! Bëjeni pa qëllimin që lutja juaj të jetë mallkim për fqinjin. Nëse luteni për bekimin e shirave për të mbjellat e tua të cilat kanë nevojë, kjo lutje mund të jetë mallkim për të mbjellat e fqinjit të cilit shirat mund t’ia kalbin ato.

Keni dëgjuar lutjen e shërbëtorit tuaj, pjesa e thënë me fjalë prej tij. Jam caktuar nga Zoti që ta shpreh me fjalë pjesën tjetër të lutjes, atë pjesë për të cilën pastori dhe, gjithashtu ju në zemrat tuaja, u lutet me shpirt në heshtje. Dhe pa e ditur dhe pa e menduar? Zoti më tha se kështu ishte! Dëgjuat këto fjalë: “‘Jepna fitoren, o Zot, Perëndia ynë!” Kaq mjafton. Tërësia e lutjes së shprehur me fjalë mishërohet në këto fjalë kuptimplota. S’kishte nevojë për stërhollime. Kur u lutët për fitore, ju u lutët për shumë pasoja të papërmendura pas fitores, detyrimisht ka pasoja, e pamundur të mos ketë. Në shpirtin dëgjimtar të Atit Perëndi mbërriti edhe pjesa e pashprehur e lutjes. Ai më porositi mua ta shpreh me fjalë. Dëgjomëni!

O Perëndi, Ati ynë, rinia atdhetare, idhujt e zemrave tona, po nisen për në betejë, qofsh Ti afër tyre! Bashkë me ta, edhe ne po braktisim paqen e ëmbël të ngrohtësisë kaq të dashur të vatrës familjare për ta dërrmuar armikun. O Perëndi, Ati ynë, na ndihmo t’i bëjmë copë e çikë ushtarët e tyre me predhat tona; na ndihmo t’i mbulojmë fushat gjithë jetë me trupat e pajetë të patriotëve të tyre të vdekur; na ndihmo të mbytet gjëmimi i armëve nga britmat e të plagosurve të tyre në grahmat e dhimbjes; na ndihmo që shtëpitë e tyre bujare t’i fshijmë nga faqja e dheut me stuhi flakësh; na ndihmo që zemrat e vejushave të tyre fisnike të plasin prej pikëllimit që s’ka ngushëllim; na ndihmo t’i lëmë pa strehë mbi krye dhe vocërrakët e tyre të enden fillikat në rrënojat e tokës së shkre­tuar, me zhele në trup, të uritur dhe të etur, të pambrojtur përballë rrezeve përvëluese të diellit të verës dhe ciknave të akullta të dimrit, zemërthyer, të rraskapitur nga stërmundimi, ndërsa të përgjërohen Ty për qetësinë e varrit, por Ti ua mohon. Dëgjoje lutjen tonë për Ty, Perëndi që të adhurojmë dhe lëri të pashpresë, rrënojua jetët. Qoftë i pafund pelegrinazhi i tyre plot vuajtje, hapat i paçin të rëndë! Ujite rrugën ku kalojnë me lotët që derdhin, përskuqe borën e bardhë me gjakun e këmbëve të plagosura! Ta kërkojmë, në frymën e dashurisë, Ty që je burimi i dashurisë, dhe Ty që je streha gjithnjë besnike dhe miku i të gjithë atyre që janë të lënduar dhe kërkojnë ndihmën Tënde me zemra të përulura dhe të penduara. Ashtu qoftë.

(Pas një pushimi të shkurtër.)

Këtë lutje bëtë. Nëse ende dëshironi që kjo të ndodhë, flisni! Lajmëtari i Më të Lartit po pret!

Më vonë besohej se burri kishte qenë i çmendur, sepse s’kishin kuptim ato që ai tha. /Revista “Akademia”/