LAJMI I FUNDIT:

Lumezi: Për trajtimin e krimeve të luftës është thelbësore të kemi mbështetje institucionale

Lumezi: Për trajtimin e krimeve të luftës është thelbësore të kemi mbështetje institucionale

Kryeprokurori i shtetit, Aleksander Lumezi tha sot në Konferencën Vjetore të Prokurorëve të Shtetit, që u mbajt në mënyrë virtuale se gjatë vitit 2020, Prokurori i Shtetit ka pranuar në punë 43 mijë e 446 kallëzime – lëndë penale, ndërsa ka arritur t’i zgjidhë 49 mijë e 381 lëndë penale. Respektivisht, janë zgjidhur edhe 5 mijë e 935 kallëzime – lëndë penale të bartura nga vitet paraprake.

Lumezi theksoi se bazuar në indikatorët e Komisionit Evropian për Efikasitetin e Drejtësisë (CEPEJ), numri i lëndëve të zgjidhura në raport me numrin e lëndëve të pranuara gjatë kësaj periudhe, rezulton që norma e zgjidhjes së lëndëve nga Prokurori i Shtetit është 113,66%.

“Sipas urdhrave të Prokurorisë janë ndërmarrë masa dhe veprime, të cilat kanë rezultuar me zbardhjen e veprave penale më të rënda, ndërsa janë privuar nga liria dhe janë proceduar shumë pjesëtarë të grupeve kriminale. Në këtë mënyrë, kemi dërguar porosi të qarta te të gjithë se askush nuk mund të vihet mbi institucionet e shtetit”, tha ai.

Ai tha se është e nevojshme të forcohet edhe më shumë vetëdija e prokurorëve të shtetit për domosdoshmërinë e rritjes së efikasitetit dhe vendosmërisë në ndjekjen, zbulimin dhe ndëshkimin e këtyre rasteve. Për trajtimin e lëndëve të korrupsionit të nivelit të lartë, kemi nevojë për njerëz profesionistë, të guximshëm, me integritet dhe të trajnuar, që sigurisht ekzistojnë brenda sistemit prokurorial.

“Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është agjendë shtetërore e Republikës së Kosovës dhe një element shumë i rëndësishëm në rrugën integruese të shtetit tonë në familjen e madhe evropiane. Në këtë drejtim kemi shënjestruar edhe tetë raste të reja që kanë të bëjnë me korrupsionin e nivelit të lartë, krimin e organizuar dhe krimet e tjera të rënda, duke e dërguar në 69 numrin e rasteve të shenjëstruara”, tha Lumezi.

Ai tha se gjatë vitit të kaluar janë ngritur aktakuza të ndryshme për vepra penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, ku në mesin e të akuzuarve ka edhe ish-ministra të Qeverisë së Republikës së Kosovës, gjyqtarë, policë dhe zyrtarë të tjerë shtetëror “… me ç’rast kemi dëshmuar se askush nuk është i paprekshëm për Prokurorin e Shtetit dhe se do të vihen para drejtësisë të gjithë ata persona që kanë rënë ndesh më ligjin, pavarësisht statusit të tyre në shoqëri apo funksionit që ushtrojnë”.

“Jemi të vetëdijshëm se vetëm dënimi me burg i kryesve të veprave penale nuk e lëvizë seriozisht luftën kundër korrupsionit, por krahas tyre duhet të nxirren edhe sanksione plotësuese për ndalimin e ushtrimit të detyrës zyrtare, por edhe vendime për konfiskimin e përhershëm të pasurisë së fituar me vepër penale. Çelësi i suksesit në luftën kundër korrupsionit qëndron në marrjen e fuqisë ekonomike dhe pasurisë së paligjshme të individëve dhe grupeve kriminale. Në këtë drejtim, roli i prokurorëve duhet të bëhet më proaktivë”, u shpreh Lumezi.

Ai tha se rëndësi i është kushtuar edhe luftimit të krimit të organizuar. Gjatë vitit të kaluar, Prokurori i Shtetit ka zgjidhur shtatë raste me 34 persona, nga gjithsejtë tetë raste sa i ka pranuar në punë.

“Falë një hetimi të gjatë të udhëhequr nga Prokurori i Shtetit dhe një bashkëpunimi të ngushtë me institucionet e tjera të zbatimit të ligjit, si me Policinë dhe Inspektoratin Policor, në shtator të vitit 2020 është zhvilluar një operacion i madh në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës, ku me urdhër të prokurorisë u shkatërrua një vatër e madhe e krimit të organizuar, me ç’rast janë arrestuar dhjetëra persona në mesin e tyre edhe zyrtarë policorë, si dhe janë sekuestruar sasi të konsiderueshme të gjërave me vlerë”, tha ai.

“Jemi të vetëdijshëm se rreziqet bashkëkohore të drejtësisë dhe sigurisë nuk mund të zgjidhen nga një shtet i vetëm, prandaj kemi rritur bashkëpunimin rajonal dhe ndërkombëtarë në luftimin e krimeve transnacionale. Ne tashmë kemi bërë progresin e duhur institucional dhe shtetëror edhe në luftë kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Kjo dëshmohet edhe nga raportet me kredibile ndërkombëtare, ku së fundmi, sipas Indeksit Global të Terrorizmit, Republika e Kosovës është renditur në vendin e 135-të, si një ndër vendet më të sigurta në botë, ku ndikimi i terrorizmit është minimal”, tha ndër të tjera Lumezi.

Ai falënderoi SHBA-të, për ndihmën e dhënë në forma të ndryshme për institucionin e Prokurorit të Shtetit, si dhe mbështetjen e vazhdueshme për Republikën e Kosovës, në luftë kundër terrorizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

“Lidhur me trajtimin e krimeve të luftës, dëshiroj të nënvizoj faktin se janë bërë hapa pozitivë në fuqizimin e Departamentit të Krimeve të Luftës, i cili funksionon në kuadër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ku krahas strategjisë për trajtimin e krimeve të luftës, është caktuar edhe një prokuror i ri në këtë departament, duke e çuar në katër numrin e prokurorëve që merren ekskluzivisht me këto raste”, tha ai.

“Mirëpo, për të pasur sukses më të madh, është thelbësore të kemi mbështetje të gjerë institucionale në ngritjen e resurseve për trajtimin e rasteve të krimeve të luftës, të përmirësohet legjislacioni që lehtëson ndjekjen, hetimin dhe gjykimin në mungesë, si dhe të rregullohet çështja e ekstradimit të të dyshuarve me shtetet që nuk e njohin Republikën e Kosovës, veçmas me Serbinë, e cila akoma nuk i dorëzon shtetasit e vet, ashtu që kryerësit e këtyre veprave penale po bëhen të paarritshëm për organet e drejtësisë në Kosovë.

Dëshiroj të theksoj faktin se, në dhjetor të vitit 2020, Prokuror i Shtetit ka marrë mbështetje të fuqishme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për trajtimin e krimeve të luftës dhe jam optimist që së shpejti do të tregojmë rezultate në këtë drejtim”, u shpreh Lumezi.

Sipas tij, mbrojtja e viktimave të krimit ka qenë prioritet, ku siç tha ai “shërbimet ndaj tyre nuk pushuan për asnjë moment as gjatë ballafaqimit  me pandeminë COVID-19.

“Në vitin 2020, Zyra për Mbrojtjen dhe Ndihmën e Viktimave, e cila funksion on në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, ka ofruar ndihmë për 1687 raste të viktimave të të gjitha kategorive. Prej tyre, 1542 kanë qenë viktima të dhunës në familje, 10 raste të trafikimit të qenieve njerëzore. Po ashtu është vërejtur një shtim i rasteve të dhunimeve dhe ngacmimeve seksuale, ku gjatë kësaj kohe janë shënuar 34 raste të dhunimeve dhe 60 raste të tjera të ngacmimeve seksuale”.

“Shpresojmë se me plotësimndryshimin e Ligjit për kompensimin e viktimave të krimit, do të mund të krijohet qasje më e lehtë në realizimin e të drejtës për kompensim për të gjitha viktimat, pa pasur nevojë të pritet deri në përfundim të procesit gjyqësor”. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Lajme
Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Lajme
Nënkryetarja e PE-së e thotë hapur se BE-ja gaboi me masat ndaj Kosovës, tregon pse po amnistohet Serbia

Nënkryetarja e PE-së e thotë hapur se BE-ja gaboi me masat ndaj Kosovës, tregon pse po amnistohet Serbia

Lajme
Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës,

Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës, "Octopus": Urgjentisht të koordinohen veprimet me ndërkombëtarët

Siguri
Tha se ditë të vështira e presin Serbinë, Vuçiq: Nesër ose pasnesër i merrni përgjigjet

Tha se ditë të vështira e presin Serbinë, Vuçiq: Nesër ose pasnesër i merrni përgjigjet

Lajme
Limaj: Nuk duhet të shkojmë në zgjedhje kur dëshiron Kurti

Limaj: Nuk duhet të shkojmë në zgjedhje kur dëshiron Kurti

Siguri
Kalo në kategori