LAJMI I FUNDIT:

Lumezi: Kosova ka parandaluar tentativa për sulme terroriste

Lumezi: Kosova ka parandaluar tentativa për sulme terroriste

Financimi i terrorizmit dhe shpëlarja e parasë vazhdojnë të mbesin sfida për institucionet e Kosovës, ani pse ka rezultate të prekshme gjatë viteve të fundit në parandalimin e terrorizmit dhe financimin e saj. Kështu u tha në fillimin e punëtorisë dy ditore në Prishtinë, me temën “Financimi i terrorizmit dhe shpëlarja e parasë”.

Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi, theksoi se lufta kundër terrorizmit, pastrimit të parave, krimit të organizuar dhe korrupsionit janë elemente shumë të rëndësishme në rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian. Prandaj, sipas tij, kjo rrugë kërkon që të hetohen dhe ndëshkohen të gjithë ata individë që paraqesin rrezik për lirinë, drejtësinë e Kosovës.


Sipas kryeprokurorit, as Kosova nuk ka mbetur imune ndaj sfidës së terrorizmit dhe pastrimit të parave, po ka arritur të parandalojë tentativa për sulme terroriste.

“Gjatë vitit të fundit institucionet vendore me partnerët ndërkombëtarë kanë parandaluar disa tentativa për sulme terroriste që ndërlidhen edhe me vendet tona dhe shtetet e tjera të rajonit.

Të gjithë ata shtetas tonë që kanë shkelur ligjin duke u kyçur në inspirime, nxitjen dhe në rekrutimin direkt të qytetarëve për të luftuar në Siri dhe Irak janë identifikuar nga Agjencionit e sundimit të ligjit dhe janë marr masat adekuate ligjore.

Në këtë drejtim nuk kanë munguar as aktgjykimet dënuese dhe përfundimisht Kosova dhe sistemi prokurorial kanë arritur sukses të lakmueshëm. Gjatë vitit 2016 kemi pasur 37 kallëzime penale me 103 persona, ndërsa kemi zgjidhur 28 kallëzime penale me 66 persona nga të cilat kemi ngritur 27 akte akuzuese.

Ndërsa periudhës janar mars 2017 kemi pranuar 1 rast me tre persona, pra kemi rënie të rasteve të pranuara dhe kjo është si reflektim i përgjigjes adekuate që ka zhvilluar sistemi gjyqësor dhe sistemi i sigurisë ndaj këtij aktivitet tejet të rrezikshëm”, tha Lumezi. /KP/