LAJMI I FUNDIT:

Lul Raka tregon pse mjekët po hezitojnë të vaksinohen kundër COVID-19

Lul Raka tregon pse mjekët po hezitojnë të vaksinohen kundër COVID-19

Mikrobiologu Lul Raka, pasi sot ka marr vaksinën anti-COVID-19, ka sqaruar se pse nuk është vaksinuar deri sot dhe pse mjekët po hezitojnë të marrin këtë vaksinë.

Raka, përmes një postimi në Facebook, ka treguar se ende nuk i ka as 5 muaj nga shërimi prej COVID-it  dhe “në kohën kur Kosova ka numër simbolik vaksinash nuk kam dashur ta marr vaksinën para atyre që janë më të rrezikuarit dhe kanë nevojë më së shumti për vaksinë: të moshuarit dhe ata me sëmundje kronike”.

Ai thotë se vaksinën e ka marrë edhe gjyshja ime 89 vjeçare, e për ta marrë vaksinën po pret në rend edhe axha im si pensionist e punëtor shëndetësor 75 vjeç edhe djali im 19 vjeç me probleme kronike shëndetësore.


Raka ka treguar se pse disa mjekë po ngurrojnë për të marrë vaksinën anti-COVID.

“Disa kanë thënë se po frikohen nga efektet anësore të vaksinës, me theks të veçantë në mpiksjen e gjakut nga vaksina Astra-Zeneka. Efekte anësore ka çdo vaksinë. Por ethet apo dhembja kalimtare sot është shumë më e lehtë sesa gypi i respiratorit në kujdesin intensive në spitalin Covid nesër!”, ka shkruar Raka, transmeton Telegrafi.

Postimi i plotë i Rakës:

“VAKSINOHU!

Pse nuk jam vaksinuar deri sot?

Sepse ende nuk i kam as 5 muaj nga shërimi prej kovidit dhe në kohën kur Kosova ka numër simbolik vaksinash nuk kam dashur ta marr vaksinën para atyre që janë më të rrezikuarit dhe kanë nevojë më së shumti për vaksinë: të moshuarit dhe ata me sëmundje kronike. Vaksinën e ka marrë edhe gjyshja ime 89 vjeçare, e për ta marrë vaksinën po pret në rend edhe axha im si pensionist e punëtor shëndetsor 75 vjeç edhe djali im 19 vjeç me probleme kronike shëndetësore.

Pse u vaksinova sot?

Për të dërguar mesazh tek ata punëtorë shëndetësorë që po ngurrojnë të vaksinohen. Kohëve të fundit kemi parë se në spitalet rajonale në Gjilan, Prizren e Pejë, por edhe në të gjitha institucionet shëndetësore ka punëtorë që kanë dyshime për vaksinim. Nëse ata dyshojnë në vaksinim, atëherë, ndoshta do të duhej ta heqin mantilin e bardhë dhe të kërkojnë ndonjë punë tjetër për të mbajtur familjen.

Pse po ngurrojnë mjekët për t’u vaksinuar?

Disa kanë thënë se po frikohen nga efektet anësore të vaksinës, me theks të veçantë në mpiksjen e gjakut nga vaksina Astra-Zeneka. Efekte anësore ka çdo vaksinë. Por ethet apo dhembja kalimtare sot është shumë më e lehtë sesa gypi i respiratorit në kujdesin intensive në spitalin Covid nesër!

Nëse e krahasojmë rrezikun e mpiksjes së gjakut, e shohim se deri sot janë regjistruar 4 raste mpiksjesh në 1 milionë të vaksinuar. Por në anën tjetër ky rrezik te përdorimi i pilulave kontraceptive është deri 1200 raste në 1 milionë gra; apo 1763 raste në 1 milionë duhanxhinj dhe së fundmi 165.000 raste të mpiksjes ndodhin në 1 milionë pacientë të cilët janë të sëmurë me kovid.

Vaksina Astra-zeneka, 21 ditë pas marrjes së dozës së parë, mbron 100% nga vdekja dhe hospitalizimi.

Deri sot janë vaksinuar miliona njerëz në botë me këtë vaksinë, përfshirë edhe liderë si Angela Merkel e Albin Kurti dhe prijësit e vijës së parë të luftës kundër kovidit në vend në krye me Salih Ahmetin.  Nuk e di çka po presin punëtorët shëndetësorë!

Kur jemi te efektet anësore dhe rreziqet kemi plot shembuj tjerë në jetën e përditshme, duke filluar prej duhanit. Të gjithë e dijmë se duhani vret. Ky mesazh shkruan në çdo paketë të cigareve. Duhani vret 6 milionë njerëz në botë brenda një viti, por ju vazhdoni me pasion ta pini duke rrezikuar veten dhe fëmijët e vegjël që rrijnë në një dhomë me Ju.

Pijet e sheqerosura që shkaktojnë diabet, sëmundje kardiovaskulare e obezitet (si psh. Coca-cola) shkaktojnë 184.000 vdekje në vit në mbarë botën- mija herë më shumë sesa vaksina!

Tjetër, rreziku për të vdekur nga rrëzimi i aeroplanit është më i madh sesa vdekja nga vaksina, por ju vazhdoni të hipni në aeroplan. Rreziku për të humbur jetën në trafik komunikacioni është edhe më i madh, por Ju vazhdoni të udhëtoni me veturë e autobus.

Një arsyetim tjetër i mjekëve tanë ka qenë pritja për vaksina tjera “më të mira”. Por, mund të ndodh që do ta humbni rendin dhe do të duhej të prisni deri sa të vaksinohen të gjitha kategoritë me dozën e parë.

Cili është mesazhi?

Deri sot kemi mbi 2000 jetë njerëzish të humbura në vend, mijëra tjerë që kanë kaluar katrahurën e sëmundjes me 100 sfida. Askush nuk e di në cilën derë do të trokasë vdekja nesër e pasnesër.

Fatkeqësisht, shumë njerëz në Kosovë po mendojnë se e drejta për makiato apo kanagjegj është më e madhe sesa e drejta për jetë. 

Varianti i ri po bartet shumë shpejt duke prekur edhe moshat e reja. Prandaj individi e ka fatin e kësaj përballje në dorë.

Zbatoni masat sepse vetëm kështu mbroni familjen Tuaj! Kurse, spektri politik duhet ta kuptojë që ne e kemi vetëm një armik të përbashkët- Covidin, e jo njëri tjetrin!

VAKSINA ËSHTË NISJE E KTHIMIT NË NORMALITET. ËSHTË PARANDALIM I VDEKJES, HOSPITALIZMIT, KTHIM NË PUNË, RESTORAN, FABRIKË, TEATËR, STADION E DARSËM.

PRANDAJ VAKSINOHU, MOS MENDO DY HERË!”, ka shkruar Raka. /Telegrafi/