LAJMI I FUNDIT:

Lucid pritet të pushojë nga puna 1,300 punëtorë

Lucid pritet të pushojë nga puna 1,300 punëtorë

Drejtori ekzekutiv i Lucid, Peter Rawlinson, njoftoi se kompania së shpejti do të pushonte nga puna rreth 1,300 punëtorë të saj, e që është 18 për qindëshi i fuqisë së saj totale të punës prej 7,200 punëtorëve.

Shumë kompani të tjera njoftuan gjithashtu pushime nga puna, duke u përgatitur për recesionin e ardhshëm, megjithëse për sa i përket përqindjes, kjo mund të jetë përqindja më e larta deri tani.


Me uljet agresive të çmimeve të Tesla-s dhe prodhuesit e vjetër të automjeteve që prezantojnë makina elektrike më të përballueshme, startup-et si Lucid dhe Rivian po përballen me sfida të mëdha. Pushimet nga puna do t’i kushtojnë Lucid-it nga 24 deri në 30 milionë dollarë, raporton Arena EV, përcjell Telegrafi.

Plani i ristrukturimit do të përfundojë deri në fund të tremujorit të dytë dhe do të ketë punëtorë të larguar pothuajse nga të gjitha nivelet, përfshirë edhe drejtuesit.

Ndërsa Lucid në vitin 2022 prodhoi më shumë makina sesa ishte parashikuar fillimisht, parashikimi për vitin 2023 është larg atyre parashikimeve të analistëve të industrisë. Lucid tha se synon për 10,000 deri në 14,000 vetura të prodhuara këtë vit – një shifër larg prej që parashikonin analistët, me 21,815 njësi të prodhuara.

Megjithatë humbja e kaq shumë punëtorëve nuk mund të jetë një lajm i mirë për kapacitetin e saj prodhues në të ardhmen. /Telegrafi/