Lidhja Shqiptare ka reaguar lidhur me dekorimin e Tetovës për festën shtetërore, duke akuzuar Komunën se ka anashkaluar flamurin shqiptar dhe ka vendosur në hapësirat publike simbolin e Diellit të Verginës.

Nga kjo parti pretendojnë se përdorimi i këtij simboli bie ndesh me detyrimet e Marrëveshjes së Prespës, ndërsa vendosja e flamurit shqiptar në komunat ku komuniteti shqiptar është shumicë, sipas tyre, parashihet me ligj.


Lidhja Shqiptare ka kërkuar përgjigje nga kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, dhe VLEN-i, duke pyetur se kush e ka autorizuar vendosjen e simbolit të Diellit të Verginës dhe mbi çfarë baze ligjore është bërë një zgjedhje e tillë.

“Pse u anashkalua flamuri shqiptar?” dhe “Mbi çfarë baze ligjore u bë kjo zgjedhje?”, janë disa nga pyetjet e ngritura në reagim.
Deri në publikimin e këtij lajmi, nga Komuna e Tetovës nuk është dhënë përgjigje ndaj akuzave të Lidhjes Shqiptare.