LAJMI I FUNDIT:

Londra si mbretëria e financave të botës, po vihet në rrezik

Londra si mbretëria e financave të botës, po vihet në rrezik
Zona financiare e Londrës | Foto: Leon Neal/Getty Images/Guliver

Londra është një prej qendrave financiare më të rëndësishme të botës, krenohet me qiellgërvishtësit e saj të vjetër dhe me ata të rinj që janë në ndërtim e sipër.

Pavarësisht problemeve të shumta në lidhje me BREXIT-in, mania e ndërtimit të kullave të larta duket se vazhdon me ritme edhe më të shpejta se më parë. Aktualisht, londinezët janë në pritje nëse ndërtesa prej 305 metrash, e njohur ndryshe me emrin Tulipani, dizajni i së cilës ka kontestime të shumta, do të marrë apo jo miratimin përfundimtar, për të nisur punimet.


Asnjë prej qendrave financiare nuk reflekton largimin e Britanisë nga Bashkimi Evropian, por sapo Theresa May u shpreh pas Referendumit të BREXIT-it, se nuk kishte më kthim pas nga vendimi për t’u larguar nga tregu i vetëm, u duk sikur i gjithë shteti do të ndahej nga tregu i përbashkët më i madh i Evropës. Në një situatë të tillë, rregullatorët në të dyja anët e Kanalit u përpoqën shumë për të siguruar vazhdimësinë e bizneseve dhe mbi të gjitha, për të ruajtur stabilitetin financiar.

Sipas organizatës londineze New Financial, 291 firma të mëdha financiare i kanë zhvendosur aktivitetet e biznesit apo një pjesë të stafit në vendet e tjera anëtare të BE-së. Shumë plane kontigjence u hartuan përpara 29 marsit, datë gjatë së cilës mendohej se BREXIT do të kishte përfunduar. Edhe sipas EY, rreth 1.27 trilion dollarë asete janë zhvendosur nga qyteti londinez, shkruan The Economist, përcjell Telegrafi.

Për rivalët evropianë të Londrës, BREXIT shihet si një mundësi që vjen vetëm një herë në jetë dhe ndaj ata po përpiqen që t’i rrëmbejnë asaj sa më shumë biznese që të munden.

Bursa e Londrës ka zhvendosur tregtinë e obligacioneve qeveritare në Milano me vlerë tre miliardë dollarë. Edhe Amsterdami ka fituar shumë si pasojë e tregtimit të obligacioneve qeveritare dhe tregtimit të marrëveshjeve të riblerjes në euro. Këto lëvizje nuk duken aspak të nxituara. Edhe pse forma përfundimtare e BREXIT-it është e paqartë, vetëm nëpërmjet këtyre zhvendosjeve, Britania e Madhe do të vazhdojë të veprojë në tregun e përbashkët.

Në vitin 2016, 5,476 firma me seli në Britani të Madhe i ofruan shërbimet e tyre në qytete të ndryshme të BE-së, vetëm në sajë të qasjes që kishin në zonën evropiane. Ndërkohë që edhe shumë firma të tjera të Zonës Ekonomike Evropiane, ua ofruan shërbimet e tyre Britanisë së Madhe. Duke përfshirë menaxherët e aseteve, siguruesit dhe në fund edhe bankat, Britania e Madhe siguron një të katërtën e të gjitha shërbimeve financiare në vendet e BE-së. /Telegrafi/