LAJMI I FUNDIT:

Lojë në Elbasan, ndeshje në Beograd

Lojë në Elbasan, ndeshje në Beograd

Të pezmatuar natyrshëm prej humbjes së garës futbollistike të ekipit tonë me atë serb, shumica e shqiptarëve megjithatë e patën gjakftohtësinë të dallonin defektet profesionale të skuadrës nga ato të qeverisë.

Prej vitit 1999, ndeshja futbollistike e të enjtes i kishte të gjithë treguesit për të qenë një pikë shpërthyese. Mjaftonte një “shkrepëse”. Mund të mos ishte pistoletë “Zastava”, siç nuk u gjet vetëm te komanduesi “ballist” i dronit, por edhe kur u vra Azem Hajdari dhe u sulmuan institucionet kryesore të shtetit.


Asgjë nuk ngjau, jo vetëm sepse në Beograd qeverisësit e tanishëm të ekzekutivit me në krye Aleksandar Vuçiq janë më realistë dhe pragmatistë, politikanë që e dinë se një rrëzim i Shqipërisë është bumerang i sigurt për ta, por edhe sepse në Tiranë dhe në Prishtinë vigjilojnë shumë sy. Ndërkohë, destabilizimi i një vendi të NATO-s nuk është punë e lehtë dhe paguhet shtrenjtë.

Ja përse, por edhe për mjaft arsye të tjera, kapërcimi me sa më pak tension politik (dhe ndëretnik) këtë të enjte qe udha më e dobishme.

Më në fund kështu edhe u krye. Por, me një çmim të rëndë për shqiptarët, sepse mbi gjendjen psikologjike të futbollistëve tanë dhe të lojës së tyre ndikuan shumë rrethanat e gjendjes së përgjithshme për të sakrifikuar gjithçka që të mos ndizej asnjë shkëndijë përplasjeje. Kështu u fikën edhe ato të tifozerisë, karburanti kryesor i stimulimit të një ndeshjeje sportive.

Po ashtu humbi peshën e merituar të një veprimi mjaft dinjitoz e shumë të rëndësishëm qëndrimi i ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Beograd, Ilir Boçka. Ai kishte refuzuar notën e protestës së Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë. E kishin thirrur posaçërisht në atë seli dhe po aty ai i pati sfiduar.

Kështu, duke u marrë më shumë me atë që ndodhi në Elbasan dhe në Tiranë, e mbajtëm të regjistruar vetëm si kronikë atë që ngjau në Beograd. Sepse në të vërtetë paralelisht u zhvilluan dy ndeshje.

E veçojmë këtë rrethanë dhe njëkohësisht e spikatim, sepse nuk paska të ndalur rrëkeja e fjalëve të disa grupeve bashkëkombëse me ultranacionalistë, të cilët e mbushën me histeri (dhe pasiguri) tërë klimën e parandeshjes. Kjo atmosferë e ngopur me mllef kundër-serb dhe në lajkatim të racës shqiptare krijoi një trysni mpirëse, jo mobilizuese, madje paralizuese te lojtarët. Në vetëmburrje se vetëm e vetëm do të fitonim, tani që humbëm, ata u shfaqën po njëlloj, agresivë dhe me arsye të errur, gati për çdo sherr dhe akuzuar të tjerët si tradhtarë.

Klithën se rezultati qe shitur nga qeveria, se shteti shqiptar pati bërë pazar me atë serb, se “Shqipëria i hapi shalët para shkjaut”. Të tjerë, më kokëmangët, akuzuan se republika me Tiranën kryeqytet pati tradhtuar motrën, republikën me kryeqendër Prishtinën.

Mes tyre, më të kultivuarit në nivel intelektual, holluan zërin e thanë se me masat shtrënguese të sigurisë dëshmuam se jemi një popull i nënshtruar, se mospërplasjen, mostregimin e grushtit, e kemi jo prej karakteristikave themeltare të identitetit tonë historik, por ngaqë jemi të dobët. Pati që fantazuan se që ne të mundeshim dy me zero, kishin punuar ambasadat?!

Duke e paguar shtrenjtë detyrimin etik të fqinjësisë së mirë, miqësinë zemërhapur mes ballkanasish, me një ndeshje futbolli që nuk u la të ishte garë sportive, nuk mund të mos denoncojmë sjelljen që u mbajt prej qeverisë së Beogradit ndaj ambasadorit Ilir Boçka, për rrjedhojë edhe ndaj shtetit tonë.

Është mjaft arrogante.

Tepër mosmirënjohëse.

Siç të gjithëve u kujtohet pas goditjes me gurë (a guralec) i autobusit të futbollistëve serbë në hyrje të Tiranës, gjest mjaft rrugaçëror, Ministria e Jashtme e Republikës së Serbisë bëri menjëherë një notë proteste. Ndërsa e dinte që për atë siguri, ndërsa në Beograd kishte forca politike dhe lobe ultranacionaliste të gatshëm ta shndërronin në konflikt ndërnacional, qeveria e Tiranës kishte boshatisur dhe shkretuar nga njerëzit si edhe makinat, gjysmën e Tiranës. Te ne, pas 1999-s, ka hyrë e ka dalë vetë presidenti serb dhe kanë mjaftuar dy-tre makina shoqëruese policie, për të mos thënë sa pak rrugë u lirua prej lëvizjes së makinave dhe për sa pak kohë kur erdhi Presidenti Bush.

Ndërsa qeveria e Tiranës i kishte dëshmuar mirëbesim maksimal me arrestimin e dron-përdoruesit Morinaj, destabilizuesit (të dorës së dytë) të ndeshjes në Beograd, duke marrë mbi vete edhe një kosto elektorale, kuptohej fare lehtë që guri i hedhur që nuk shkaktoi asnjë gërvishtje mbi trup njeriu, qe thjesht një aksident.

Sidoqoftë, Ministria e Jashtme e Serbisë qe e shtrënguar që në mbrojtje të jetës së bashkëkombësve të saj të mos e kalonte në heshtje këtë ngjarje, edhe pse e kryer në pa dashje të qeverisë së Tiranës. Kështu, një deklaratë për shtyp, siç edhe quhet njëri prej formateve të sjelljes diplomatike publike, ishte e nevojshme.

Por, përse nuk u mjaftua me kaq dhe e thelloi: e kreu me formatin tjetër, tepër të rëndin dhe që funksionon vetëm në rrethana të jashtëzakonshme të sigurisë së tërë shtetit, në Notë Proteste?

Nuk është vetëm përfitimi psikologjik për të inkurajuar lojtarët e vet dhe nënshtruar lojtarët rivalë, për të ndryrë kudo mes shqiptarëve kompleksin e fajit para opinionit ndërkombëtar, por edhe arroganca e më të fortit.

Siç kujton që është dhe nuk ka vënë mend nga cikli i historisë që këtë popull të nderuar fqinj, pasi është mëkëmbur, një grup qeverisësish të tij me doktrinë gjiganto-maninë e tyre etnike në Ballkan, e ka rrënuar përherë.

Nota e protestës dhe ca më tepër dënimi i stilit “lindor” me ndërprerjen e komunikimit për disa muaj me ambasadorin shqiptar në Beograd, sepse ai nuk e pranoi ta merrte në duar kartën e papërgjegjshme të kërcënimit, çfarë përfshihet në të drejtat e veprimit të një diplomati, nuk është provë force. As epërsie. As fitoreje.

Është tërësisht shenjë torua-humbjeje.

Në trend

Më shumë
BE afër finalizimit të raportit për çështjen e masave ndaj Kosovës

BE afër finalizimit të raportit për çështjen e masave ndaj Kosovës

Lajme
Parandalohet atentati ndaj Zelenskyt, pjesëtarët e inteligjencës ukrainase arrestojnë agjentët rusë – planifikonin rrëmbimin dhe vrasjen e tij

Parandalohet atentati ndaj Zelenskyt, pjesëtarët e inteligjencës ukrainase arrestojnë agjentët rusë – planifikonin rrëmbimin dhe vrasjen e tij

Evropa
Nëna nga India hodhi të birin 6-vjeçar me aftësi të kufizuara në një lumë të mbushur me krokodil, reptilët e kafshojnë deri në vdekje

Nëna nga India hodhi të birin 6-vjeçar me aftësi të kufizuara në një lumë të mbushur me krokodil, reptilët e kafshojnë deri në vdekje

Azia
Shkencëtarët zbuluan se sa orë në ditë duhet të ulemi, të flemë, të qëndrojmë në këmbë dhe të ushtrohemi

Shkencëtarët zbuluan se sa orë në ditë duhet të ulemi, të flemë, të qëndrojmë në këmbë dhe të ushtrohemi

Shëndetësi Lajme
Policia e Kosovës gjen kamera në rrugët malore në kufirin Kosovë-Serbi

Policia e Kosovës gjen kamera në rrugët malore në kufirin Kosovë-Serbi

Lajme
Nënshkrimi i Mbappes ka shkaktuar tension në zhveshtoren e Real Madridit

Nënshkrimi i Mbappes ka shkaktuar tension në zhveshtoren e Real Madridit

Ndërkombëtare
Kalo në kategori