LAJMI I FUNDIT:

Loja me TVSH-në lë pa preparate pacientët e hemodializës

Loja me TVSH-në lë pa preparate pacientët e hemodializës

Pacientët, të cilët i nënshtrohen procesit të hemodializës, një ampulë “Ferric Hydroxide In Complex With Sucrose”, e nevojshme për këtë proces, duhet ta sigurojnë vetë pasi tenderi po zvarritet qe një vit. Në këtë proces prokurimi kishin aplikuar tri kompani, ku njëra prej tyre “Liri-Med” kishte ofertuar me çmime pa TVSH.

Ministria e Shëndetësisë, por edhe Dogana e Kosovës po thonë se produkti në fjalë duhet t’i nënshtrohet TVSH-së. Në anën tjetër qe disa herë Organi Shqyrtues i Prokurimit po urdhëron që lënda duhet të rivlerësohet, shkruan gazeta “Zëri”.


Një tender për furnizim me një ampulë “Ferric Hydroxide In Complex With Sucrose” për nevoja të pacienteve, të cilët i nënshtrohen procesit të hemodializës, çuditërisht po zvarritet për më shumë se një vit e si pasojë e kësaj pacientët detyrohen këtë produkt në barnatore ta blejnë shumë më shtrenjtë sesa çmimi që kompanitë e kanë ofertuar në këtë proces të prokurimit.

Në bazë të dokumenteve zyrtare, të cilat i ka siguruar gazeta “Zëri”, shihet se në ketë tender kanë aplikuar tri kompani. Kompania “Exclusive Corporation” ka ofertuar me 80,967.60 euro dhe në këtë çmim e ka të llogaritur edhe TVSH-në prej 8%, ashtu siç parashihet me ligj. Po ashtu edhe kompania tjetër “Pharma Leader” në këtë tender ka ofertuar 79,254.00 euro dhe po në këtë çmim e ka llogaritur edhe TVSH-në e derisa kompania tjetër “Liri-Med” ka ofertuar me 78,540.00€ pa llogaritur fare TVSH-në prej 8%, ashtu siç parashihet me ligj.

Pas shqyrtimit të ofertave zyra e prokurimit e kësaj Ministrie për kontratë kishte rekomanduar kompaninë “Pharma Leader”, e cila ishte kompania e përgjegjshme më çmimin më të ulët, por i pakënaqur me këtë kompania konkurrente “Liri-Med” i është drejtuar me ankesë Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik dhe kjo e fundit qe disa herë po urdhëron që lënda të rikthehet në rivlerësim.

Por vendimi i fundit i gjykatës së tenderëve edhe më shumë e ka komplikuar situatën, pasi dy institucione kompetente – Ministria e Shëndetësisë dhe Dogana e Kosovës, po thonë se produkti në fjalë në bazë të ligjit i nënshtrohet TVSH-së prej 8%. /Zëri/Telegrafi/